Vendosni fjalën kyçe....

BunkerED!

Nga Inida Kreuz

“Duke qenë se shqiptarët e hanë shumë mishin, do të realizoj një bunker me mish, por s’di nëse do të gjej aq shumë dele e dhi në Shqipëri, për ta realizuar këtë.” – premtonte Edi Rama në vitin 1995, gjatë inaugurimit të bunkerit të tij me lecka.

Pasioni i tij për bunkerët ka marrë dhenë dhe tashmë të gjithë e dinë se Edi Rama bunkerët i konsideron si autoportret dhe natyrisht, një artist i madh si Edi Rama, përdor çdo mjet rrethanor për të zhvilluar vizionin e tij bunkeristik.

Të ndërtosh një bunker me mish dhie e deleje, nuk do ndonjë zotësi, atë çdo kasap mund ta bëjë edhe në thertoren më të humbur, por Edi tjetër bunker kishte në mendje, një bunker metaforik. Mbase si udhëheqës shteti, Edi Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim, por si artist po. Bunkerin me mish dhie e deleje e ngriti me mjeshtëri dhe ajo quhet sot, Shqipëri.

Teksa e shihja sot në Lungomare, teksa ndiqej nga një tufë me dele e dhi, duke soditur e shijuar kilometrat e plazhit të mbytur në beton, me maskën e qëndisur si ‘gojëz qeni stani’, e me pelerinë ‘fashisti’, më erdhi keq që nuk ndodhej në promovimin e bunkerit të rradhës, por në një fushatë propagandistike si ‘bari’.

Teksa shihja kilometrat me beton, mendoja për natyrën e groposur nën bunker. Mendoja pse vallë Zoti nuk kishte dalë më parë me një ide kaq gjeniale, sa të na i bënte plazhet me beton?!

Pse vallë Zoti, nuk kishte qenë dot aq i zoti, sa të na i bënte delet e dhitë me xhupa e kepucë firmato, si ato të tufës që ndjekin nga pas bariun e maskuar si qen stani?!

Këtu – thoshte një nga cjepërit – është rritur trefish çmimi i apartamenteve” – dhe fërkonte barkun e skërmiste dhëmbët, sikur sapo të kish mbllaçitur nja pesë 20 përqindësha!

Po një bunker me ujqër e dhelpra – mendoja – kur do na i bëjë i madhi artist?!

Kur do na e shtrojë bunkerin me gëzof të shtrenjtë?! Fatkeqësisht, ujqërit e dhelprat do vazhdojnë të gajasen me kopetë  e dhive dhe të deleve që shullaten mbi beton.

Ujqërit e dhelprat do shkundin shantazhet ndaj artistit, duke i kujtuar se sado që ka marrë rolin e bariut, ai është thjeshtë një dele e burgosur në bunkerin e allishverisheve që bëjnë beee dhe meee.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *