Templates by BIGtheme NET

PD bën fiasko televizive, anulohet Topalli, bojkoton Edi Paloka

Dy episode në dy televizione të ndryshme, janë komentuar pa fund mbrëmë në rrjet. Kjo sepse dy intervista u anuluan krejt papritur në momentet e fundit, në të njëjtën kohë kur kryedemokrati Lulzim Basha do jepte një intervistë për një televizion të tretë.

Rasti 1 me Jozefina Topallin

Gazetari Çim Peka i “Syri TV” është akuzuar se ka bërë disa manovra në mënyrë që të ketë audiencë të lartë intervista e mbrëmshme në televizionin rival “ABC News” e kryetarit të PD-së.

Ndërkohë që Basha do jepte intervistën në “ABC News”, në “Syri TV” ishte e ftuar Jozefina Topalli. Mirëpo në moment të fundit, intervista me Topallin u anulua. Kjo sepse Peka pretendon se i është nënshtruar testit me Covidin dhe në vend të intervistës me Topallin, ka realizuar një komunikim online me disa analistë, të cilëve u është bashkuar edhe presidenti Ilir Meta.

Peka u akuzua nëpër komente se ai e kishte bërë këtë, vetëm që Topalli të mos i merrte audiencën kryedemokratit Basha. Por Peka i ka mohuar akuzat përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku tregon shifrat e audiencës që ka patur mbrëmë.

“Për ata që po ju thonë se sonte doja t’i siguroja audiencë Bashës! Shikoni numrat. Detajet e tjera nesër pas përgjigjes së testit. Shihemi te Enjten!”– shkruan Peka.

Rasti 2 me Edi Palokën

Në një tjetër television, në “Ora News” në të njëjtën fashë orare ishte i ftuar nënkryetari i PD-së Edi Paloka. Mirëpo ky e ka bojkotuar intervistën në moment të fundit.

E moderatori dhe gazetari Alfred Lela, i cili nuk ka rënë dakord me këtë prishje plani që politikani i bëri, ka vendosur ta ironizojë atë duke vendosur një manekin në vend të tij.

“Kam në të majtën time atë që do të ishte Edi Paloka, i cili duhet të vinte deri në orën 4. Por në këtë orë më tha se diçka ka ndodhur. Unë isha i paqartë për justifikimin, prandaj kemi këtë përfaqësues të tij në studio sot. Kjo është një mënyrë për t’u thënë atyre që i kanë një detyrim hapësirës publike dhe etikës normale njerëzore”– thotë Lela./Hashtag.al

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*