Vendosni fjalën kyçe....

Surprizë për Diasporën apo qokë për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës?!


Nga Iva Grillo

Pjesëtarë të Diasporës në konferencën virtuale “Diaspora Flet 2020” që u zhvillua këto ditë, sot u përballën me një lajmërim të organizatorëve të këtij aktiviteti që lexonte si më poshtë: “një surprizë për të gjithë pjesëmarrësit: Rita Ora dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të kenë një bashkëbisedim, të realizuar me shumë dashuri e përkushtim”.

Ndërkohë që aktivitete të tilla janë mëse të mirëpritura dhe të vlerësuara, nuk mund të mos na bëjë përshtypje “surpriza” që ofrohet në fund. Dhe kjo nuk ka lidhje me Rita Orën, që është një artiste që na bën krenare të gjithëve me talentin dhe veprimtarinë humanitare që kryen.

Pyetja është, cili është roli i Kryetarit të Bashkësisë së Tiranës në këtë veprimtari dhe çfarë vlere të shtuar ka prezenca e tij në aktivitetin në fjalë? Çfarë modeli ofron ky “i ftuar nderi” që ta përligjë këtë pjesëmarrje, për më tepër të pa lajmëruar më parë?

Besoj se shumë nga përfaqësuesit e diasporës në atë konferencë janë vënë në pozitë të vështirë për shkak të kësaj “surprize”, edhe pse e paketuar bukur me prezencën e Rita Orës. Ndoshta po ta dinin më parë për prezencën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të lajmëruar momentin e fundit si “i ftuar nderi”, do ta rimendonin pjesëmarrjen në këtë aktivitet.

Kjo për faktin se standardet e punës së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës janë shumë poshtë standardeve të shërbimit publik të të zgjedhurve vendorë me të cilët ne jemi mësuar të përballemi në vendbanimet tona jashtë atdheut.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të kishte mbijetuar politikisht asnjë ditë në asnjë nga vendet ku ne banojmë. Kjo për një sërë arsyesh, por mbi të gjitha për mungesën e transparencës që tregon gjatë administrimit të qytetit, manovrat e pandershme ligjore që ka bërë për të ndihmuar grupe të caktuara oligarkësh në kurriz të interesit të qytetarëve, mungesën e llogaridhënies e mbi të gjitha për nëpërkëmbjen që i bën historisë dhe dinjitetit të banorëve të qytetit që ai drejton. Nuk e dimë nëse Rita Ora është në dijeni të këtij fakti, por organizatorët patjetër që janë.

Për këtë arsye, këto “ndere” e “surpriza” që diaporës i përplasen në fytyrë janë një trajtim që diaspora nuk e meriton dhe as nuk duhet t’a pranojë. Këtë trajtim nuk e meriton edhe Rita Ora, prezenca e së cilës do të kishte qenë vërtetë një surprizë e bukur në qoftë se nuk do të ishte baltosur me prezencën e një nga abuzuesve kryesorë të besimit të qytetarëve tiranas.

Diaspora ka dëshirë t’i bëhet krah vendit dhe e ka treguar përkushtimin e saj sa herë që ka pasur nevojë atdheu, por ajo nuk dëshiron të bëhet kurrsesi vitrinë e ambicieve politike të askujt, e aq më tepër e një politikani të një modeli të papranueshëm për standardet tona.

Për këtë arsye, “surpriza” e sotme duket më tepër si një qokë që i “zoti i shtëpisë” i ka bërë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sesa një nder që u ka bërë “bujtësve” që kanë ardhur nga larg me dëshirën për të ndihmuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *