Templates by BIGtheme NET

“Tri kushtet që duhet të plotësojë amnistia fiskale dhe penale”/ Anastas Angjeli flet për tërheqjen e qeverisë: Duhet të reflektojë sugjerimet e….

Nga ARISTIR LUMEZI/ Qeveria duket se është tërhequr nga drafti i saj për amnistinë e përgjithshme fiskale dhe penale. Ish-ministri i Financave, deputeti socialist, Anastas Angjeli, tregon tri kushtet që duhet të plotësojë ligji për amnistinë e përgjithshme fiskale dhe penale për ta bërë atë të qëndrueshëm dhe të suksesshëm në zbatim.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zoti Angjeli sugjeron një konsensus të gjerë politik në miratimin e këtij ligji, konsensus me grupet e profesionistëve dhe shoqërisë civile dhe marrjen shumë në konsideratë të sugjerimeve të bëra nga partnerët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, por dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët kanë paraqitur dilema ndaj draftit që qeveria dërgoi në Kuvend.

Sipas tij, ligji i ri për amnistinë duhet të jetë në një linjë me Reformën në Drejtësi dhe punën e institucioneve të reja të drejtësisë. Për ish-ministrin socialist të Financave, tërheqja nga një ligj i tillë nuk përbën ndonjë dramë, sepse nisur nga përvoja e vendeve të ndryshme, jo gjithmonë amnistitë e përgjithshme fiskale kanë rezultuar të suksesshme.

Zoti Angjeli parashikon edhe mundësinë e shtyrjes së afatit të rivlerësimit të pasurive nga ana e qytetarëve, për shkak të pamundësisë për të aplikuar nga pandemia e Covid-19.

Zoti Angjeli, qeveria është tërhequr nga drafti për amnistinë fiskale dhe penale, pse erdhëm në këtë vendim?

Zyrtarisht, në Komisionin e Ekonomisë nuk ka ndonjë shkresë -kërkesë për tërheqje, por çka është e rëndësishme dhe duhet theksuar është fakti se ka një përgjegjshmëri të të gjitha institucioneve shtetërore, të qeverisë, Kuvendit të Shqipërisë rreth çështjes së projektit të paraqitur për amnistinë fiskale.

Përgjegjshmëria buron nga fakti se kur është iniciuar ideja e një amnistie fiskale nga Kryeministri Rama, është propozuar me qëllimin e mirë për të realizuar një amnisti fiskale të gjerë, jo vetëm fiskale, por edhe penale, e cila mund t’i shërbente në këto momente ekonomisë shqiptare duke siguruar të ardhura suplementare për të, duke i formalizuar në mënyrë ligjore ato, por pa cenuar parimet kryesore. Kështu që, procedura, e cila është një teknikë legjislative e përcaktuar në rregullore, e futi atë për diskutim në komision dhe në komision u procedua me diskutimin e gjerë të saj dhe me dëgjimin e të gjithë elementëve dhe faktorëve të interesit.

Duke qenë se sugjerimet, propozimet, dilemat ishin të përmasave të atilla, që kërkonin një punë voluminoze për ta ndryshuar ligjin dhe për ta sjellë atë në formatin e një ligji me standarde të larta bashkëkohore dhe sa më cilësor, që t’i shërbente qëllimit të mirë. Komisioni mendoi që të spostohej në kohë dhe e la sesionin e kaluar që ta shtynte për këtë sesion. Pa dyshim që janë ekspertët që e kanë formuluar ligjin, qoftë ekspertët e qeverisë, qoftë dhe ata të Kuvendit, të cilët duhet të reflektojnë një sërë vërejtjesh dhe sugjerimesh për këtë ligj. Ndërkaq koha ecën, rrethanat ndryshojnë, ne jemi në një situatë paraelektorale dhe pa dyshim kërkohet shumë punë për të arritur në një ligj që nuk cenon parimet e tjera.

A do të ishte normale zoti Angjeli që një ligj i rëndësisë së tillë të miratohet nga Parlamenti gjatë periudhës parazgjedhore?

E kam thënë dhe më parë që nga fillimi i idesë, çdo ide e mirë duhet të mbështetet me një kuadër ligjor të përshtatshëm, cilësor, efikas, që t’i marri ligjit rezultatin maksimal, anën e mirë që mund të sjellë ai dhe jo të krijojë problematika, shqetësime, dilema, dyshime apo dhe vështirësi në zbatimin praktik të tij. Kështu që, nuk duhet ta diskutojmë çështjen nëse ligji vjen për rishqyrtim pas 3 apo 6 javësh, muajsh, vitesh apo nuk vjen dhe shqyrtohet në rrethana të tjera dhe në kohë tjetër. Besoj se kjo nuk është “një dramë apo tragjedi”.

Praktika të tilla në Parlamentin Shqiptar, por dhe në vende të tjera ndodhin. Ka projekte, të cilat vijnë dhe janë të një cilësie të lartë, ka projekte që vijnë dhe pas diskutimeve del që cilësia e tyre është jo në nivelin e pritur për të realizuar qëllimin e mirë për të cilin është hedhur ideja, ose bëhen vërejtje dhe reflektohen, ose tërhiqen nga qeveria për t’u riparë dhe për të gjetur kohën e përshtatshme dhe të paraqiten me nivelin cilësor të nevojshëm, që shmang hapësirat për problemet që theksuam më lart e për t’u ridiskutuar. Kështu që, një tërheqje, siç e theksova, nuk është tragjedi.

A kishte një studim paraprak se sa do të ishte shuma që do të përfitonte ekonomia shqiptare nga kjo amnisti?

Në projektin që u paraqit, në relacionin e tij kishte të dhëna të përafërta se çfarë efektesh, produkti financiar do të prodhonte ky ligj. Eksperienca e vendeve të ndryshme, por edhe e vendit tonë për ato amnisti fiskale pjesore që janë bërë, ka treguar që ka vende që kanë arritur një sukses optimal me aplikimin dhe zbatimin e amnistive fiskale. Ka vende që e kanë arritur këtë sukses pjesërisht, por ka dhe vende që kanë dështuar dhe që u ka hapur probleme e shqetësime që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave apo burime financiare të vëna përmes krimit ekonomik e kështu me radhë. Këto janë në të njëjtën kohë përvojë që duhet të reflektohet edhe në vendin tonë.

A krijonte drafti hapësira që mund të lehtësonin pastrimin e parave përmes krimit ekonomik?

Nuk mund të them me përgjegjësi që krijonte, por e them me përgjegjësi që ashtu siç ishte paraqitur, kishte dilema. Por duhet të kemi parasysh që vendi ynë është duke kryer një nga reformat më të mëdha në këto 5 vitet e fundit, që është Reforma në Drejtësi. Si rrjedhojë e Reformës në Drejtësi janë krijuar dhe po krijohen institucione, të cilat kanë filluar të merren me luftën kundër krimit ekonomik, përveç krimeve të tjera, me fenomenet e luftës kundër vënies së pasurive nga aktivitete dhe para jo të pastra, brenda dhe jashtë vendit, të cilat duket se nuk vijnë plotësisht në një vijë sjelljeje me aq sa në këto momente përmban ligji për amnistinë. Pra, ligji për amnistinë fiskale duhet të vijë në një vijë sjelljeje me Reformën në Drejtësi dhe me veprimtarinë funksionale ligjore të institucioneve të reja të dala prej saj.

Së dyti, dhe kjo është shumë e rëndësishme, edhe një ligj tjetër ka filluar dhe funksionon në Shqipëri. Janë mbi 370 subjekte që kanë qenë objekt i OFL-së dhe dalja e një ligji tjetër duhet të marrë parasysh edhe objektin e këtij ligji që është në zbatim. Pra, nuk ishte vetëm kjo, janë edhe shumë çështje të tjera teknike që kanë të bëjnë me teknikën bankare, teknikën e kontrollit në pikat kufitare, përderisa flitet edhe për persona apo subjekte që punojnë apo zhvillojnë aktivitetin e tyre jashtë vendit, me teknikat e deklarimet e të ardhurave nga jashtë, me pagimet e taksave etj., etj.

Fenomeni ishte dhe mbetet shumë kompleks. Shumë nga këto çështje, të cilat u ngritën në Komisionin e Ekonomisë, nuk mund të zgjidhen me udhëzime, me akte nënligjore, sepse ashtu ligji do të mbetej në kuadrin e propagandës dhe jo të një ligji që do të zbatohej dhe do të sillte efekte pozitive. Prandaj edhe u kërkua që në nivel ekspertësh apo në nivel qeverie, nëse ajo do ta tërheqë, t’i rishikojë këto çështje me një kujdes dhe vëmendje të veçantë. Ndërkaq, nuk mund të bësh një ligj duke u nisur thjesht nga një ligj apo një ligj tjetër që ka bërë një vend.

Nëse amnistia fiskale është bërë në një vend para 10 apo 20 vjetësh, unë besoj se duhen marrë parasysh rrethanat edhe të vendit, fenomenet që kanë ndodhur në atë vend, por dhe institucionet ndërkombëtare që merren me këtë çështje. Janë disa institucione ndërkombëtare, disa raporte të bëra për veprimtarinë e krimit ekonomik, pastrimin e parave, të cilat duhet të jenë pjesë e konsulencës në këtë ligj.

Po thoni që ligji duhet të vijë në Kuvend pas konsolidimit të institucioneve të reja të Reformës në Drejtësi?

Unë di që ideja e Kryeministrit Rama ishte një ide pozitive sepse është një përvojë botërore çështja e amnistisë fiskale. Idetë pozitive shndërrohen në akte ligjore të zbatueshme që sjellin produktivitet pozitiv, kur cilësia e ligjeve dhe zbatimi i tyre është në nivelin e duhur dhe i harmonizuar me ligjet e tjera dhe në të njëjtën kohë me rrethanat dhe kushtet që ka vendi dhe ekonomia në momente të caktuara, pa neglizhuar edhe sugjerimet e institucioneve ndërkombëtare.

Kjo tërheqje vjen edhe për shkak të presionit të shoqatave të biznesit apo dhe faktorit ndërkombëtar?

Dua ta përsëris që janë shumë faktorë që duhet të ishin konsideruar nëse një herë do ketë prapë një nismë ose brenda kësaj nisme, përmirësime që duhet të merren në konsideratë. Por tri janë shumë thelbësore:

Së pari, është konsensusi i gjerë politik, sepse nëse synojmë të bëjmë një amnisti fiskale të përgjegjshme dhe penale njëkohësisht, duhet të mendosh që të kesh një mbështetje sa më të gjerë politike, me qëllim që kjo amnisti të ketë jetëgjatësi, që subjektet e këtij ligji të kenë garancitë e duhura dhe jo që në një rotacion të pushtetit politik, një qeveri tjetër të veprojë në të kundër të këtij ligji. Amnistitë nuk bëhen çdo vit, për amnistitë mbyllet një kapitull dhe hapet një kapitull i ri. Kështu që, konsensusi politik që përfshin maxhorancën, opozitën joparlamentare, atë parlamentare, pa dyshim është një element shumë i rëndësishëm. Nuk mundet që të jetë 100%, por të jetë 80% apo 90%, por që kërkon një konsensus. Deri tani kemi, pavarësisht se nuk japin alternativë, kemi refuzim të amnistisë.

Së dyti, konsensusi i gjerë duhet të vijë me faktorët e interesit, komuniteti i biznesit, shoqatat e bankave, shoqëria civile, komuniteti i pedagogëve, i profesoratit të universiteteve, të cilët kanë përvojë dhe dije rreth kësaj çështjeje dhe pa dyshim që opsionet, propozimet, por dhe dyshimet e tyre duhet të konsiderohen nëse ato vijnë në ndihmë të ligjit.

Së treti, që është po kaq e rëndësishme, sa kohë që ne po asistohemi nga shumë reforma kryesore, asistohemi në Reformën në Drejtësi nga dy partnerët tanë kryesorë, SHBA dhe BE, dhe nga institucionet ndërkombëtare, nga FMN-ja veçanërisht, unë besoj se sugjerimet e tyre duhet patjetër të reflektohen në maksimum. Një konsultim paraprak me FMN-në është bërë, që mesa duket ka qenë shumë i rezervuar për këtë projektligj.

Partnerët ndërkombëtarë të BE-së dhe SHBA-së kanë shprehur rezervat e veta dhe sidomos për një ligj si ai i amnistisë duhet të mbyllë mirë shtigjet e krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe aseteve të paligjshme. Atëherë, ose këto reflektohen në ligj, ose ligji punohet dhe në një kohë të caktuar, kur rrethanat e këtyre fenomeneve janë të atilla që mund të lejojnë zbatimin e një reforme cilësore për amnistinë fiskale dhe penale, ato mund të jenë të pranueshme.

Po me procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme si po ecet dhe a e pengoi pandemia?

Procesi i rivlerësimit të pronave në Parlament mori një shtyrje të afatit dhe është në vijim në vendin tonë. Është një proces që i vjen në ndihmë qytetarit në radhë të parë, pavarësisht nga rrethanat dhe ndoshta me këtë ecuri që ka pandemia do të ketë nevojë për një shtyrje tjetër, për t’u dhënë mundësi qytetarëve ta realizojnë këtë shërbim që u ofron shteti sepse ka dobi të dyfishtë; i pari është qytetari, qoftë në Shqipëri dhe jashtë vendit dhe kur t’i krijohet mundësia të vijë ta bëjë atë; dhe së dyti, realizimi i të ardhurave shtesë buxhetore, kaq të nevojshme në këtë situatë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Panorama

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*