Templates by BIGtheme NET

I paharruar kujtimi i shokut Enver!

Nga Gjergj Luca

Tirona jonë mbeti pa opozitë, Ver Llapa na la, ose si i kemi pasur thënë dikur, shoku Enver.

Në ato kohë kur në rrugët e Tiranës nuk shihnim lypsa se ishte jashtë moralit komunist ose nuk kishe kujt i lypje, në rrugë të Kavajës ose te kryqëzimi i 21 Dhjetorit shihnim një djalë të madh 2 metra me një dorë si lopat dhe me një llapë si velë anije, ky ishte Ver Llapa, kur na shihte na thërriste e na gjimonte duke kërkuar 10 lekësha “Ej Gimo m’jep 10 lekë, Luce se sharrova me hëngër, m’jep 10 lekë, ej Nesto do të thyj xhamat e shtëpisë”, e kështu me radhë.

Sa herë kalonim e shihnim Verin o do t’i jepnim 10 lekëshin, o do ndërronim rrugë. I vetmi ngushëllim i joni në atë kohë në Tiranë ka qenë gota, fillonim me fërnet në mëngjes që ja kishim vu emrin mazut dhe nga ora 11-12 mazuti kishte bërë punën e vet dhe ne u trimëronim dhe fillonim shanim me gjysmë vokali duke parë rreth e përqark mos na dëgjonin.

Ndonjëherë në momentet kulmore të avujve të alkoolit në ndonjë tavolinë me ngjyra si Gim Rada, Genc Dashi, un, Geni që kishte pseudonimin Profesori, etj, kalonte shpëtimtari jonë, ky ishte Ver Llapa.

Ne dilnim si të çakërdisur nga lokali dhe gërthisnim të gjithë në kor, o shoku Enver, o shoku Enver, o shoku Enver! Britmat tona kalonin në ulërimë dhe çjerrje dhe ne shkarkonim dufin tonë dhe u çlironim, Veri i shkretë ikte me vrap nga klithmat tona dhe ne i ktheheshim gotës duke bërë gëzuar për të vetmin opozitar të asaj kohe, Ver Llapën.

Me thënë të drejtën shoku Enver si opozitar qëndroi me dinjitet dhe këtë kohë. Më vjen keq për Tiranën time, shumë nga shokët e mi janë jashtë, unë u bëra katundar, Veri na la e Tirana mbeti pa opozitar.

I pa haruar kujtimi i shokut Enver.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*