Templates by BIGtheme NET

“Kaloi çdo cak” – Reagimet e Ramës mbi denoncimin e Bashës për përgjysmimin e numrit të vdekjeve

Nesër kryeministri Edi Rama pritet të bëjë një deklaratë lidhur me akuzat e kryedemokratit Lulzim Basha, se qeveria e tij po fsheh numrin e vërtetë të viktimave nga Covidi.

Mbrëmjen e kaluar, kryetari i PD-së bëri akuza tronditëse në drejtim të qeverisë, duke thënë se i ka raportuar të përgjysmuara shifrat e vdekjeve nga Covid-19.

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion”, Basha publikoi disa të dhëna të përpiluara në një tabelë (që thoshte se i kishte marrë nga morgu), të cilat sugjeronin se vdekjet nga Covid-19 janë 414 më shumë se ato të publikuara nga autoritetet deri në fund të muajit tetor.

Sipas Bashës, nga Marsi deri në fund të Tetorit, në spitalet Covid, kanë humbur jetën 923 persona, ndërsa janë raportuar vetëm 509.

Reagimi i parë i Ramës

Ndërkohë që Basha bënte këto akuza në transmetim të drejtpërdrejtë në një program televiziv, kryeministri Rama ndodhej në studion e një programi tjetër.

I pyetur për deklaratat e Bashës, Rama tha se kryedemokrati e bën për të krijuar panik dhe konfuzion.

“Çfarë mund t’i përgjigjesh tani?! D.m.th është pjesë e asaj që thashë, panik, konfuzion, shqetësim, katastrofë. Qeveria nuk deklaron asgjë. Numri i fataliteteve është një numër që pasqyrohet çdo ditë në bazë të kritereve që janë të lidhura me një element të thjeshtë: Të sëmurët nga Covid. Të tjerat janë spekulime, s’kanë asnjë bazë dhe hyn në atë të përditshmen: Shpif, shpif se diçka do mbetet, kall dëshpërim tek njerëzit se diçka do ndezë, ajo që përpiqen këta të ndezë, është se duhet të kuptojnë që pse kanë humbur që nga dita e parë”– tha Rama mbrëmë në emisionin “Real Story”.

Reagimi i II i Ramës

Ndërkohë këtë mëngjes, pasi i kishte marrë mirë informacionet dhe pasi një grup mjekësh me në krye shefen e Infektivit Najada Çomon dolën për të përgënjeshtruar Bashën, Rama bëri një tjetër reagim.

Ndërsa i cilësoi akuzat e rivalit të tij “të pashembullta”, Rama tha se Basha këtë radhë kishte shkuar shumë larg duke kaluar çdo cak politik.

Po ashtu paralajmëronte se do t’u drejtohet nesër shqiptarëve me një mesazh të drejtëpërdrejtë.

“Për akuzën e pashembullt të Lulëzim Bashës, e cila cënon drejtëpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre, do t’u drejtohem nesër shqiptarëve me një mesazh të drejtëpërdrejtë, sepse këtu është shkuar shumë shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjeshtë për llafet e një aktori të papërgjegjshëm!
Sot u shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulëzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t’u jetë harruar emri, nami e nishani!”– shkruan kryeministri.

Pavarësisht reagimeve nga kryeministri Rama dhe paralajmërimit që Najada Çomo i bëri se do t’i bënte thirrje Prokurorisë të niste hetimet në rast të përsëritjes së akuzave, Basha këmbëngul.

Ai thotë se opozita e ka për detyrë t’u shpërndajë të vërtetën qytetarëve./Hashtag.al

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*