Vendosni fjalën kyçe....

Shuhet në moshën 60-vjeçare ikona e legjenda e futbollit botëror, Maradona


Legjenda argjentinase e futbollit dhe fituesi i Kupës së Botës 1986, Diego Maradona, ka ndërruar jetë në shtëpi në Tigre pasi pësoi një sulm në zemër, sipas raporteve mediatike në Argjentinë.

Maradona, 60 vjeç, ishte duke u rikuperuar në shtëpi pas një operacioni në tru në Buenos Aires, ku ai u trajtua me sukses pas një hemorragjie në tru në fillim të këtij muaji.

Të premten e kaluar, Maradona iu nënshtrua një operacioni, ndërsa mjekët e përshkruan gjendjen e tij si jo të mirë, pavarësisht se operacioni doli me sukses.

Sipas tyre, legjenda argjentinase kishte probleme me mëlçinë dhe zemrën. Ndërsa ishte duke u riaftësuar në shtëpi Maradona ka pësuar një sulm në zemër dhe vdiq pak më vonë.

Një karrierë legjendare

Maradona doli nga radhët e të rinjve në fund të viteve 1970 te ekipi Argentinos Juniors, ku ai shënoi 116 gola nga 167 ndeshje para se të nënshkruante për një nga klubet më të mëdha të vendit, Boca Juniors. Talenti i tij u pikas shpejt nga skautët më të mirë të Evropës dhe ai u transferua në La Liga me Barcelonën përpara se të bashkohej me Napolin  në Serie A në vitin 1984, ku ai kthye në legjendë.

Në skenën ndërkombëtare, Maradona njihet si një nga lojtarët më mbrësëlënës që turneu ka parë. Në vitin 1986 ai arriti të shpallej kampion bote me Argjentinën.

Goli i tij famëkeq ‘Dora e Zotit’ kundër rivalëve të urryer të Anglisë e ngriti Maradonën, tashmë një ikonë në atdheun e tij, në lartësi edhe më të mëdha, ndërsa goli i tij i dytë në ndeshje, një vrapim mahnitës në gjysmën e fushës, ende konsiderohet nga shumë si goli më i mirë i shënuar ndonjëherë në Kupën e Botës.

Karriera e tij vazhdoi rënien pas 1986, por ai përsëri e udhëhoqi Argjentinën në finalen e Kupës së Botës 1990 ku Argjentina u mund nga Gjermania në finale.

Karriera e tij është shoqëruar edhe me probleme për sa i përket dopingut por edhe sjelljes së keqe në jo pak raste brenda dhe jashtë fushës.

Pavarësisht kësaj, ai konsiderohet si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në futbollin botëror. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *