Vendosni fjalën kyçe....

Meta i drejtohet Venecias me 8 pyetje për ndryshimet kushtetuese e Kodin Zgjedhor


Presidenti Meta ka shpjeguar sot pyetjet që i ka drejtues Komisionit të Venecias lidhur me ndryshimet kushtetuese të bëra së fundmi nga parlamenti lidhur me Kodin Zgjedhor e zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Ai i shtjelloi ato gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në presidencë.

Më poshtë janë pyetjet që kreu i shtetit i ka dërguar Venecias për një opinion.

  1. A mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë
    konkurrencën zgjedhore, veçanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në
    mandate midis konkurrentëve, pasi të ketë filluar procesi zgjedhor, dhe vetëm 6 muaj para
    datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe
    njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhorë mjaftueshëm kohë përpara zgjedhjeve, për vet
    cilësinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve?
  2. Nëse rregullat, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me transformimin e votave në mandate midis konkurrentëve, ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër datës së zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë avantazh për partinë që ka paraqitur ndryshimet, a dëmtojnë ose ndikojnë këto ndryshime parimet e qëndrueshmërisë së ligjit, sigurisë juridike dhe rregullave të barabarta të lojës (konkurrimit), të cilat janë kyçe për të përmbushur angazhimet e OSBEsë për zgjedhje demokratike? A e komprometojnë këto ndryshime procesin zgjedhor ? A e kompromentojnë ato gjithashtu stabilitetin politik nëse bëhen në kundërshtim me konsensusin e 24 janarit dhe 5 qershorit të arritur nga shumica e partive politike?
  3. A shkelet përfundimisht parimi i garancive procedurale nëse ndryshime të tilla në ligjin
    zgjedhor të miratuara njëanshmërisht dhe me nxitim bëhen në mungesë të një Gjykate
    Kushtetuese funksionale e cila mund të kontrollojë pajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut?
  4. Ndërsa ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor të 30 korrikut dhe 5 tetorit nuk ishin pjesë e rekomandimeve të hershme të OSBE/ODIHR për Shqipërinë, a është
    procedura urgjente një motiv i ligjshëm për të justifikuar ndryshimet e njëanshme nga një
    Parlament i kontestuar, që nuk ka kuorumin kushtetues prej 140 deputetësh? A kishte ndonjë nevojë shtrënguese sipas standardeve ndërkombëtare për t’i modifikuar ato në mënyrë të njëanshme?
  5. A është dispozita e futur rishtazi në Kodin Zgjedhor, për të drejtën e Kryetarit të një partie
    politike për të kandiduar në 4 qarqe zgjedhore, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe veçanërisht me parimin e mos-diskriminimit midis kandidatëve dhe votuesve?
  6. A e pengojnë rregullat aktuale në fuqi për mbledhjen e votave dhe shndërrimin e tyre në
    mandate midis konkurrentëve, veçanërisht ato në lidhje me koalicionet zgjedhore dhe
    formulën përkatëse për ndarjen e mandateve, futjen e listave të hapura për përzgjedhjen e
    kandidatëve nga votuesit? Në rast se legjislacioni miraton listat e hapura, ndërsa mekanizmi ekzistues i koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve për koalicionet mbeten ashtu siç janë aktualisht në fuqi, a do të ishte legjislacioni përkatës shqiptar në përputhje me angazhimet e OSBE-së?
  7. A i dëmton të drejtat e partive politike dhe elektoratit të tyre, imponimi i njëanshëm i
    ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në lidhje me koalicionet parazgjedhore për të kandiduar me
    një listë unike? (vota e barabartë e kandidatëve të partive të ndryshme politike brenda një
    koalicioni; e drejta e përfaqësimit ligjor për të mbrojtur interesin e tyre gjatë procesit
    zgjedhor; e drejta për kohën e transmetimit dhe qasja në media; e drejta e përfaqësimit në
    komisionet vendore zgjedhore; e drejta dhe transparenca e financimit)?
  8. Duke patur në konsideratë situatën, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të siguruar një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet europiane për zgjedhje demokratike dhe të dakordësuara nga të gjithë aktorët kryesorë politikë dhe subjektet zgjedhore, në mënyrë që të shmanget një krizë tjetër zgjedhore dhe politike?

*Qëndrimin e plotë dhe kërkesën e Metës drejtua Komisionit të Venecias e lexoni këtu: Kërkesa drejtuar K.Venecias 21.10.2020


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *