Templates by BIGtheme NET

Osmani: E drejta e votës nuk mund të kufizohet nga një telefonatë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se e drejta e votës është e drejtë e patjetërsueshme, e cila “nuk mund të kushtëzohet me një telefonatë”.

Reagimi vjen pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxori të hënën një vendim për verifikimin e aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

Në bazë të këtij vendimi, KQZ-ja do t’i refuzojë aplikacionet e atyre që nuk lajmërohen në telefon në kohën kur KQZ-ja i thërret për verifikim.

“E drejta e votës është e drejtë fundamentale, e garantuar me Kushtetutën tonë dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Si e tillë, e drejta e votës është e drejtë e patjetërsueshme, e cila nuk mund të kushtëzohet me një telefonatë”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.

“Ky vendim i KQZ-së, e specifikisht pika IV e tij, mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante”, tha Osmani.

Pika IV e vendimit të KQZ-së thotë se “nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt.

KQZ-ja po ashtu mori vendim që periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës të fillojë më 13 janar dhe të përfundojë më 21 janar.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*