Templates by BIGtheme NET

Ndëshk(r)imi

Nga Leida Ruvina

Dhe shitësi i manaferrave bie dakord ta bëjë nga 3 në 2,500L/kg. Unë bie dakord t’ia blej 3 kilogram atëherë. Manaferrave tashmë u ka përfunduar sezoni, rastësia e gjetjes në tregun fshatar është fatlume. Janë frut i shëndetshëm (kur janë të vogla bio e pa hormone) që në ngrirje reziston për dimër. Mblidhet me dorë e durim kokërr më kokërr, dhe mbledhja është punë e pastër me djersë balli. Dallimi mes aktivistit që shkruan “Saimir Mane vjedh minatorët” dhe një qytetari të ndërgjegjshëm, është që ky i fundit nuk prononcohet publikisht, ama në heshtje bojkoton sa herë mundet supermarketin apo importin për të mbështetur produktin vendas.

Papritur dëgjohet kushtrimi “Erdhën, erdhën, erdhën!”.

Brenda 4,4 sekondash maratonomake, grupi i shitësve të paligjshëm të frutave e perimeve avullon pas makinash, brenda parukerish, rrugicash qorre, e cepa pallatesh. Pak metra më larg shihet një makinë e policisë bashkiake. Shtruar një polic del, ia merr një qese qepësh e patatesh fshatarit fatkeq që s’pati kohë të largohej, dhe e fut në bagazhin e pasëm.

Manaferrat e mia mbesin në peshore. Djalit fshatar i mbarojnë 10 gishta ngarkuar qesesh me mallin e tij fruta-perimesh, dhe duke dihatur pëshpërin “A më ndihmon pak me atë kutinë të lutem?”. “Posi”, i them, “por është vetëm një makinë e vogël policie bashkiake, jo furgon që të sekuestrojë shumëçka”. “Na i sekuestrojnë dhe qepët me kuti dhe kuti tjetër nuk kam, rrofsh!”, vijon dihatja. Ia marr menjëherë në krahë kutinë dhe ecim me shpejtësi drejt hyrjes së pallatit përballë. Me ne dhe 3-4 fshatarë të tjerë, secili jo më fort se 20-30 vjeç. Fshehurazi ripeshojmë manaferrat. Fshehurazi paguaj. Fshehurazi presin që të dalë sinjali se polici u largua – dhe për sot.

Se ka dhe policë bashkiakë të mirë: pak ditë më parë njëri u kërkoi shitësve të paligjshëm fshatarë të largoheshin se duhet të bënte një foto – si gjahtari që lejon Borëbardhën të ikë sa të marrë një zemër dreri e t’ia çojë si provë shefes se detyra e ditës u krye. Po sot nuk rastisi një i tillë.

Arrestuan një gjyqtare për korrupsion pas përgjimeve të bashkëshortit (për paradoks, dekan Juridiku) – dhe ajo u ulëriti Policive të Shtetit se po i bëhej padrejtësi. I sekuestrojnë qepën e majdanozin rreth 20 fshatarëve – dhe ata heshtin duke u ndier kriminelë.

Në një aspekt antropologjik, kulturë e imponuar jo nga faji. As frika. Po turpi. Tek vrapoj, fshihem, dhe ridal nga cepi i pallatit, provoj ndjesinë e një DEBATIKASI që po aktivizohet në guerriljen e paligjshme urbane, në rastin më të mirë. Apo KRIMINELI, në rastin më të keq.

Në rastin e parë paligjshmëria mund të jetë dhe qëndresë, rezistencë. Por në rastin e dytë krimi mbetet thjesht krim.

Prej Kodit të Hamurabit (1730 p.e.s) në Mesopotaminë e lashtë deri në Kodin Civil e Penal të kohëve moderne e të leshta, paligjshmëria ka pasur përherë mundësi të bëhet e ligjshme (liria e skllavit, vota e gruas, shkollat e martesat ndër-raciale, të drejtat civile të minorancave e maxhorancave fetare, politike, klasore, etnike, etj). Çka është e paligjshme me kalimin e kohës çoç dhe dekriminalizohet nga politikat sociale. Por krimi nuk dekriminalizohet kurrë (vrasja, përdhunimi, evazioni fiskal). Dhe ndjesia e të qenit për shtetin “i paligjshëm” kalohet më lehtë se ndjesia e të qenit për shtetin “kriminel”. I manaferrës dhe thanës.

Më 19 gusht 2015, në një kryeartikull dhe kopertinë kryesore të së përditshmes DITA, me titull “ANTIEVAZIONI I KAFSHATES?! (Erion, mos harro fiqtë)”, Andrea Stefani i kujtonte kryebashkiakut të Tiranës se «të varfërit që mbijetojnë ndershëm nëpër trotuare nuk mund të spastrohen në emër të “estetikës”». (Kjo vlen sidomos kur çdo vit shteti kryen një amnisti fiskale për pasunarët problematikë, pagesat e munguara të të cilëve do përbënin për kasën e shtetit ndryshim më të madh se sekuestrimi i lakrës dhe hides).

Saktësisht pesë vite më pas, më 14 gusht 2020, kryebashkiaku Veliaj përuroi në Tiranë një shkollë me emrin “Andrea Stefani”, duke e konsideruar tashmë të ndjerin “një gazetar të drejtë e të ndershëm”.

Fjala (sociale) pa veprim (social) është propagandë.

E propaganda është si sutjenat push-up. Ngre gjokse lart. Jo zemra peshë.

Edhe në fushatë zgjedhore. Sidomos në fushatë zgjedhore.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*