Vendosni fjalën kyçe....

Rriten bizneset italiane, nga Kosova dhe SHBA në 2019-n, ulen greket dhe Emiratet e Bashkuara

Bizneset e huaja ose të përbashkëta janë rritur me gati 3% në vitin 2019, në raport me 2018-n.

Sipas INSTAT, në vitin 2019 ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë janë 6.443, ndërsa në fund të vitit 2018 dhe 2017 ishin përkatësisht 6.259 dhe 6.295.

Në periudhën kohore 2017- 2019 ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Evropian zënë mesatarisht 65,6% të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 10,9% të këtyre ndërmarrjeve.

Italia është shteti kryesor ng ai cili ka më shumë biznese të huaja, ose 47% e totalit. Ndërmarrjet nga ky shtet shënuan dhe rritjen më të madhe në numër në 2019-n, ose 158 më shumë (+5.6%).

Për herë të parë në 2019-n Kosova është bërë shteti i dytë që ka më shumë sipërmarrje në Shqipëri, me 447 gjithsej, ose rreth 7% të totalit. Në 2019-n u shtuan dhe 24 subjekte nga Kosova ose të përbashkëta, duke ia kaluar Greqisë, që historikisht ka qenë e dyta.

Subjektet nga Greqia ranë me 5% në 2019-n

Në vend të katërt është Turqia, me ndërmarrjet nga ky shtet që u rritën me 3%, ndërsa sipërmarrjet nga Ghermania u shtuan me gati 7%, duke u renditur në vend të pestë.

Në vlerë absolute, SHBA është e treta për rritjen e ndërmarrjeve, pas Italisë dhe Kosovës, për vitin 2019.

Rënien më të madhe e shënuan bizneset nga Greqia (-23 subjekte), Emiratet e Bashkuara (-14) dhe Holanda (-10).

Sipas INSTAT, Ndërmarrjet e mëdha të huaja e të përbashkëta janë të përqendruara kryesisht në aktivitetet ekonomike si call center, prodhimi i këpucëve dhe aktiviteti bankar.

Në ekonominë shqiptare, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta nga Shtetet e Bashkimit Evropian janë mbizotëruese në aktivitetet: shërbime të tjera (25,1 %), tregti (15,8 %) dhe industri (10,9%).

Në periudhën kohore 2017- 2019, ndërmarrjet nga vendet e BE-së me 1-9 të punësuar mbulojnë 85,1 % të të gjitha ndërmarrjeve të BE-së, ndërsa ndërmarrjet me 250+ të punësuar mbulojnë 1,2 %.

Kjo përqindje e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha lidhet me veprimtarinë ekonomike ku ato veprojnë.

Sipas INSTAT, Statistikat mbi ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta synojnë të monitorojnë rëndësinë, strukturën dhe performancën e këtyre ndërmarrjeve brenda territorit shqiptar.

Në vitin 2019, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 16,1 % të punësimit gjithsej nga 15,6 % dhe 18,7 që zinin në vitin 2018 dhe 2017. Shitjet neto të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta përbëjnë 20,5 % të shitjeve neto të ndërmarrjeve gjithsej në vitin 2019, ndërsa gjatë 2018 dhe 2017 ky tregues ishte 25,8 % dhe 30,3%. Përqindja e investimeve të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta është 30,0 % e investimeve gjithsej të vitit 2019, ndërsa në vitet 2018 dhe 2017 ishte 25,0 % dhe 30,4%.

Gjatë periudhës kohore 2017-2019, nga vendet e Bashkimit Evropian, Italia zë 50,9 % të punësimit dhe 25,3 % të shitjeve neto. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova mbulon 3,8 % të punësimit dhe 3,6 % të shitjeve neto gjatë të njëjtës periudhë kohore.

Ndërmarrjet me pronësi nga vendet e BE-së investuan 43,4 % të investimeve gjithsej të kryera nga ndërmarrjet e huaja në periudhën kohore 2017-2019. Pjesa më e madhe është investuar nga Italia (13,0 %), ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor kanë realizuar 3,1 % të investimeve të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *