Templates by BIGtheme NET

Duhet të flasim edhe kur na sulmojnë

Nga Blendi Salaj

Problem i madh kur jep opinione publike është pakënaqësia që shkakton tek komentuesit militantë dhe sharësit profesionistë.

Kur dënon shembjen e Teatrit Kombëtar, vijnë ca dhe të quajnë të shitur te Lul Basha, të tjerë të shkruajnë, O klysh i Saliut.

Por kur thua se maska duhet mbajtur, bëhesh menjëherë servil i Ramës dhe qen i Sorrosit.

Nëse shprehesh se humbja e €110 milionë me Becchettin është një skandal kriminal, dalin sufllaqet e PS dhe tallen, ju të PD nuk dini të numëroni, thonë.

Kur mendon se Opozita nuk duhet të braktiste Kuvendin, je një plehrë majtiste e paguar me miell, lëpirës i Ramës për tu bërë zv. ministër.

Kur denoncon koncesionet dhe inceneratorët, je Kazan.

E keni të qartë idenë. Nëse nuk je me njërën nga forcat politike, je tabelë qitjeje për të gjithë. Prapë me kapele? Prapë pa kapele? E natyrisht, njerëzit kanë hallet e tyre dhe s’mund të mbajnë shënim qëndrimet e mia për çështjet, ndaj e kanë më lehtë të paragjykojnë.

Kur je njeri publik dhe gëzon privilegjin të komunikosh masivisht, natyrisht që ka edhe kosto që vijnë dora-dorës me këtë mundësi, të cilat duhen pranuar si çmimi që paguhet kur fjala të dëgjohet.

Personalisht kam marrë si reagim shumë mbështetje, por edhe shumë kritika të vlefshme nga të cilat jam munduar të përmirësohem.

Kam marrë ama, edhe shumë fyerje, sharje dhe urrejtje, zakonisht të shkruar me një shqipe të çalë, nga njerëz që shumicën e herës veprojnë në rrjetet sociale si anonimë.

Është fare kollaj të mos flasësh për asgjë që mund të mërzisë dikë. Shprehja, sa herë nuk fola, nuk gabova, këtë thotë: Mos fol dhe rri i qetë.

Por mendoj se e kemi detyrë të flasim. Edhe kur e dimë që do na sulmojnë, duhet të flasim. Edhe kur e dimë që disa do na keqkuptojnë, duhet të flasim. Edhe kur opinioni na kushton miq, nerva, kohë, mundësi profesionale – është e rëndësishme ta themi se si e mendojmë. Jo për zhurmë dhe vëmendje por si përgjegjësi qytetare.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*