Templates by BIGtheme NET

Si e flakën në rrugë Arben Frashërin

Nga Ferdinand Dervishi

Dhe vjen një kohë… kur Banda e Beratit hedh Arben Frashërin në rrugë

Në mbyllje të vitit të largët 1999, I. Z., një nga drejtuesit e Interpol Tiranës, me një shkresë sekrete në duar, udhëtonte në drejtim të Beratit. Ishte një e dhënë që mund të çonte në arrestimin Kastriot Jaupit, një prej krerëve të Bandës së Beratit, që kishte sfiduar shtetin duke vënë në shënjestër për të vrarë të gjithë ish-krerët e Policisë së Beratit të vitit 1997, Drejtorin Mithat Havari, Nëndrejtorin Gani Malushi, shefat e krimeve Ilir Ngresi e Osman Qystri, inspektorin e krimeve dhe më pas shef, Arben Frashëri.

Kastriot Jaupi për pak ju fut në zyrë Mithat Havarit, kur ky ishte Drejtor i Policisë Ndërtimore. Ilir Ngresin e vrau. Fillimisht e plagosi, në Fier, më 7 shtator 2000 dhe më pas, në Vlorë, më 30 dhjetor 2000, e ekzekutoi. Arben Frashërit i shkuan te shtëpia (Dritan Zhuka, një killer i dërguar nga Jaupi), por inspektorin e krimeve, atë mbrëmje, fatmirësisht, po e shoqëronte një automjet i policisë.
I. Z., funksionari i Interpol Tiranës nuk e gjen Drejtorin e Policisë së Beratit në zyrë. Mëson se është duke drekuar në një restorant. Shkon, por nuk u beson syve. Në restorant, Drejtori po hante e pinte rrëkëllyer në shoqërinë e Kastriot Jaupit.

Pak kohë më pas, Kryeministri i kohës, Ilir Meta do ta përjashtonte Drejtorin e Beratit nga policia duke e konsideruar bandit e shtuar në formulimin e vendimit: “të mos kthehet më kurrë në Policinë shqiptare”.
Vitet kalojnë. Dikush shpik veting në polici. Një turmë shqiptarësh të pavetinguar dhe që në aparencë nuk i japin llogari askujt për vendimet e tyre, pa pasur asnjë haber nga historiku i policisë shqiptare, përzgjidhen të vetingojë këtë polici.
Përfundimi: Arben Frashëri, një nga ekspertët më të mirë të policisë shqiptare, sipas këtij komisioni duhet të largohet sepse nuk justifikon një banesë në Tiranë dhe, kjo është më e forta: se nuk ka nivel të besueshëm në kontrollin e figurës.

E pra komisioni ka ngrënë për të vërtetë një biografi që drejtori i shkarkuar me gërrnetë i Policisë së Beratit kishte hartuar për Arben Frashërin, në kohën kur ky, i lënë në mëshirë të bandave, kërkonte të largohej nga Berati. Ishte një biografi e nxirë, ku mes të tjerave Arben Frashëri akuzohej për kontrabandë nafte. Një biografi që ka shumë të ngjarë të jetë ndërtuar në prani të vrasësit të policëve, Kastriot Jaupi.

Por edhe pse kjo biografi hetohet me kujdes, madje për disa muaj me radhë, nuk e ndalon dot Arben Frashërin të niste punën në Policinë e Tiranës dhe më tej të ngjiste shkallët e karrierës. Duket në atë kohë Banda e Beratit nuk kishte fuqi më tepër se kaq. Po tani?

Por le të kthehemi te pasuria. Pas një “pune kërkimore shkencore” prej 60 faqesh, KJV del në përfundimin se Arben Frashëri nuk e justifikon dot banesën e vetme në Tiranë. Komisioni nuk i ka njohur Arben Frashërit, një heroi të policisë, të hollat e sjella nga puna, bashkë me të shoqen, si emigrantë në Greqi. Ndërkohë që i njëjti komision, Alban Laska – Kryesues, Mirela Ujkani (Miti), dhe Artur Baku – Relator (kundër), duke punuar me dy standarde, ja kanë njohur të hollat e sjella nga emigracioni Artan Shkëmbit, ish-drejtorit të OFL, që tashmë akuzohet se i ka shitur krimit sekrete hetimore, duke “legalizuar” e justifikuar disa banesa të tij.

Arben Frashërit nuk i janë njohur të hollat me të cilët ka blerë një banesë të vetme, edhe pse bëhet fjalë për një pronë të blerë me kursimet e një jete, nisur nga kohët e komunizmit. Edhe pse, dikur, kur ai shërbente në Tropojë, Artan Hoxha do të firmoste një shkrim me titull: “Arben Farshëri, polici që paguhet më tepër se Presidenti”. Ndërkohë, duke punuar me dy standarde, KJV ka njohur një banesë 140 m/katror të Ardi Veliut, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të përfituar me të ardhura që deklarohen nga viti 2016 (4 vite punë).

Por dashakeqësia shkon përtej çdo lloj logjike, kur Komisioni konstaton fshehje pasurie për një ndërtesë pa asnjë lloj dokumenti shoqërues në pronësi të ish-degës së Punëve të Brendshme (magazinë e ndarë për policët e pastrehë) dhënë Arben Frashërit më 1991 dhe, pas largimit të tij më 1998, dhënë një tjetër polici. Për këtë ndërtesë KJV ka zbuluar se energjia dhe dritat janë paguar, për një kohë, në emër të Arben Frashërit edhe pas largimit të tij!? Madje kjo shënohet si fshehje pasurie edhe pasi Frashëri sjell një varg dokumentesh (Drejtori Policie, Bashki, hipotekë) se nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë pronë.

Gjithashtu Arben Frashëri akuzohet për mosdeklarim të pjesës takuese të një banese në Berat, pas vdekjes së prindërve, të cilën ai dhe motra ja dhurojnë të vëllait që jetonte me prindërit… Po kështu komisioni ka quajtur të padeklaruar një copë pylli 600 metër/katror në Bënjë të Përmetit (prejardhja e Arben Frashërit), e cila nuk i është kthyer, pra nuk është bërë pronë e tij. E këtu pyetja që lind; a është pasuri diçka që nuk e posedon? – është për të zbavitur fëmijët.

Komisioni ka gjetur edhe ca yçkla të tjera, për ca makina rrangallë që kanë pasur djemtë e tij, por me këto nuk ja vlen të merresh. Përfundimisht, se kështu e shkruan dhe Komisioni, në fund të mandatës, edhe mund të ishte shkruar: Ligji në dorën e Maliqit është edhe kështu; fërkim i lehtë në kokë një të akuzuari për lidhje me bandat – Artan Shkëmbit, edhe kështu – plumb ballit një heroi të policisë shqiptare – Arben Frashërit. Plumb ballit edhe me ndihmën e një investimi të vogël, në vitin 1999, nga Banda e Beratit.

*Reagim pas publikimit të vendimit të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit për pushimin nga puna të Arben Frashërit

 

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*