Ndahet nga jeta ikona e muzikës popullore shqiptare, Ismet Peja. Lajmin e hidhur për vdekjen e artistit e ka bërë të ditur djali i tij, Visar Peja.
Këngëtari 83-vjeçar është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të së hënës.
“Nuk dija ndryshe, as nuk munda ndryshe ta lajmëroj largimin tënd nga kjo jetë. Pusho i qetë sepse ke ngelë i përjetshëm. Të fala i bën mamasë.”- ka shkruar i biri.
Këngëtari i këngëve të vjetra qytetare Ismet Peja lindi në Gjakovë më 27 prill të vitit 1937.
Ai është i biri i Musa Pejës, i cili ishte po ashtu këngëtar. Që në fëmijëri prej moshës 13-14 vjeçare filloi të merrej me muzikë.
Gjatë karrierës së tij, Ismet Peja solli një sërë projektesh si “Knoma kangen sa t’jam gjall”, “Robi plaket kur don vet” dhe të tjera.