Templates by BIGtheme NET

Zoran Zaev kundër mbylljes së dytë në Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev është shprehur kundër një mbylljeje tjetër të shtetit në mbrojtje të COVID-19.

Siç shkruajnë mediat në Maqedoninë e Veriut, Zaev tha se ora policore dhe karantina do të jenë opsionet e fundit ndaj valës së re të pandemisë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve t’i respektojnë masat mbrojtëse në mënyrë që të mos përkeqësohet situata për skenarin më të keq shëndetësor dhe ekonomik.

“Të gjitha sugjerimet e reja të KSI-së do t’i respektojmë, por unë personalisht nuk jam mbështetës i një ‘lock down’ apo të mbylljes së plotë. Nuk përkrah as orën policore, por mbështes çdo nismë të parandalimit të përhapjes së mundshme të infektimeve. Qeveria ka mekanizma, nuk është vetëm gjendja e jashtëzakonshme apo ligji. Kemi mundësi të shpallim gjendje krize sipas ligjit përkatës të mikro-regjioneve, regjioneve apo të gjithë shtetit”-tha Zoran Zaev, citon Alsat.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Komisioni i Sëmundjeve Infektive diskutoi për masa të reja shtrënguese kundër Covid-19. Është shqyrtuar mundësia e kufizimit të kapaciteteve në transportin publik dhe kufizimi i punës së operatorëve ekonomik. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se gjatë fundjavës do të analizohet pasqyra epidemiologjike në vend dhe në rast se trendi i rritjes së rasteve të reja vazhdon, fuqizimi i masave do të propozohet nga dita e hënë.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*