Vendosni fjalën kyçe....

Si do zhvillohet mësimi nga 1 dhjetori në javët teke e çifte, ministrja Kushi tregon skemën


Ministrja e Arsimit, Kushi, ka zbuluar planin e masave për sa i përket zhvillimit të mësimit në shkollat e vendit.

Një ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, tha se do i propozonte koleges së saj që nga 1 dhjetori mësimi të zhvillohet me alternime, edhe fizikisht edhe online.

Pas falënderimeve ndaj mësuesve, nxënësve e prindërve, Kushi, zbuloi masat që janë vendosur për të frenuar përhapjen e pandemisë Covid-19.

Sipas saj, mësimi i kombinuar do nisë në datën 1 dhjetor deri në një vendim të dytë.

Udhëzuezi

Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës – njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021;

Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:

– Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.

– Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.

Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.

Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online.

Dua të theksoj gjithashtu që në raste të veçanta, kur ka raporte mjekësore, apo me kërkesë të prindit, nxënësit mund ta zhvillojnë mësimin tërësisht online, duke kaluar nga një grup në tjetrin brenda klasës.

Për ato shkolla, publike apo private, në qytet apo fshat, ku numri i nxënësve nëpër klasa është i ulët dhe nuk ka raste të infektuarish me COVID-19, mund të vazhdojë të zbatohet skenari i parë, siç është në fuqi, natyrisht në zbatim të rregullave dhe protokolleve shëndetësore dhe me mirëkuptimin e prindërve.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, kanali i dedikuar “RTSH Shkolla” dhe platforma online “Akademi.al” do të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve në mbështetje të procesit mësimor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *