Vendosni fjalën kyçe....

Budina e dha shfaqjen në Presidencë pas mospërfilljes nga Rama, Meta nxjerr pamjet


Pasi kryeministri nuk i dha leje, Edmond Budina e vuri në skenë monodramën e tij “Profeti i kokoshkave”, në Presidencë.

Katër muaj pas shembjes së Teatrit, regjisori Budina i kërkoi kryeministrit të jepte një shfaqje në truallin e Teatrit të Shembur.

Por pasi kërkesa iu refuzua, ishte Presidenca ajo që hapi dyert për regjisorin dhe aktorin e njohur.

“Ne kërkuam ta jepnim shfaqjen në sheshin e Teatrit Kombëtar. Kërkova leje, meqë ata janë zotër të këtij vendi. Çdokush që mendon se unë bëra një gjest paqtues me Kryeministrin, duke i kërkuar leje, gabohet,.. sepse unë e dija që ai nuk do ta jepte këtë përgjigje, por doja të dilte në pah meraku i tij për artin. Ndaj, kërkova një vend tjetër për shfaqjen, një vend që të jetë i lirë, i pazaptuar nga PPP-të, i pazaptuar nga ky sekt që ka okupuar gjithçka dhe pa kërkuar leje prej tyre. Dhe i vetmi vend publik që është i lirë në Tiranë, është Presidenca e Republikës” – tha Budina.

Lidhur me shfaqjen, Budina ka shpjeguar: “Kjo nuk është një shfaqje kundër dikujt, është një monodramë satirë. “Profeti i kokoshkave”, është një njeri delirant, i mbyllur në bunkerin e tij që është i mbuluar me letra higjienike”.
Presidenti i vendit Ilir Meta, në një mesazh në rrjetet sociale ka komentuar sot shfaqjen e Budinës, duke thënë se “të protestosh me art ka qenë forma që ai ka zgjedhur”.

Meta deklaroi se institucioni i Presidencës do t’i ketë gjithmonë dyert e hapura, duke e konsideruar si një kështjellë të pamposhtur të lirisë, të drejtave të njeriut e demokracisë.

“Një mbrëmje artistike e paharruar dje në Presidencë, ku patëm kënaqësinë e veçantë të ndiqnim premierën e monodramës satirike “Profeti i Kokoshkave” të artistit tonë të shquar dhe regjisorit të mirënjohur, Edmond Budina.
Shumë i lumtur që kjo shfaqje e jashtëzakonshme teatrale, e lindur si shenjë proteste kundër shkatërrimit brutal dhe kriminal të Teatrit Kombëtar, mblodhi me dhjetëra artistë, profesorë, diplomatë, politikanë e gazetarë që gjithmonë do t’i kenë dyert e hapura në këtë institucion, kështjellë të pamposhtur të lirisë, të drejtave të njeriut e demokracisë, por edhe të mbrojtjes së artit dhe trashëgimisë kulturore kombëtare.”– thotë Meta.

Presidenti ka cituar dhe Budinën, duke thënë se magjia e Teatrit qëndron tek fakti se gjithkush gjen shëmbëltyrën e një diktatori në të. Ai thotë se protesta është qytetari.

“Profeti i Kokoshkave’ është një shfaqje kundër dhunës në përgjithësi dhe dhunës së pushtetit në veçanti, e frymëzuar nga protesta disa vjeçare dhe kauza mbarëkombëtare për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e kthyer tashmë edhe në çështje europiane.
Bashkëndaj plotësisht të njëjtin qëndrim me artistin tonë të mirënjohur Edmond Budina se:
‘Magjia e teatrit, qëndron edhe në atë, që gjithkush gjen shëmbëlltyrën e x-deliranti, pretendent – diktatori apo diktatori. Dhuna dhe prepotenca e pushtetit, pavarësisht ngjyrës, mbeten të patolerueshme, sado të përpiqesh t’i veshësh me petkun e ëndërrt të demokracisë.
Të protestosht me art, kjo është forma, që unë kam zgjedhur. Por ju mos harroni: PROTESTA ËSHTË QYTETARI!
MOS HARRONI TË PROTESTONI PËR TË DREJTAT TUAJA!” – shkruan Meta, i cili publikon dhe pamje nga shfaqja e Budinës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *