Vendosni fjalën kyçe....

Basha takon studentët e Bujqësisë: Rama falimentoi vendin, mjaft është mjaft e tani është koha për ndryshim


Kreu i PD-së ka vijuar turin e takimeve me studentët. Pas atyre të Mjekësisë e Ekonomikut, sot kryedemokrati është takuar me studentët e Bujqësorit.

Gjatë bashkëbisedimit, Basha, tha se synimi kryesor i qeverisë së drejtuar prej tij do jetë ndalimi i largimit të të rinjve përmes projekteve të qartë mbështetëse për shkollimin e punësimin e tyre.

“Gjëja e parë që duhet të bëjmë është që këtë kapacitet të jashtëzakonshëm ta përthithim, ta bëjmë pjesë të planit të zhvillimit të vendit, në mënyrë që mos të na largohet drejt vendeve të tjera. Është detyra e qeverisë ta ndalë këtë katastrofë kombëtare të largimit dhe ky është prioriteti kryesor që ne kemi. Gjithë këtë potencial të madh të rinisë shqiptare ta vendosim në funksion të objektivit tonë kryesor që është zhvillimi ekonomik, ulja e papunësisë dhe hapja e vendeve të reja të punës. Por, ka një pengesë të madhe për zhvillimin dhe pengesa është pikërisht një qeveri që për 8 vite me radhë ka premtuar dhe s’ka mbajtur asnjë premtim. Ka dështuar të çojë përpara qoftë edhe një fushë të vetme të ekonomisë apo të zhvillimit.” – tha ndër të tjera Basha.

Ai shtoi më tej se gabimi në vend nisi në vitin 2013 pas fitores së PS-së në zgjedhjet e atij viti.

Basha theksoi se pavarësisht premtimeve të mëdha të Edi Ramës, në vend nisi një krizë që u thellua edhe më shumë pas vitit 2017, kur ai nisi qeverisjen i vetëm. Kreu i PD-së tha se vendi nuk ka më kohë dhe se të gjithë presin ndryshimin e madh.

“Përsëritja e të njëjtit gabim me të njëjtin rezultat është marrëzi. Gabimi nisi në vitin 2013-të. Erdhi me premtime të mëdha me 300 mijë vende pune, me reformën e sistemit të arsimit. Vazhdoi në 2017-ën me tepsi e me timon. Tani nuk ka më kohë. Mjaft është mjaft. Tani është koha për ndryshim. Mosndryshimi do të kishte pasoja fatale. Ky është momenti i fundit për të ndryshuar kurs dhe e vetmja që mund ta bëjë këtë është bashkimi i vlerave. E vetmja që mund ta ndalë këtë të keqe është bashkimi i vlerave. Është opozita, Partia Demokratike, me vizionin për zhvillim në bashkëpunim, me rininë shqiptare dhe me gjithë qytetarët shqiptarë që duan t’i japin formë dhe thelb ndryshimit. Që ndryshimi të jetë i vërtetë duhet të kemi një qeveri që ka interesat e njerëzve së pari, ka interesat e rinisë së pari, dhe kjo nis duke bërë të mundur që në veçanti ju që jeni në përfundim të studimeve por jo vetëm, edhe ata që janë në studim e sipër, por edhe ata që nuk kanë arsimin e lartë, të shohin tek qeveria dhe te masat e qeverisë një urë të sigurt për të kaluar nga auditori apo nga shkollat e mesme profesionale drejt tregut të punës. Dhe ky është synimi ynë me programin tonë të stazheve. Ky është synimi ynë me programin tonë të arsimit profesional.” – shtoi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *