Vendosni fjalën kyçe....

Qeverisja e mirë nuk ekziston më

Debati midis Presidentit dhe Ministrisë së Financave për “pengesat” për ndërtimin e rrugës Vlorë-Orikum, për shumë ndjekës ka karakter politik që lidhen edhe me qëllimet e afërta elektorale.

Padyshim që Presidenti është njeri politik, aspak i pavarur, edhe këtë mazhoranca e ka ditur që në prill të vitit 2017 kur e votoi.

Por deklarata e Presidentit për Ratifikimin e Marrëveshjes se Borxhit midis qeverisë shqiptare dhe Fondit Saudit buronte nga një siguri e përpiktë ligjore, e shkruar nga një dorë profesioniste, të cilën biles mund ta konsideronim një mësim tregues.

Në rastin në fjalë është e qartë që Presidenti politik, ka gjetur si shesh ku zhvillon luftën e tij politike pikërisht paaftësinë edhe nxitimin.

Po le t’i marrim me radhë shpjegimet pse dalim në këtë përfundim.

Ministria e Financave thotë që nuk ka pasur negociatë në kuptimin që e kërkon ligji, pasi nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje me palët për të ngritur grup negociator, edhe si rrjedhim të ketë lindur nevoja për të marrë autorizim.

Si fillim, fjala negociata nuk ka lidhje vetëm me zgjidhjen e një mosmarrëveshje, por arritjen e një marrëveshjeje. Kjo sidomos në kontekstin e marrëveshjeve financiare ku dy palët mundohen të sigurojnë kushtet më të mira për vete. P.sh. kur u emetua borxhi i ri në tregjet europiane u mor miratim nga Presidenti për negociata.

Pra megjithëse nuk kishte një mosmarrëveshje, kishte negociatë. Fjala negociatë ka si sinonim fjalën bisedime. Pra, çdo komunikim shkresor midis dy palëve është negociatë në kuptimin ligjor edhe gjuhësor të fjalës.

Biles edhe një presje po t’i ndryshosh një marrëveshjeje borxhi, procedura kërkon marrjen e miratimit nga pala tjetër me shkrim, ç’ka do të thotë që ka një negociatë, pra ka një bisedim.

Por nëse ka ndryshim të një marrëveshjeje ekzistuese, bisedimet apo negociatat me palën tjetër nuk kanë nevojë për plotfuqi të dhënë nga Presidenti, sic ishte rasti i ndryshimit të marrëveshjes me Fondin e Kuvajtit të përmendur në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Financave.

Por rasti që po debatohet është ndryshe. Ministria e Financave thotë që në fakt nuk kemi ndryshim nga marrëveshja e parë me marrëveshjen e dytë, as në qëllim as në frymë edhe as në gërmë.

Në fakt në të trija ka ndryshim.

Edhe pse nuk kemi borxh shtesë apo një rritje të borxhit, padyshim kemi një borxh të ri, i cili zëvendëson atë të vjetrin edhe pse shuma edhe në norma interesi janë të pandryshuara.

Marrëveshja e re ndryshon edhe objektin e financimit edhe në kohështrirjen (fillim-mbarimin e saj). Të dy këto komponentë janë kushte bazë të një marrëveshjeje edhe kanë nevojë për bisedime ose negociatë të autorizuar. Nga leverdisshmëria e objektit të financuar varen edhe kushtet e financimit. Eshtë e pamundur që dy objektet edhe loti i katërt edhe rruga Vlorë-Orikum të kenë të njëjtin fizibilitet, leverderdisshmëri dhe normë kthimi.

Ministria e Financave thotë se kemi një marrëveshje borxhi me të njëjtat kushte me të parin, por kushtet makroekonomike, kushtet e tregjeve financiare (normat bazë të interesit kanë ndryshuar katërcipërisht që prej vitit 2017 edhe si të tilla impononin kujdes dhe vëmendje të shtuar nga Ministria e Financave, si rrjedhim një negocim të plotë dhe të autorizuar.

Janë thuajse foshnjore argumentet nga ana e Ministrisë së Financave, e cila thotë: “që institucionet e linjës nuk kishin parakushte që të diktonin negociatë” edhe se është një rialokim i fondeve brenda të njëjtit institucion. Në çdo rast është përgjegjësia e kësaj ministrie të sigurojë publikun me prova të arsyeshme se kushtet financiare dhe ekonomike janë të duhurat dhe më të mirat e mundshme për një marrëveshje borxhi, e cila lidhet me financimin e një objekti të caktuar.

Praktikisht ajo që ka ndodhur në fakt është një manovër buxhetore, e cila i ka hapur rrugë përfshirjes në buxhet projektit të ri Vlorë-Orikum, i cili që të mund të përfshihej sipas ligjit të buxhetit duhet të kishte të sigurta 20% të vlerës, pra plot 30 milionë euro. Por meqë nuk i kishte, u gjetën paratë e Fondit Saudit.

Por ndërkohë këto para janë tërhequr nga një tjetër investim i rëndësishëm ndaç ekonomik për zonën, ndaç me kreditë politike për vetë maxhorancën. Por si fillim Ministria e Financave duhet të tregojë që i ka fondet për përfundimin e lotit të katërt pa rritur më tej borxhin në mënyrë që të sigurojë publikun në tërësi që kjo manovër nuk ka hapur në letra dy projekte dhe që realisht nuk do të përfundojnë me dy projekte të pambuluara me financim të mëtejshëm.

Së fundi, por më e rëndëshishmja, ajo që vihet re çdo ditë e më shumë është që procedurat po trajtohen nga qeveria si akte formale. Ndërkohë janë pikërisht proceduarat të cilat sigurojnë publikun që qeveria po e përdor pushtetin që i është deleguar bazuar në ligjet e vendit.

Mandati i dytë qeverisës është i mbushur me raste dhe precendentë, të cilat qartazi tregojnë se çdo ditë e më shumë se po largohemi nga parimet e qeverisjes së mirë në menaxhimin e financave publike. Ndjekja e procedurës në çdo rast nuk mund të jetë kurrsesi një akt formal, është i vetmi mekanizëm i sigurimit të balancës dhe kontrollit, është e vetmja mënyrë që siguron publikun se qeveria po e ekzekuton pushtetin e deleguar me kujdes dhe shumë vëmendje.

Cilado qofshin arsyet dhe qëllimi, të dukshme apo të padukshme, të mira ose jo, e shtyjnë një institucion në anashkalimin e proceduarës, e për pasojë moszbatimi i tyre tregon që qeverisja e mirë është rrëzuar, nuk ekziston më.

*Titulli redaksional, titulli origjinal i shkrimit: Nga Vlora në Orikum – Kur procedura konsiderohet akt formal, qeverisja e mirë nuk ekziston më

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e GazetaSi