Vendosni fjalën kyçe....

Babai hedh dyshime për mjekim të gabuar të dy fëmijëve të tij te Pedriatia: Më ndihmoni! (VIDEO)


Një baba i dëshpëruar për fëmijët e tij të sëmurë, kërkon ndihmë nga ministrja e Shëndetësisë dhe shqiptarët për të shpëtuar jetët e tyre.

Lulzim Miraka babai i dy fëmijëve të sëmurë, 13 dhe 15 vjeç tregon se prej më shumë se 10 muajsh endet dyerve të spitalit të QSUT-së, pasi të dy fëmijët e tij janë diagnostikuar me një sëmundje të rrallë në veshka dhe duhet të kryejnë transplant.

Në një intervistë për Fax News, ai ka treguar gjithë peripecitë që ka kaluar në 9 muaj. Ai thotë se fëmijët e tij nuk kanë patur asnjë shenjë të sëmundjes së veshkave, e megjithatë doktorët këmbëngulin se ata kanë nevojë për transplant.

Por prej disa ditësh mjeku i kërkon Lulzimit të largohet nga spitali bashkë me djalin. Për djalin i thuhet se ka probleme, por do të kryhet më vonë ndërhyrja.

“Quhem Lulzim Miraka, jam babai i tre fëmijëve. Nga 8 janari i këtij viti kam shtruar dy fëmijët në spitalin pediatrik me probleme në veshka. Në fillim solla vajzën.
Që ditën e parë më thanë që duhet ta kalosh në dializë dhe të jetë kandidate për transplant.
Nuk pranova për dializë në fillim, pas 15 ditësh kam lexuar diçka mbi problemin e veshkave në një gazetë dhe ia çoj doktorit. Dhe i them se me ato shenja, duhet të ketë temperaturë të lartë pa shkak, tension të lartë pa shkak, fryrje këmbësh, urinim të shpejtë, fryrje barku… I them se vajza nuk i kishte këto shenja. Vajza erdhi em anemi të theksuar faktikisht. I them si shpjegohet. është rasti i parë thotë që më ndodh në 25 vjet punë. Po diskutonim me doktorin nëse është gjenetike kjo, i bëmë të gjitha analizat. Të miat, të gruas, të djalit tjetër të madhit, edhe djalit tjetër, të babait. U hodh poshtë kjo ide.
Sjell edhe djalin më mbrapa, jo në nivelet e vajzës. Analizat treguan se dhe djali kishte një rritje jo të madhe të vlerës së veshkave dhe sjell dhe djalin për kurim. Më thanë se djali nuk shkon për transplant, mund të kurohet. Pati përmirësime djali. Kam dalë në datën 19 mars, si pasojë e Covidid. Dhe ika në shtëpi, morëm disa kura. Kanë kushtuar në 100 mijë lekë në javë. çdo javë, çdo 10 ditë duhej të bënim analiza për të parë ecurinë. Si bëmë kura si nuk bëmë, s’ka patur ndryshim. Kaloi Covidi, kërkova dhe ndihmë tek të tjerët se e kisha të pamundur t’i përballoja të gjitha shpenzimet.
Më 6 gusht jam shtruar përsëri me të dy fëmijët këtu në Tiranë tek Pediatria. Kisha tre javë që si kisha bërë analiza fëmijëve. Më thanë që duhet t’i shtroj të dy fëmijët e se vajza se s’bën duhet të kalojë në dializë, të bëjë dhe një kosultë më shumë. Pranova se do vija se s’bën për transplat. I kuruan një javë a 10 ditë e pastaj më thanë që ta kaloja vajzën në dializë se s’bën. Ka gati një muaj që po bën dializë, por dializa e ka shkatërruar më shumë, jo se e ka përmirësuar. Më bënë edhe letrat gati për transplant për vajzën. Doktori bëri kërkesën në ministri, ministria dha okej që jepet fondi. Do të jetë bërë ditën e premte pasdite, ditën e hënë më kanë thënë që është gati.
Operacioni për vajzën do të bëhet në spital privat, kurse për djalin më thanë që dhe djali duhej për transplant. Vajzës veshkën do t’ja japë nëna, ndërsa djalit do t’ja jap unë.
Datë ende nuk më kanë lënë. Me përafërsi brenda tetorit.
Më kanë thënë shiko në vend tjetër që ta kurosh, mos shiko për transplant.”– tregon zoti Miraka.

Babai tregon se ka patur debate me doktorin që i ka kuruar djali, për shkak se atij i është ndërprerë kura ndërkohë që vijon ende të qëndrojë në spital. Mes lotësh ai tregon se është torturuar dhe se dyshon se fëmijëve të tij nuk u është bërë kura e duhur.

“Kur i kam kërkuar doktorit pse ma ndërpreve kurën për djalin, pastaj arritëm deri në atë më kërkuan që djali të dilte nga spitali se joja paska mbushur moshën 15 vjeç. Por djali 15 vjeç ishte kur u shtrua, 15 vjeç është edhe tani. I them më jep një fletëdalje si e ke kërkuar, pse e ke kuruar dhe sa e ke kuruar por më thotë s’ta jap kurrsesi. Djali ka marrë kura vetëm 12 ditë dhe 40 ditë ka ngrënë më falni për shprehjen vetëm fasule Tirana. Meqë vemi për transplant i kërkoj mi bëni dhe letrat e djalit. Pse s’mi bëjnë? Por më thonë nxirre djalin. Djali nuk më ka sjellë asnjë shqetësim, asnjë dhimbje. Nuk ka asnjë shenjë, thjesht ka rritje të vlerës së veshkave. Të tjerët kishin shenja, fëmijët e mi për 9 muaj nuk kanë patur asnjëherë sikur edhe një herë nga këto.
Unë prap dyshoj se fëmijët e mi ende kurohen megjithëse po shkoj. Unë prap dyshoj se nuk është bërë kura e duhur, por shpresoj se fëmijët e mi kurohen. Ndoshta jo këtu. Unë nuk kam mundësi vetë sepse kam dy fëmijët këtu për të mbajtur, kam djalin në shkollë të lartë, kam babanë 78-vjeç e kam lënë vetëm atje. Të gjitha janë shpenzimet që duhet të mbaj. Jam torturuar.”– vijon zotëria.

Ndërkohë djali vetë, tregon se e kanë paralajmëruar se do të ndërhyjë dhe policia për ta nxjerrë nga spitali.

“Po bëj 30 ditë që nuk marr ilaçe. Nuk kam bërë analiza. Vetëm çfarë bëj për të shikuar këto të gjakut. Jam në një dhomë me motrën. Nuk është dhe aq mirë. Dil më thanë se do të vijë policia, duhet të dalësh nga spitali”.– rrëfeu djali.

I përlotur, zoti Miraka thotë se nuk ka mundësi ekonomike të përballojë shpenzimet për trajtimin e dy fëmijëve. Ai vazhdon të thotë se edhe pse ka dyshime, nuk ka zgjidhje tjetër vetëm të besojë doktorin pasi mundësitë për t’i trajtuar fëmijët në vend tjetër janë zëro.

Ai tregon se i ka shkruar edhe psresidentit Ilir Meta si dhe ka komunikuar me ministrin Pandeli Majko, por nuk ka marrë përgjigje nga asnjë.

“Kam pasur një konsultë, e kam pyetur doktorin çfarë ndodh me transplantin. Meqë ne nuk e gjejmë kurimin, më ka thënë ti do shkosh në transplant se nuk ke zgjidhje tjetër. Por më thotë edhe mund të ndodhë që pas një viti, veshka të ketë probleme. Unë e kam fëmijë, do jepja jetën për ta, edhe një veshke të kisha do ta jepja. Unë po pranoj transplantin.Unë zgjidhje tjetër nuk kam sepse nuk kam mundësi.
Mundësia ime është 0.
Për gjithë këtë problem i kam shkruar në Facebook presidentit dhe nuk më kanë kthyer përgjigje. Dëgjova që bënte Padndeli Majko takim në njësinë 5. I qava hallin tim. është çuditur. Më ka thënë do marr ministren në telefon. Nuk ka kthyer përgjigje më njeri. Në spital nuk më ka kontaktuar njeri deri më tani.”– tregon babai i tre fëmijëve, dy prej të cilëve i ka të sëmurë.

Në fund, Lulzim Miraka ka një apel për ministren dhe për të gjithë shqiptarët që t’i vijnë në ndihmë, pasi ai ende beson se fëmijët e tij mund të kurohen në një vend tjetër.

“Po i them ministres të më ndihmojë se ende mendoj se fëmijët e mi kurohen. Të vijë ta konfirmojë se djali im ka bërë vetëm 12 ditë kura dhe rri 50 ditë.
Rri përjashta vet sepse nuk më pranojnë prej Covidit. Fëmijët i kam brenda dhe po u them se lahen me ujë të ftohtë brenda në spital. Të vijnë ta konfirmojnë, se unë ende besoj se fëmijët e mi ende kurohen. Të më ndihmojnë diku në vend tjetër. Unë kam dyshimet e mia, s’e hedh dot doktorin poshtë. Por dyshimet e mia ngelen dyshime. Kjo ndërprerje kure, gjithë ky debat që ju tregova për doktorin. Që më thotë është rasti i parë. Të gjitha këto më bëjnë të mendoj se fëmijët e mi kanë diçka tjetër dhe të kurohen. Ju lutem me shpirt çdo shqiptari, çdo prindi të më ndihmojë, të më ndihmojnë sadopak që të kurohen fëmijët. Se ende besoj se fëmijët kurohen.”- lutet zoti Miraka.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *