Templates by BIGtheme NET

Emergjencat Civile letër pesë prefekturave: Merrni masa, priten stuhi e reshje shiu

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka dërguar një shkresë disa prefekturave në vend duke u kërkuar të kalojnë në gatishmëri lidhur me motin e paqëndrueshëm që pritet.

Sipas letrës, janë lajmëruar prefekturat Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë e Gjirokastër pasi sipas shërbimeve meteorologjike në qarqet e lartpërmendura priten stuhi e reshje të mëdha shiu.

Zonat që pritet të preken më shumë janë Shkodra, Dibra, Malësia e Madhe e Kruja. Po kështu drejtuesve te qarqeve në fjalë u kërkohet që të lajmërojnë popullsinë.

“AKMC, agjencia në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, shkresë prefekturave Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, Gjirokastër. Sipas IGJEUM, në veri perendim dhe jug të vendit priten stuhi dhe reshje të mëdha shiu.

Zonat që rrezikojnë të preken më shumë Shkodra, Dibra, Malësia e Madhe, Kruja. Reshjet e shiut dhe stuhitë mund të bëhen shkak për përmbytje në disa prefektura në dy ditët në vijim. Apel prefekturave për masa të menjëhershme parandaluese dhe vënien në gatishmëri të strukturave operacionale.

Vlerësoni zonat më të rrezikuara nga përmbytja, merrni masa për popullsinë. Njoftoni popullsinë për rrezikun dhe planifikimin e masave reaguese në rast përmbytje. Pushteti vendor të përcaktojë vendet e pa rrezikuara për zhvendosjen e popullsisë në rast rreziku. Kaloni në gatishmëri të gjitha strukturat e pushtetit lokal. Forcave të Armatosura dhe Policisa Shtetit, në gatishmëri me kapacitetet e deklaruara për rastet e emergjencave.” – thuhet në njoftimin e agjencisë.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*