Templates by BIGtheme NET

SA SHQIPTARË PO VRET REALISHT COVID-I?

Nga Erion Dasho

Pasi prej muajsh “masave” të qeverisë kundër COVID-it u ka dalë keq boja, “argumenti” i fundit që ka ngelur në gojën e demagogëve është numri i vdekjeve për banor, i cili sipas tyre e rendit Shqipërinë midis vendeve të suksesshme.

Si qëndron e vërteta?

Me 205 vdekje për 1 milion banor, Shqipëria renditet në vendin e 56-të nga 220 vendet që raporton një nga websitet më të besueshme që e ndjek pandeminë prej ditës së parë.

Së pari, kjo renditje nuk është se flet për ndonjë sukses të veçantë, por së dyti, situata reale paraqitet shumë më keq se kaq.

Pse?

Sikundër Shqipëria rezultoi para disa javësh një nga vendet me shëndetësinë më të mirë në botë bazuar mbi shifrat e raportuara nga vetë “ustallarët” tanë, edhe kjo renditje bazohet mbi shifrat që raportojnë ministria dhe komiteti ynë.

Sa të besueshme janë ato?

Aspak! Sepse mungojnë të paktën tre kategori personash që humbin jetën nga COVID dhe nuk raportohen në deklaratat zyrtare:

  1. Personat e shtruar në spitalet COVID me rezultat testi fals negativ

Këta persona vijnë aq vonë në spital, sa rezultati i testit u del negativ megjithëse janë qartazi të prekur nga COVID. Një pjesë e tyre humbin jetën, por nuk raportohen. Midis tyre ka patur raste të njohura si p.sh. mjekë që kanë humbur jetën, familjarë të pacientëve që kanë folur në media apo rrjete sociale, çertifikata vdekjeje që janë bërë publike, etj.

Në rastin e mjekëve vetë ministrja ka publikuar statuse ngushëlluese duke përmendur COVID-in si shkak vdekje, por deklarata zyrtare nuk i ka përfshirë mjekët në fjalë.

Në rastin e personave që nuk janë mediatizuar, janë tre miq personalë që kanë humbur jetën nga COVID dhe nuk janë raportuar. Jam i sigurt që çdo shqiptar mund të përmendë të paktën një të afërm apo të njohur që ka vdekur nga COVID dhe nuk është raportuar.

Efekti i këtyre vdekjeve do të ishte rrënues për statistikat zyrtaret, pasi vetëm në një ditë ku informacioni ka rrjedhur nga një prej spitaleve COVID, vdekjet ditore kanë qënë 12, por të raportuara zyrtarisht kanë qënë vetëm 2!!!

  1. Personat që humbin jetën në shtëpi apo pas daljes nga spitali “të shëruar”

Edhe këto raste janë bërë të ditur nga rrjetet sociale apo media. Ndonëse me një numër miqsh të kufizuar (rreth 5,000 aq sa të lejojnë rrjete të caktuara) personalisht dëgjoj çdo ditë për vdekje midis familjarëve dhe miqve të miqve. Besoj se nuk jam i vetmi! Kaq mjafton që numrat ditorë të raportuar të vdekjeve të rriten edhe më tej.

  1. Një kategori ndoshta më e vogël se dy paraardhëset, por që po rritet ndjeshëm është ajo e personave të shpallur pozitivë pas vdekjes. Çdo ditë dëgjon për raste të tilla. Përgjigjet e testeve vijnë me ditë deri në një javë vonesë dhe kjo bën që numrat zyrtarë sërish të rrudhen artificialisht.

Duke korrigjuar për këta faktorë, numri real i vdekjeve nga COVID në Shqipëri do të ishte të paktën 2 deri 3 herë më i lartë se ai që raportohet.

Në se do ta llogaritim me 400 vdekje për 1 milion, Shqipëria kalon direkt në vendin e 30-të në botë dhe të 16-të në Europë, kurse me 600 vdekje për 1 milion, në vendin e 18-të në botë dhe të 9-in në Europë.

Për ta hetuar pak më thellë këtë situatë, po analizoj se ku qëndron baza e manipulimit.

Baza e manipulimit është pa dyshim testimi, indikatori me të cilin nuk mashtrohet dot dhe bazuar mbi të cilin Shqipëria që kur ka nisur epidemia dhe deri sot qëndron e konsoliduar në vendin e fundit në Europë.

Në se nuk teston, nuk zbulon dot as raste të sëmurësh dhe as të vdekurish! Në se Maqedonia dhe Serbia testojnë 3 herë më shumë se ne, kurse Gjermania 6 herë më shumë, është logjike që edhe rastet që ato zbulojnë të jenë shumë më të larta në numër! Rrjedhimisht, edhe vdekjet!

Pehlivanët e ministrisë dhe komitetit kanë bërë çdo përpjekje për të mos testuar, sepse testimi nxjerr në dritën e diellit petët e lakrorit të prishur rilindas. Edhe sot përfaqësues të caktuar të komitetit flasin dhe argumentojnë paturpësisht se testimi është i panevojshëm.

Gjatë pandemisë ka patur momente qesharake kur persona që as nuk e kuptojnë rëndësinë klinike të testimit për të shpëtuar jetët njerëzore, siç janë kryeministri dhe ministrja e financave, kanë arritur të përfshihen në debat dhe të deklarojnë se testimi është i panevojshëm

Si përfundim:

Sukseset imagjinare të skënderbeve të mëdhenj e të të vegjël shqiptarë në luftën kundër COVID janë vetëm në 3D!

Nuk ekziston asnjë aspekt i kontrollit të pandemisë me të cilin demagogët tanë mund të mburren! Aq më pak vdekshmëria!

Në realitet, shqiptarët e lënë në mëshirën e virusit po sëmuren dhe humbin jetën me ritme nga më të lartat në Europë dhe në botë! Vetëm se këto shifra fshihen dhe manipulohen!

Koha për veprim është tani me qëllim që të shmanget sa nuk është vonë një dimër vrastar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve!

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*