Templates by BIGtheme NET

“Anarkitë” e Nolit dhe “kaosi” i Branko Merxhanit

“Noli energjik dhe spiritual jep diagnozën e “pesë anarkive”, që si defekte shoqërore mbeten edhe sot e kësaj dite në hapësirat shqiptare. Një artikulim i thellë dhe origjinal që përshkon edhe fatalitetin e sotëm. Branko Merxhani një mendje brilante analitike e mbrujtur me teoritë moderne europiane të kohës interferon me Nolin, duke trajtuar praninë e “kaosit”, por ai shkon përtej duke ofruar zgjidhjet nëpërmjet shkencës së sociologjisë. Siç mund të vihet re, Branko Merxhani ndalet në logjikën e kauzalitetit historik, ndërkohë që hap një horizont tjetër trajtimesh, duke kërkuar me ngulm zgjidhjet, korrigjimin e pandërprerë të shoqërisë shqiptare. Sipas tij, drita është shkenca, bota e realiteteve”.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Në botën intelektuale shqiptare nuk kanë munguar emrat e përveçëm, të cilët me shumë thellësi dhe kreativitet i kanë artikuluar defektet e shqiptarëve. Janë mendime, artikulime, shpërfaqje refleksive që pasqyrojnë realitetet shqiptare në një kontekst të caktuar kohor, por që për nga forca e mbarështrimit të problemeve mbeten aktuale edhe sot e kësaj dite.

Vitet e 30-ta, me të drejtë konsiderohen si koha e artë e kulturës shqiptare, si një periudhë kur në jetën intelektuale të shqiptarëve shfaqen individualitete të fuqishme, të cilët secili në fushën e vetë, secili në vokacionin e vetë arrin të shpërfaq mendime të cilat mbeten diagnozë e jashtëzakonshme edhe për kohën tonë.

Gjatë kësaj periudhe, por edhe më vonë, një ndër emrat që shkëlqen me mendimin intelektual mbetet edhe Fan Noli, një figurë shumëdimensionale që gjen reflektim, në letërsi, muzikë, në fushën e përkthimeve si dhe në mendimin politik dhe kulturor. Mes tjerash, në vitin 1924, në një fjalim të mbajtur në parlamentin shqiptar, Noli flet për konfuzionin e pesë anarkive te shqiptarët, një artikulim që shkon në thellësi të etnopsikologjisë shqiptare, në dimensionin socio-kulturor dhe në botëshikimin përgjithësisht të shqiptarëve.

Noli, siç dihet tashmë, afishon pesë anarkitë që pamundësojnë mbrothësinë shqiptare, që pamundësojnë futjen e qenies shqiptare në dimensionet e vlerave të qëndrueshme dhe progresive, njashtu siç kishte pretenduar edhe vetë ai si politikan të ridimensiononte qenësinë e shqiptarëve në rrafshin politik, social dhe kulturor. Anarkia e parë sipas Nolit është ajo fetare. “ katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan”, thekson ai. Një tjetër anarki e identifikuar nga Noli është anarkia sociale. “Këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”, thotë Noli, duke skenuar esencën e dekompozimit social dhe gjithë anarkisë së prodhuar në rrugën e historisë.

Po kaq i saktë do të jetë edhe kur e artikulon anarkinë patriotike, një problem i përhershëm i pranishëm ndër shqiptarët. Aksiomatik mbetet formulimi “këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor”. Dhe, nëpërmjet një gradacioni dhe hierarkie defektesh që shfaqen, Noli në fund e artikulon dhe e afishon anarkinë e idealeve që mbeten të “ errëta, të shtrebërra e të mumifikuara”. Nëpërmjet arsyetimit anekdotik, Noli shpërfaq sojin e “kolltukofagëve” që “rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë”.

Imzot Noli, kjo mendje e përveçme, ky shpirt kreativ që kishte përkthyer Shekspirin, që kishte shkruar për Betovenin, për Skënderbeun, që përmes poezisë së tij origjinale, “vargut liberator” siç e përshkruan Mitrush Kuteli në një vështrim të tij, kishte fshikulluar realitetet politike të asaj kohe, edhe në fushën e mendimit politik dhe socio-kulturor tashmë kishte diagnostikuar një pjesë të defekteve shqiptare, të cilat gjatë tërë kohës kishin pamundësuar “ idelet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit”.

Konfuzioni i pesë anarkive të artikuluara nga Noli mbeten një ndër diagnostikimet më te thella të realitetit shqiptar, një shpërfaqje që bazohej në etnopsikologjinë shqiptare, në plasaritjet historike, por edhe në zhgënjimin e thellë për të ndërtuar një shoqëri që do t’i përgjigjej vizionit të tij politik, kulturor dhe social. Siç e dimë tashmë, Noli edhe me introduktat e tij, gjithnjë shfaqte mëlmesa politike në interpretimet letrare, që në të shumtën e rasteve ndërlidhen edhe me kauzën e tij politike që do të jetë në kundërvënie të përhershme me atë të mbretit Zog.

Pavarësisht nga kauza e tij politike, formulimet mbi pesë anarkitë mbeten një diagnozë për një pjesë të problemeve të shqiptarëve, një klithje dhe një përndritje që kërkonte ndryshimin e shoqërisë shqiptare, që kërkonte vendosjen e një sistemi tjetër vlerash, të cilat vinin nga formimi i tij intelektual dhe angazhimi i përhershëm për mirëqenie pavarësisht nga orientimi dhe kauza e tij politike. Vetëm një mendje e thellë dhe kreative mund ta sintetizonte këtë diagnozë të realiteteve shqiptare.

Sigurisht, pa e absolutizuar, kjo mbetet një diagnozë e një mendjeje intelektuale të dëshpëruar që kërkonte me ngulm t’i ofrojë shoqërisë shqiptare problemet me të cilat ballafaqohet.

Po, në këtë periudhë shfaqet edhe një mendje tjetër po kaq brilante, Branko Merxhani. Një mendje sintetike dhe kreative që konvergjonte me idetë më të mira të asaj kohe në fushën e filozofisë dhe sociologjisë europiane. Pikërisht në një shkrim të tij, Merxhani do të interferojë me anarkitë e Nolit, duke e shtrirë analizën e tij të defekteve në trazimet historike. “Shqipëria jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël. Në rrembat tona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurmë të prishjes, të robërisë, të një tronditjeje historiko-shoqërore të pakapshme. Trazimi dhe anarkia, që mbretërojnë sot në gjuhën tonë, nuk janë veçse vetëm një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes sonë historiko-shoqërore”, thekson Merxhani në shkrimin e tij “ Organizimi i kaosit”.

Siç mund të vihet re, Branko Merxhani ndalet në logjikën e kauzalitetit historik, ndërkohë që me vetë titullin e shkrimit sugjeron zgjidhje, dalje nga kjo gjendje kaotike. Merxhani si një mendje e mbrujtur me idetë dhe praktikat më të mira europiane shkon një hap më tej. Përveç që i artikulon dhe afishon problemet, nëpërmjet teorive filozofike dhe shoqërore europiane të asaj kohe, ai kërkon ilaçin, kërkon instrumentet e korrigjimit, kërkon mbarështrimin shoqëror. Jo rastësisht, shkrimi tij hapet me një citim të Niçes “ Çdo njeri, çdo popull, që të rrojë dhe të tregojë veten, më parë nga të gjitha duhet të organizojë Kaosin, që gjendet brenda në “Unin” e tij”.

Branko Merxhani vendos një objektiv tjetër për “djalërinë” shqiptare, një objektiv modern, që nuk mahnitet me “romantizma”, por që zgjidhjet i kërkon në sociologjinë si shkencë, që kërkon “një formë shkencore në gjurmimet dhe në përkufizimet, si dhe një kuptim filozofik të plotë dhe të tanishëm në idealizmin kombëtar”. Ai shkon përtej, duke promovuar një qasje shkencore-objektive mbi realitetet shoqërore dhe këtë e kërkon edhe nga intelektualët e asaj kohe. “Një intelektual shikon rrezikun më të madh dhe më të tmerrshëm: të bjerë në hendekun e gabimit dhe të vetëgënjimit, po të dojë të bëjë një udhëtim në sferën e pasosur dhe kaotike të fantazisë së tij. Kjo sferë përmban vetëm botë të rreme, vlera të vdekura, që bien vetëm gjumë dhe “utopistë gjenialë””, shkruan Merxhani.

Ai hap një horizont tjetër trajtimesh, duke kërkuar me ngulm zgjidhjet, korrigjimin e pandërprerë të shoqërisë shqiptare. Sipas tij, drita është shkenca, bota e realiteteve. Jetën politike, shkruan ai, nuk duhet ta përcaktojmë përmes romanticizmit dhe fantazisë. Pikërisht pas ii ka vendosur këto koordinata shkencore Merxhani tashmë saktësisht e bënë të ditur se duhet të kërkohen zgjidhjet. “Problemi i jetës, misteri i së ardhmes, kanë nevojë për këtë dritë. Jetën nuk duhet ta shohim përmes prizmës së fantazisë sonë. Vështrimin tonë duhet ta kthejmë përkundrejt jetës, d.m.th ta shohim jetën ashtu siç është dhe jo siç e duam ne të jetë. Jeta do një zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk gjendet lart në qiellin kombëtar, po është e fshehur thellë në shpirtin kombëtar. Ja pika nga e cila nisemi. Të ndriçojmë shkaqet e thella të anarkisë sonë shoqërore, që na la trashëgim e shkuara, me fenerin e shkencës sociologjike”.

Duke u ndalur te kauzaliteti historik, Merxhani jep formulën e “organizimit të kaosit”, gjithnjë duke u bazuar në teoritë e reja filozofike dhe teorike që qarkullonin atëherë në Europë dhe për të cilat Merxhani kishte njohje të thellë. Pikërisht këto teori shkencore Merxhani arrin t’i alternojë në përkufizimin e realiteteve shqiptare të asaj kohe, por që mbeten të përhershme gjithkund ku frymon bota shqiptare sot e kësaj dite. Janë Teori dhe mbarështrime shkencore që sot e kësaj dite e ruajnë kontinuitetin në arealin europian, ndërkohë që në hapësirën shqiptare u ndërprenë keqas nga periudha komuniste.

Reflektimet intelektuale të asaj kohe, qofshin ato si diagnoza revolte politike ose si observime të pastra dhe të paanshme mendjesh të urta dhe të kultivuara mbeten fije të domosdoshme vazhdimësie për t’iu dhënë përgjigje shumë problemeve të shpërfaqura edhe sot në hapësirat shqiptare. Interferenca e këtyre dy mendjeve tregon se observimet e thella diku takohen, në fakt takohen në rrokjen e atyre defekteve që pamundësojnë ambient prodhimtar, pamundësojnë mbrothësi shoqërore dhe gjithnjë mbeten të ndërlidhura me një intelektualizëm model dhe reflektues, që ka të mbrujtur brenda vetes dije, spiritualitet dhe përkushtim human.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Kdpolitik

*Shënim: Hashtag.al ka nisur një bashkëpunim mediatik ndërshqiptar me medien Kdpolitik.com me qendër në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave dhe i shkrimeve për një këndvështrim ndryshe të çështjeve që prekin e shqetësojnë shqiptarët.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*