Templates by BIGtheme NET

Sulm me raketa në Izrael gjatë nënshkrimit të marrëveshjes historike në Shtëpinë e Bardhë

Militantët palestinezë në Rripin e Gazës kanë lëshuar dy raketa në Izrael të martën, gjatë kohës kur në Shtëpinë e Bardhë po nënshkruhej marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sulmi me raketa la disa njerëz të lënduar. Jerusalem Post raportoi se 13 persona ishin plagosur.


Ushtria izraelite tha se dy raketa u qëlluan nga Gaza dhe njëra u ndalua nga mbrojtja ajrore. Palestinezët janë kundër marrëveshjeve me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, duke e parë këtë si një tradhti ndaj kauzës së tyre nga vendet arabe.

Grupi militant islamik Hamas ka qeverisur Gazën që nga viti 2007, kur mori pushtetin nga Autoriteti Palestinez i mbështetur ndërkombëtarisht. Izraeli dhe Egjipti kanë vendosur një bllokadë në territorin bregdetar që nga ajo kohë.


Një numër i grupeve militante palestineze veprojnë në Gaza, por Izraeli e konsideron Hamasin përgjegjës për të gjitha sulmet dhe zakonisht i përgjigjet zjarrit me raketa me sulme ajrore në caqet e militantëve.
Izraeli dhe Hamasi kanë zhvilluar tre luftëra dhe disa përleshje më të vogla që nga viti 2007.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*