Templates by BIGtheme NET

Një marrëveshje përtej konfliktit Kosovë-Serbi

“Përveç afrimit të Prishtinës dhe Beogradit në aspektin ekonomik dhe përshpejtimit të procesit drejt pranimit të ndërsjellë, Marrëveshja e Washingtonit shënon një arritje të madhe edhe për SHBA-në: nxjerr Serbinë nga ndikimi i Moskës, përmes zvogëlimit të varësisë nga energjia ruse, dhe nga i Pekinit, duke pamundësuar kompanitë kineze të vazhdojnë ndërtimin e rrjeteve 5G në këtë vend.”

Nga: Xhelal Neziri

Takimi i shumëpritur i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Washington, SHBA, përfundoi me një marrëveshje jashtë kornizave të interesave të dy shteteve, siç zakonisht duken marrëveshjet dypalëshe. Përveç që parasheh një hap historik në thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve ballkanike që për më shumë se dy dekada gjenden në situatë të një lufte të ngrirë, kjo marrëveshje ngërthen në vete edhe interesa që ndërlidhen drejtpërdrejt me shtrirjen e ndikimit amerikan në Serbi dhe me interesin e Izraelit për paqe me shtetet me shumicë myslimane.

QASJA E NDRYSHUAR E SHBA-VE NDAJ SERBISË

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në kuadër të NATO-s në vitin 1999 udhëhoqën një operacion ushtarak kundër rrëgjimit të diktatorit Sllobodan Millosheviq dhe kanë qenë një partner i rëndësishëm i Kosovës edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008. Diplomacia amerikane arriti të bindë më shumë se 100 shtete të botës të njohin pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë. Që nga viti 1999 SHBA kanë ndihmuar Kosovën me më shumë se 2 miliardë dollarë për konsolidimin si shtet. Politika e ashpër kundrejt Beogradit ndryshoi viteve të fundit, sidomos pas fitores të republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, kur Serbia u vu në listën e vendeve ku mund të shtrihet ndikimi i Perëndimit. Nga vitit 2011, – kur nisi dialogu Prishtinë-Beograd, dhe nga 2014-ta, – kur Serbia nisi negociatat e anëtarësimit me Bashkimit Evropian (BE), ndihmat amerikane për Serbinë janë rritur ndjeshëm. Mbi një miliardë dollarë ndihmë amerikane amerikane i është siguruar Serbisë për përmbushjen e parakushteve demokratike dhe zbatimit të reformave për anëtarësim në BE dhe për fuqizimin e marrëdhënieve me NATO-n.

Marrëveshja e arritur në Washington, e që parashikohet të finalizohet pas një viti me njohje të ndërsjellë, është si rezultat i përfshirjes më serioze të SHBA në dialogun Prishtinë-Beograd. Në korrik të vitit 2018, pas një takimi midis ish-Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, dhe ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq, u tha se edhe ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi do të ishte i pranueshëm nëse palët do të merreshin vesh për këtë. Bolton deklaronte se “as Kosova nuk mund të fitojë atë që dëshiron (njohje nga Serbia në kufijtë aktualë) e as Serbia (kthimin e Kosovës nën jurisdiksonin serb)”, ndërkohë presidentët e dy shteteve kishin intensifikuar takimet për të arritur një marrëveshje historike. Dialogu nën patronazhin e BE-së kishte prodhuar disa marrëveshje, pjesa më e madhe e të cilave nuk ishin zbatuar. Moszbatimi i Marrëveshjes për unionin e komunave serbe, – e nënshkruar në vitin 2015 midis kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafa, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, – kishte imponuar që palët të gjejnë “ide më kreative” për tejkalimin e konfliktit. Duke parë mungesën e rezultateve të dialogut të drejtuar nga BE-ja, në vitin 2018 kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj kishte kërkuar një përfshirje më serioze të SHBA-ve në proces.

Kjo përfshirje kishte ndodhur menjëherë dhe për një kohë të shkurtër, nën drejtimin e të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë në dialog Richard Grenell, Kosova dhe Serbia në fillim të vitit nënshkruan tre marrëveshje për ringjalljen e komunikacionit ajror, tokësor dhe hekurudhor midis dy vendeve. Përfshirja e Washingtonit në këtë proces, ndërkohë, krijoi shumë dilema në Prishtinë, edhe pse nga autoritetet kosovaren ishte kërkuar një protagonizëm i këtillë. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili në shkurt u inaugurua si kryeministër i katërt i Kosovës, akuzoi Grenellin se shpejton drejt marrëveshjes Prishtinë-Beograd duke imponuar shkëmbimin e territoreve. Ai madje refuzoi ftesën në Washington, ku në fillim të vitit pritej të mbahet një takim i formatit të njëjtë si sot. Kur në qershor u shkarkua nga Parlamenti, Kurti sërish akuzoi administratën Trump dhe Grenellin se po rrëzohet nga pushteti që në Washington të mblidhen krerët e dy shteteve të dialogojnë “me thika mbi harta”.

NJË MARRËVESHJE “NDËRKOMBËTARE”

Por, marrëveshja e arritur sot nuk ka shenja për një skenar të tillë. Marrëveshja ka 16 pika, e nënshkruar nga dy shtetet veç e veç me SHBA, ku madje 5 pika nuk kanë të bëjnë me kontestin ndërshtetëror. Katër pikat e para kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve paraprake për përshpejtimin e komunikacionit tokësor dhe hekurudhor, me lehtësimin e qarkullimit në pikën kufitare në Merdare. Në këtë drejtim SHBA zotohet se do të ndihmojë kompanitë e vogla dhe të mesme në të dyja vendet dhe do të nxisë projekte tjera.

Pika e pestë ka të bëjë me përfshirjen e Kosovës në projektin “Mini-Shengeni Ballkanik”, ku tani më janë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, një projekt që e kishte refuzuar Kosova më parë.

Pika e gjashtë obligon palët të njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëri-tjetrit, kurse pika e shtatë obligon dy shtetet të punojnë ngushtë me Departamentin e Energjisë së SHBA-ve dhe me institucionet tjera energjetike amerikane për përpilimin e një studimi fizibiliti për ndarjen Liqenit të Ujmanit, si rezervuar i ujit dhe si pikë strategjike energjetike. Ky liqen shtrihet përgjatë kufirit, 20 për qind e të cilit është pjesë e Serbisë. Pika e 12-të obligon palët të gjejnë të zhdukurit e luftës së vitit 1999, nga të cilat pjesa më e madhe janë shqiptarë nga Kosova, ndërkohë që pika e 15 parasheh një moratorium njëvjeçar për Kosovën në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërkohë që Serbia obligohet që për një vit të mos kërkojë çnjohje ose të bllokojë njohjet e reja ndaj Kosovës si shtet.

Pika e 8-të thotë se obligon palët të diversifikojnë furnizimet me energji, gjë që më shumë i referohet Serbisë, ku Gazpromi dhe Lukoili i Rusisë është lojtari kryesor në tregun me gaz dhe derivate të naftës. Në këtë mënyrë SHBA e tërheq Serbinë nga varësia e madhe energjetike ruse me qëllim që të zvogëlojë hapësirën për interferim dhe ndikim të shtuar të Moskës në politikën e brendshme të këtij shteti.

Pika e 9-të i obligon dy shtetet të mos pranojnë kompani telekomunikimi jo të besueshme që të ndërtojnë rrjetet 5G, kurse aty ku një veçmë është ndërtuar ky rrjet palët do të angazhohen për heqjen e tyre. Me këtë SHBA tenton ta tërheqë Serbinë nga zona e ndikimit kinez, kurse Kosova nuk përbën asnjë problem në këtë kontekst për shkak të ndikimit të zbehtë të Kinës në këtë shtet. Nëpërmjet ndihmave dhe kredive prej disa miliardë dollarësh, Kina ka arritur ta joshë Serbinë që të marrë përsipër të ndërtojë rrjetin 5G në këtë vend. Kjo ka ndezur alarmin në SHBA, me ç’rast javë më parë sekretari i shtetit amerikan Mike Pompeo alarmoi Serbinë dhe shtetet e Evropës Qendrore të hiqen nga këto projekte telekomunikuese të realizuara nga Kina për shkak se do t’i mundësonin shtetit komunist të survejojë gjithçka.

Pika e 10-të e obligon Serbinë dhe Kosovën të shkëmbejnë informacione për udhëtarët dhe të jenë pjesë e kornizës së gjerë të SHBA-ve në Ballkan të shkëmbimit të informacionit për veprimtari jolegale duke zbatuar sisteme amerikane të skriningut. Edhe kjo më tepër i referohet Serbisë, duke e futur këtë shtet në sistemin amerikan të shkëmbimit të informacionit në Ballkan.

Pika e 13-të obligon palët të punojnë në dekriminalizimin homoseksualizmin në 69 shtete, e 14-ta i obligon që ta shpallin si terroriste organizatën Hezbollah, e mbështetur nga Irani, kurse e 16-ta vetëm njofton për një marrëveshje midis Izraelit dhe Kosovës për njohje të ndërsjellë. Pikërisht pika e fundit duket se është në vijën e administratës Trump për të ndërtuar paqe midis Izraelit dhe vendeve myslimane dhe shihet si vazhdim e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Një ditë tjetër e shkëlqyer për paqen me Lindjen e Mesme – Izraeli dhe Kosova me shumicë myslimane kanë rënë dakord të normalizojnë lidhjet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike. Ju lumtë! Më shumë kombe islamike dhe arabe do të ndjekin këtë hap së shpejti!”, shkroi në Twitter presidenti Trump, duke ngjallur huti në opinion për kontekstualizimin e Kosovës në mospajtimet në Lindjen e Mesme.

Pra, sado historike të jetë në hapërimin e dy vendeve drejt paqes së përhershme, Marrëveshja e Washingtonit shënon një arritje të madhe për SHBA-në: nxjerr Serbinë nga ndikimi i Moskës, përmes zvogëlimit të varësisë nga energjia ruse, dhe nga i Pekinit, duke pamundësuar kompanitë kineze të vazhdojnë ndërtimin e rrjeteve 5G në këtë vend.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e KDPolitik.com

*Shënim: Hashtag.al ka nisur një bashkëpunim mediatik ndërshqiptar me medien Kdpolitik.com me qendër në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave dhe i shkrimeve për një këndvështrim ndryshe të çështjeve që prekin e shqetësojnë shqiptarët.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*