Templates by BIGtheme NET

“Rindërtimi po zvarritet”, Grida Duma thirrje qeverisë: Dilni shpjegojuni qytetarëve pse janë ende mes 4 rrugëve

Partia Demokratike vijon akuzat ndaj qeverisë lidhur me procesin e Rindërtimit. Ish-deputetja Grida Duma, ka dalë në një deklaratë për mediet, ku u shpreh se qeveria se po zvarrit procedurat e rindërtimit në Durrës.

Ajo thotë se asnjë banesë nuk është përfunduar edhe pse ka kaluar një vit që nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.

“Premtimet e mëdha se Durrësi do të rindërtohej shumë shpejt, se askush nuk do t’i shpëtonte përgjegjësisë, se banorët do të kishin shtëpitë e humbura shumë shpejt, rezultuan një mashtrim i frikshëm dhe i pamëshirshëm.

Sot, një vit pas tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit, Durrësi është totalisht i braktisur. Nuk ka as edhe një ndërtim të vetëm të mbaruar. Zero!

I gjithë ky vit i kaluar mes kalvarit të vuajtjeve, nëpër tenda, mes të ftohtit, të nxehtit, rrënojave të shtëpive, pallateve të dëmtuara nuk ka vlejtur për asgjë.

Procedurat e rindërtimit po tërhiqen zvarrë prej ‘Hajdutëve të Fatkeqësisë’, që si hijena presin të manipulojnë vjedhjen e radhës.”– ka deklaruar Duma.

Ish-deputetja thotë se deri tani janë tenderuar 99.1% e fondit limit, e rindërtimi i banesave shpejt nuk ka qenë synimi. Ajo u bën thirrje qeveritarëve të dalin dhe t’u shpjegojnë familjeve në Durrës se pse janë ende në mes të katër rrugëve.

“Deri më tani janë tenderuar me 99.1 % të fondit limit, duke dëshmuar se për këtë qeveri dhe mëkëmbësit e tyre në bashki, prioritet nuk është aspak rindërtimi i banesave shpejt dhe me sa më pak kosto, por krejt e kundërta.

99.1 % e fondit limit të akorduar për rindërtimin në Durrës do të thotë se gjithçka është e paracaktuar, nuk ka garë të vërtetë, nuk ka cilësi, nuk ka shpejtësi në ndërtim. Do të thotë edhe shumë muaj të tjerë me qira, pa shtëpi, sepse këta që qeverisin janë një shpurë me mafiozë që po vjedhin qytetarët më të dëmtuar.

Sot, përgjegjësia bie mbi pushtetarët në Durrës!

Dilni dhe shpjegojuni familjeve pse janë akoma mes 4 rrugëve?

Pse u deshën 7 muaj për disa dokumente dhe 2 muaj të tjerë për të hapur një tender shumë të dyshimtë?

Pse nga 21 milion euro të akorduara, vetëm 1/3 e shumës është vënë në dispozicion të rindërtimit të pallateve të dëmtuara?

Faturën e kësaj kasaphane me fondet do ta paguajnë në 25 prill, “Hajdutët e Fatkeqësisë” me në krye Edi Ramën.”- deklaroi zonja Duma.

Ajo shtoi se  qytetarët e Durrësit do t’i ndëshkojnë me vote ata që i quan “Hajdutët e Fatkeqësisë”, për t’i hapur rrugë rindërtimit të shpejtë të shtëpive të familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*