Vendosni fjalën kyçe....

Lehtësia e papërballueshme e “sigurisë”


Nga Flutura Açka

Mbrëmë, në një program të nderuar televiziv kushtuar librit, ku edhe vetë e kam futur shpesh kokën në respekt të punës së gazetarëve, u fol për përkthimin.

Në të vërtetë, ky është një debat aq i gjatë, sa do të na duheshin orë e orë. Në mes të asgjëje tjetër (asgjëje të përmendur me titull më vete!) u përmend edhe ky libër i Virgina Woolf, i botuar nga Skanderbeg Books në vitin 2011 nën përkthimin e mrekullueshëm të Elvana Zaimi.

Ngaqë betejat me “armiqtë” në këtë jetë unë i kam mbyllur, po i mbaj këto radhë në kufij shumë miqësorë dhe në formë këshille për mikeshën time gazetare, dhe për këdo që merret me fushën delikate të librit, edhe pse ndërhyrja e saj ishte gati tinzare.

Kur e botova “Njolla në mur”, u luta me vete që të gjeja së paku njëqind lexues shqiptarë që ta shijonin këtë kryevepër, dhe vite më pas zbuloj se kam gjetur me qindra, dhe kjo gjë më bën shumë të lumtur. Lexuesi i kësaj letërsie “superb” është aty, ne mjafton t’i japim veprën e duhur. Çështja është se për këtë lloj letërsie “të vështirë” duhet të kesh kimi me të, në mënyrë që ta kuptosh, e pastaj ta shijosh.

Ky është ndër librat më të bukur që kam botuar, ndër librat që e kam lexuar disa herë, një nga librat më të mirë të Woolf të përkthyer në shqip dhe një libër që i bën nder çdo vitrine. Për këtë libër jam gati të bëj debat me këdo, por thjesht nuk e vlen, sepse jam e bindur se i tillë debat mund të bëhej edhe për Elfriede Jelinek, Clarice Lispector, Wislawa Szymborska, Sylvia Plath, e të tjera gra të rrafshnaltës letrare. Me to keqkuptohesh kur të duash në shqip, kur nuk i kupton dot.

Pëlqimi ndaj një vepre që lexon, është krejt subjektiv, sepse është personal. Gjykimi mbi një vepër, apo mbi përkthimin e saj, nuk mund të jetë personal, sepse së pari, të duhet ta krahasosh me origjinalin – dhe po flasim për një origjinal të Virginia Woolf, të një prej grave më të mençura që kanë jetuar mbi këtë dhé – dhe, së dyti, duhet të konsultohesh me specialistë.

Kështu që, secili prej nesh që vendos të lexojë dhe të gjykojë një vepër, duhet të mos harrojë se sa “sport” i çmendur është leximi: nëse hidhesh më lart se shtati yt për kërcim së larti, rrezikon të shqyesh muskujt. Në këtë rast, është më mirë të kënaqemi me ushtrime tapeti, dhe ka plot të tillë: Danielle Steel, Dan Brown, Agatha Christie. I përmend këta emra me nderim dhe vetëm sepse janë ndryshe nga autoret që përmenda më lart.

Nuk i jap të drejtë vetes të gjykoj autorë, atë e vendos lexuesi e kritika botërore. Unë do të kisha pranuar hapur çdo lloj kritike, sikur mes baltës së hedhur ndaj përkthyesve të rinj nga shpura e vjetër, të ishin përmendur përkthyes të talentuar, si: Edit Dibra Asllani (përkthyese e Houellebecq, Prust, etj), Drita Cetaku Turdiu (përkthyese e Orhan Pamuk), Myrteza Shini (përkthyes i Coetzee, Nabokov, etj), Elton Orjeta Marku (përkthyese e Roth, Murakami), Erjon Karabolli (Llosa), etj.

Mjerisht, më të shumtët e këtyre përkthyesve tejet të talentuar, e kanë lënë Shqipërinë, mbase edhe sepse askush nuk iu përkul për nderimin që na kanë bërë me veprat e përkthyera.

Dhe e fundit, nëse nisim debatin nga përkthimi, le ta nisim nga “mitet” e rremë që kemi ndërtuar. Këtu, veç ballinës së veprës së mrekullueshme të “Njolla në mur” (tregime) të Virginia Woolf, një shkollë leximi, përkthimi dhe shkrimi të kufijve tronditës, po bashkëngjis edhe një fragment të një përkthimi që ka marrë të gjitha çmimet, fondet, lavditë dhe që nuk e ka cënuar kurrë asnjë sulm tinzar. Mbase mikja ime gazetare, do ta fillojë herën tjetër gjykimin e saj në linjë të drejtë, nga koka te bishti…

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *