Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi për vdekjet nga Covidi, mjekët paralajmërojnë Bashën: Nëse e përsërit thërrasim Prokurorinë


Mjekët të cilët janë në vijën e parë të luftës me Covidin në vendin tonë, kanë reaguar lidhur me denoncimin e bërë mbrëmjen e kaluar nga kryedemokrati Lulzim Basha, lidhur me fshehjen e numrit të viktimave nga koronavirusi në vendin tonë.

Shefja e Infektivit Najada Çomo, lexon një deklaratë të përbashkët të mjekëve përpara kamerave, duke thënë se nuk mund ta vendosë një politikan shkakun e vdekjes së një qytetari, por vetëm mjeku që e ka ndjekur atë.

Ajo paralajmëron kreun e opozitës se nëse akuza të tilla do të përsëriten, mjekët do kërkojnë nga organet kompetente që të nisin hetimet.

“Shprehim publikisht habinë tonë në lidhje me akuzat e bëra dje nga kryetari i PD-së, zoti Lulzim Basha në një emision televiziv. Janë akuza tronditëse që vënë në goditje profesionalizmin tonë si mjekë por janë edhe goditje të befasishme ndaj përpjekjeve tona më shumë se 9-mujore në luftë me Covid-19.

Nuk duhej kurrsesi të arrihej deri këtu dhe nuk është aspak dëshira jonë të merremi me deklarata publike.

Por përballë akuzash të tilla e shohim të domosdoshme të informojmë opinionin publik si vijon: nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga Covid-19, dhe e themi me përgjegjësi të plotë se kjo është jo vetëm praktikisht por edhe teorikisht e pamundur.

Çdo pacient që ndërron jetë përcillet për në morg bashkë me kartelën shoqëruese. Kartela shoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, e cila është firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit, pikërisht nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit.

Shkaku i humbjes së një jete në spital nuk mund të përcaktohet as nga politikanët, as nga kushdoqoftë përveç mjekut përkatës. Kartelën bashkëshoqëruese të të ndjerit nuk e zëvendësojnë e as nuk e ndryshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje vetë humanizmin e autorëve të tyre në këtë kohë kaq të vështirë për njerëzit. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh, të mund të parapërfytyrohet dhe të akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara.

 Gjithashtu bëjmë me dije se në rast se kjo akuzë do të përsëritet ne do të ftojmë organet kompetente që të hetojnë duke bërë verifikimin e çdo kartele mjekësore.

Ne nuk do lejojmë kurrsesi pa adresuar me ballafaqim miqësor apo ligjor këtë cenim që nab ëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional. Duhet t’i jepet njëherë e mirë fund praktikës politike dhe mediatike të lojës me vdekjen që ka sjellë jo pak telashe, në 30 vjet në jetën e bluzave të bardha. Kjo dalje jashtë shinave të së vërtetës në një kohë si kjo, janë tejet të rrezikshme. Në këtë kohë të vështirë, kjo është gjëja e fundit që do të mund të na kishte shkuar ndërmend, ndërkohë që krejt të kundërta duhet të jenë mesazhet e figurave publike të popullit.”, lexon deklaratën e përbashkët mjekja Najada Çomo.

Kreu i PD-së Lulzim Basha, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” mbrëmjen e kaluar, publikoi disa të dhëna tronditëse, duke denoncuar se autoritetet po fshehin e numrin e viktimave të shkaktuara nga Covid-19.

Sipas të dhënave të publikuara në një tabelë nga Basha, pretendohet se vdekjet janë 414 më shumë se ato të publikuara nga autoritetet deri në fund të muajit tetor. Ai thoshte se të dhënat i ka marrë nga morgu./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *