Templates by BIGtheme NET

Naftëtarët e Ballshit shfaqin problemet e para shëndetësore, grevës i bashkohen punonjës të Poçemit

Në ditën e tretë të grevës së urisë, është përkeqësuar gjendja shëndetësore e naftëtarëve të Ballshit.

Disa prej tyre kanë patur dhimbje koke, probleme me tensionin etj. Naftëtarët ankohen se edhe Spitali Ballshit nuk është interesuar për shëndetin e tyre.

Sipas “BalkanWeb”, një prej tyre është detyruar të lërë grevën për shkak të problemeve me diabetin.
Ai është zëvendësuar nga një tjetër naftëtar.

Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj tha se shumë prej naftëtarëve vuajnë nga sëmundje kronike.

“Sot është dita e tretë e grevës së urisë. Kanë filluar shenjat e para, dhimbje koke pasi një pjesë e naftëtarëve janë me probleme anësore. Dikush me diabet apo me zemër. Ambienti është i vogël. Ne do të vijojmë grevën derisa nuk ka asnjë reagim nga shteti. Ne në momentin që flasim duhet të ishim në punë. Në datën 7 i bie të marrim rrogën. Ku është pronari? Në kohë pandemie, kryeministri Rama iu drejtua pronarëve duke thënë që të shisnin vilat, makinat e byzylykët për të paguar punëtorët. Ne kemi një pronar, atë e di shteti. Nuk kemi probleme se kush është pronari. Të jetë kush të dojë, mjafton të mikëqyret nga shteti. Ne i drejtohemi shtetit që mos ta dalim në rrugë” -tha Dautaj për Report TV.

Ndërkohë, në mbështetje të protestës së tyre janë bashkuar dhe punonjës të Nënstacionit të Poçemit.
Ata pretendojnë se janë gënjyer nga qeveria në lidhje me pagat e tyre.

“Unë jam Arben Aliaj, jam ish-punonjës i nënstacionit të Poçemit dhe kam ardhur të mbështes grevën e naftëtarëve. Ata kërkojnë pagën dhe djersën e tyre. Të njëjtën kërkojmë dhe ne të nënstacionit të Poçemit, kërkojmë pagat e prapambetura. Si gjithë naftëtarët dhe ne jemi pjesë e uzinës. Kemi mbi 20 paga pa marrë. Ai objekt është i uzinës dhe sot kanë mbajtur vetëm disa prej punonjësve ndërsa të tjerët i kanë flakur në rrugë. Sot kam ardhur në mbështetje. Aktualisht jam papunë. Na kanë premtuar 7 paga ndërsa për të tjerat na thanë që do negociojmë por aktualisht nuk na kanë dhënë asgjë” – tha ish-punonjësi i Poçemit.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*