Templates by BIGtheme NET

Një bravo për Ilir Metën

Nga Klodian Tomorri

Parashtrimi juridik që Zyra e Presidentit i kishte bërë kthimit të ligjit për metrologjinë është një nga argumentimet më të mira ligjore që kam parë të dalë nga zyrat e shtetit. Me shuma gjasa maxhoranca do ta rrëzojë dekretin në seancë dhe do ta kalojë sërish ligjin, por juristët e Presidencës kanë ekspozuar publikisht të gjitha hilet djallëzore të një ligji, i cili është korruptiv deri në perversitet.

E vërteta është se ligji i ri për metrologjinë, de facto i çel rrugën dhjetëra koncesioneve të tjera të fshehta, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe duke anashkaluar ligjin e koncesioneve. Për ta thënë më thjesht, nëse ky ligj miratohet, nga nesër çdo shërbim metrologjik mund të jepet me koncesion pa garë, pa ju bindur ligjit të koncesioneve, por thjesht dhe vetëm me firmën e drejtorit të përgjithshëm të metrologjisë.

Më thjesht akoma, nëse ky ligj miratohet, nga nesër mund te kemi koncesion për mbikqyrjen e bombulave të gazit, koncesion për kandarët e dyqaneve, për peshoret e bukës dhe çdo gjë tjetër, vetëm me firmën e drejtoreve të inspektoriateve. Ky është një ligj i rrezikshëm.

Por krijimi i shtratit për të koncesionuar masivisht shërbimet metrologjike, nuk është qëllimi i vetëm djallëzor i ligjit. Qëllimi tjetër i tij është të sjellë në shina ligjore, një paligjshmëri të madhe dhe flagrante që qeveria ka berë dy vjet më parë. Bëhet fjalë për koncesionin e pompave të karburanteve.

Kontrolli i pompave në stacionet e karburanteve është aktualisht shërbimi i vetëm metrologjik i dhënë me koncesion tek privati. Por ky koncesion ka një cen të madh ligjor. Ligji ekzistues për metrologjinë në nenet 8 dhe 40 thotë shprehimisht se shërbimi i kontrollit të instrumenteve matës kryhet ekskluzivisht nga Drejtoria e Metrologjisë dhe mund të transferohet tek privati vetëm nëse kjo drejtori nuk ka mundësi.

Përmes ligjit të ri qeveria kërkon të amnistoje veten nga shkelja e ligjit, por jo vetem kaq. Në Parlament një grup deputetësh të maxhorancës me në krye Ilir Beqjan propozuan dhe miratuan një tjetër nen djallëzor. T’i japin të drejtën privatit të rrisë frekuencën e kontrolleve pa tavan dhe rrjedhimisht edhe faturën që duhet të paguajnë qytetarët shqiptarë në çmimin fundor të karburantit.

Ky është një ligj i bërë thjesht dhe vetëm për interesa private. Kur unë e denoncova këtë publikisht disa javë më parë, zoti Beqja replikoi në distance duke aluduar se isha paguar nga shoqëritë e naftës. Në fakt shoqëritë e naftës janë më të interesuarat që ai ligj të kalojë sepse kështu mund të bëjnë pazare me koncesionarin në kurriz të qytetareve, pasi ligji e nxjerr totalisht jashtë loje kontrollin shtetëror. Sot më duhet t’i paraprij një tjetër akuze të mundshme. Nuk jam paguar nga Presidenti. Por sërish dua t’i them një bravo të madhe Ilir Metës.

 

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*