Templates by BIGtheme NET

Rusia dënon me 13 vite burg një shtetas që akuzohej për spiunazh në llogari të SHBA-së

Një gjykatë ruse dënoi me 13 vjet heqje lirie një shtetas rus nën akuzat e spiunazhit për llogari të Shteteve të Bashkuara. Lajmi u njoftua të premten nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB).

Më 17 nëntor, një gjykatë e rajonit të Bryansk-ut e shpalli Yuriy Yeshchenkon “fajtor për tradhti të lartë”, thuhej në deklaratë, ku shtohej se ai do ta vuante dënimin “në kushte të rënda” në një objekt të sigurisë së lartë, raporton Zëri i Amerikës.

Sipas FSB-së, zoti Yeshchenko ishte përpjekur t’i përcillte CIA-s informacione sekrete ushtarake rreth Flotës Veriore të Rusisë dhe se ishte vetëdeklaruar fajtor ndaj akuzave për spiunazh dhe kishte thënë se “pendohej për ato që kishte bërë”.

Yuriy Yeshchenko punonte për mirëmbajtjen e sistemeve radio-elektronike të përdorura nga anijet e Flotës Veriore, tha FSB. Nga viti 2015 në 2017 ai kopjoi dokumente ushtarake dhe vendosi kontakte me CIA-n në vitin 2019.

FSB-ja e arrestoi zotin Yeshchenko në rajonin e Bryansk-ut në korrik 2019, ndërsa ai po përpiqej t’i përcillte sekretet shtetërore CIA-s amerikane, thuhej në deklaratën e Agjencisë Ruse të Spiunazhit.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*