Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Telitit: Si po vjedhin Rama-Veliaj me projektin e banesave 52 milionë euro te “5 Maji”


Partia Demokratike ka denoncuar projektin e rindërtimit të pallateve në zonën e 5 Majit në Tiranë. Në një denoncim me video, demokrati Teliti, deklaron se kjo zonë është modeli tipik i dështimit të qeverisë për sa u përket banesave të dëmtuara nga tërmeti.

Sipas Telitit, në zonë është vendosur të ndërtohen 12 godina banimi me vlerë 52 milionë euro. Ai thekson se edhe pse këto pallate duhet të ishin drejt fundit sot, kjo nuk pritet të ndodhë edhe për të paktën dy vite të tjera.

Ai akuzon kryeministrin Rama e kryebashkiakun Veliaj lidhur me procedurat që kanë çelur për ndërtimet në fjalë.

“Këto pallate duhet të ishin sot drejt fundit dhe qytearët duhet të ishin duke u bërë gati të hynin në shtëpitë e reja. Kjo nuk ka për të ndodhur edhe për të paktën 2 vjet të tjera, sipas kontratës së lidhur nga Bashkia e Tiranës. Në vend të shërbimit me cilësi dhe shpejtësi, Erion Veliaj ka zgjedhur të harxhojë kohën duke gjetur forma ekstraligjore për të shpenzuar dhjetëra miliona euro nga fondet e rindërtimit.

Shumëkush mund të çuditet, por për 52 milionë euro që do të harxhojë këtu Erion Veliaj dhe Edi Rama nga taksat e qytetarëve, nuk ka një tender të veçantë për projketimin e banesave në zonën 5 Maji. Bashkia e Tiranës ka shpikur një mënyrë të re për t’i vjedhur ato.” – thotë Teliti.

Teliti shton më tej se projekti i zbatimit të ndërtimit të 12 godinave në fjalë do realizohet nga vetë ndërtuesi i tyre.

Ai denoncon se fusha e abuzimit është lënë e stërmadhe në dorë të kompanisë ndërtuese pa asnjë kontroll.

Bëhet fjalë për 52 milionë euro që do i lihen në dorë ndërtuesit me qëllim të vetëm korrupsionin e vjedhjen e fondeve të ndërtimit.

“Projekti i zbatimit të ndërtimit të 12 godinave të reja te banimit do të realizohet nga vetë ndërtuesi i këtyre godinave. Është njësoj si ta japësh me PPP. Ai që projekton, ai ndërton, ai zbaton. Fusha e abuzimit është lënë e stërmadhe në dorë të kompanisë ndërtuese, pa asnjë kontroll. Janë 52 milionë euro që do të hidhen në 12 godina të përqendruar në dorën e ndërtuesit. Kjo zgjedhje ekstraligjore ka vetëm një shpjegim: korrupsionin dhe vjedhjen me fondet e rindërtimit. Sot, çdo shqiptar e di se PPP- të e kësaj qeverie janë projekte abuzimi, mashtrimi dhe korrupsioni. Çmimet fryhen, që fitimi nga vjedhja të jetë sa më i madh. Kjo ka ndodhur edhe më këtë PPP të fatkeqësisë, ku i është lënë dorë projektimi dhe ndërtimi, të njëjta kompani.” – shton ai.

Në fund demokrati thotë se çmimi për ndërtim është gati dyfishuar. Nga çmimi normal në zonë që është rreth 320 mijë lekë kur ndërtohet nga Enti i Banesave, sipas dokumenteve të bashkisë çmimi për një metër katror ndërtim do shkojë në 580 mijë lekë.

“Çmimi është gati dyfishuar. Sipas standardeve që vetë shteti përdor, përmes Entit Kombëtar të Banesave, çmimi për ndërtim i një metri katror është rreth 320 mijë lekë. Sa na kushton kjo me Erion Velinë dhe procedurat korruptive të ndjekura për të zhvatur fondet e rindërtimit? Hajdutët e fatkeqësisë i kanë rritur pothuajse dyfish. Sipas letrave që ka bërë bashkia e Erion Veliaë, 1 m2 tek zona 5 majo do të kushtojë rreth 580 mijë leke, nga 320 mijë që po shteti, me Entin Kombëtar të Banesave ndërton rëndom. Për qeverinë e Edi Ramës dhe Bashkinë e Erion Veliajt, prioritet nuk janë qytetarët. 1 vit pas tërmetit nuk është hedhur asnjë lopatë me dhe. Ka vetëm propagandë dhe procedura që dyfishojmë kostot e rindërtimit, duke futur duart në xhepat e qytetarëve.” – mbyll denoncimin e tij Teliti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *