Templates by BIGtheme NET

Sigurimi, ky investim për të ardhmen

Nga Armelina Lila*

Gjurmët e politikave të shkruara të sigurimeve datojnë në antikitet, ndërkohë që  legjislacioni i parë i sigurimeve, rrënja e mbulimit modern të sigurimeve për mallrat dhe anijet, u miratua në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1601. Tregu i sigurimeve u zgjerua me shpejtësi gjatë shekullin të 20-të për shkak të zgjerimit në tregtinë botërore dhe shkallës në të cilën kompanitë e biznesit bëjnë investime jashtë vendeve të tyre të origjinës. Qenia njerëzore nuk mund të parandalojë të papriturat, por ndonjëherë përmes sigurimit mund të ndihemi të sigurtë, të paktën financiarisht. Pas kufizimeve globale si rezultat i Covid-19, Shqipëria hapi zyrtarisht kufijtë e saj në 1 korrik 2020 duke lejuar udhëtarët nga të gjitha vendet dhe kombet të hyjnë pa kufizime, ndërsa udhëtimi për në dalje mbeti shumë i kufizuar. 

Në rang global, për shkak te anullimeve industria e udhëtimeve ka humbur rreth 200 bilion dollarë dhe industria e hotelerisë rreth 150 bilion dollarë. Duke ju referuar legjislacionit në fuqi “Për Turizmin” citohet se “Organizatori i paketës së udhëtimit duhet të ketë një kontratë të sigurimit të detyrueshëm, e cila mbulon përgjegjësinë e tij për dëmet e shkaktuara si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve, përfshirë rastet e falimentimit”. Megjithëse ndërmarrjet e sigurimeve të udhëtimit në mbarë botën ofrojnë mbrojtje kundër anulimit dhe ndërprerjes së udhëtimit, udhëtarët shqiptarë janë të kufizuar vetëm në politikën e sigurimit shëndetësor dhe qëndrojnë të pasigurtë duke humbur një shumë të konsiderueshme parash si rezultat i mosmbulimit.

Në përputhje me periudhën e udhëtimit, me të drejtat themelore të lëvizjes së lirë që burojnë prej dokumentit ndërkombëtar të udhëtimit, pasaportës biometrike shqiptare konsiderohet një detyrim ligjor për çdo udhëtar, pajisja me sigurimin përkatës të jetës dhe shëndetit gjatë udhëtimit.

Referuar statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), por edhe në përputhje me politikat e sigurimit të detyrueshëm që ndiqen nga shteti shqiptar ka një përdorim më të vogël të paketave të sigurimit, në të gjitha kategorizimet, duke përfshirë sigurimin e jetës dhe sigurimet e tjera me objekt mbrojtjeje objektet e pronësisë, garancisë dhe shërbimeve. Sigurimi i ndërtesës ndaj të gjitha ngjarjeve të fatkeqësisë natyrore, përfshirë lëkundjet e tërmeteve është kaq vështirë i penetrueshëm në praktikën e politikave të sigurimit në Shqipëri, sa dëmet e shtetit shqiptar në rastin e lëkundjeve të nëntorit 2019 përafrohen me EURO 985.000.000.

Në një skenar të ngjashëm nëse do te përdoreshin paketat e sigurimit të ndërtesës, humbjet nga buxheti i shtetit do te ishin rreth 20% më pak. Në përmbushje të këtij gjykimi, pavarësisht pandemisë botërore të Covid-19 dhe shifrave zyrtare të larta të vdekshmërisë në Shqipëri verehet se ka një rënie në kurbën e kërkesës për sigurimin e jetës dhe shëndetit gjatë periudhës janar – korrik 2020. Nëse përqasja e konsumatorit shqiptar ndaj mbrojtjes financiare të politikave të sigurimit të shëndetit dhe jetës përbën rezistencë edhe në raste të forcave madhore siç është edhe Covid-19, do të ketë një përqasje më të ulët, në mos një përafrim inekzistent me politikat e sigurimit të anullimit të udhëtimit.

Shërbimet e sigurimit në të gjitha kategoritë shihen në politikat shtetërore si një element i rëndësishëm kontributi në nivel markoekonomik, por edhe një shërbim thelbësor që i ofrohet konsumatorit shqiptar. Kështu, në planin kombëtar për integrimin europian për periudhën 2019-2021 konsiderohet se aktiviteti i shoqërive të sigurimit deri në fund të gjysmës së parë të vitit 2018 ka shënuar rritje: aktivet e këtyre institucioneve shënuan rritje vjetore me 4.1%, në 30.5 miliardë lekë. Në Shqipëri numërohen 11 shoqëri sigurimi të liçencuara që kryejnë aktivitet të jetës dhe jo-jetës dhe 1 shoqëri risigurimi. Duke qenë se sherbimet e paketave turistike kërkojne një manaxhim të mirë të rriskut për shkak të elementëve gjithëpërfshirës organizativ, këshillohet blerja e një pakete sigurimi udhëtimi që përfshin anullimet dhe riprogramime të mundshme. Kjo konsiderohet e një rëndësie të veçantë sidomos në rastin aktual të kushteve virale pandemike të Covid-19.

Ne tregun e sigurimeve në Shqipëri ka një tendencë në transferimin e të drejtave të ushtrimit dhe shitjes se paketës së sigurimit ndaj anullimit të udhëtimit palëve të treta, sidomos gjatë përdorimit të rrugëve ajrore. Konsumi për frymë i produkteve sigurative në Shqipëri është më i ulëti në rajon, çka sjellë një penetrim minimal të produkteve të sigurimeve në ekzigjencat e shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Ky fakt lidhet me mungesën e traditës dhe kulturës sigurative të popullatës, ndaj shihet e nevojshme të bëhen fushata kombëtare njohjeje me sistemin financiar dhe atë të sigurimeve në veçanti, edukimi dhe informimi nga mekanizmat dhe strukturat publike dhe private që e kanë objekt te veprimtarisë së tyre.

Në një shqyrtim të paketave të sigurimit të ofruara online nga agjencitë e sigurimit më të mëdha në vend, pavarësisht njohjes ligjore që i  bëhet paketës së sigurimit të udhëtimit nga anullimet e mundshme, asnjë prej këtyre kompanive nuk parashikon shitjen e këtij shërbimi.

Në përpjekje për të minimizuar humbjet si dhe që të sigurohet një klimë e sigurtë për konsumatorin shqiptar, por edhe atë të huaj që viziton Shqipërinë, konsumatorët duhet të orientohen drejt përdorimit të paketave të sigurimit të udhëtimit. Fillimisht duhet të konsiderohen përmirësime ligjore dhe një ndërveprim më i mirë mes sektorit publik dhe privat duke synuar që këto shërbime të bëhen të aksesueshme. Me pasojat ekonomike në buxhetin e shtetit shqiptar prej karantinimit ekonomik së fundmi konsiderohet shumë e rëndësishme për konsumatorin një çmim që në raport me të ardhurat vjetore të konsiderohet i përballueshëm. Kushtet kontraktuale të sigurimit duhet të hartohen në përputhje me parimet e mbrojtjes së të drejtës së konsumatorit, por edhe me përmirësimet e mundshme që derivojnë prej legjislacionit të Bashkimit Europian.

Padyshim, situata e kufizimeve të udhëtimit do të mbarojë një ditë, kështu që në të ardhmen duhet të sigurohen instrumentet e duhura për të mbrojtur së pari konsumatorët dhe më pas interesat e kompanive që ofrojnë shërbime të udhëtimit dhe turizmit.


*Pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*