Vendosni fjalën kyçe....

Gjithçka dimë për vaksinën anti-Covid që ka nisur të aplikohet në Shqipëri


Pasditen e djeshme nisi zyrtarisht procesi i vaksinimit anti-Covid në vendin tonë, me të parën që u vaksinua shefen e Spitalit Infektiv, Najada Çomon.

E menjëherë pas saj, u vaksinua kreu i qeverisë Edi Rama. Pas kryeministrit në radhë ishte mjeku Pëllumb Pipero e mjeku Tritan Kalo, e me radhë.

Cila është kompania dhe sa doza kemi?

Vaksina që fillimisht do e marrin mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të luftës me koronavirusin, është ajo e kompanive Pfizer dhe BionTech. Rama tha se bëhet fjalë për 975 vaksina të cilat janë dhuratë nga një vend mik.

“Shifra që nisim sot është 975. javën e tretë vijnë 10,750 doza nga Pfizer, ndërkohë mes sot dhe kësaj që thashë presim dhe 2000 doza nga vendi mik.”- tha dje Rama.

Vendi bamirës mbahet enigmë

Kryeministri Edi Rama sqaroi se këto 975 doza të para të vaksinës, janë dhuratë nga një vend i BE-së. Por për asnjë moment nuk pranoi të zbulonte se cili ishte vendi mik duke thënë se nuk është i autorizuar ta zbulojë.

Ai këmbënguli se nuk e thotë emrin e vendit, për shkak të kërkesës që vjen pikërisht nga vendi që ka bërë donacionin.

“Vendin nuk e them dot sepse vetë vendi që na i ka dhënë vaksinat ka kërkuar konfidencialitet për arsyet e veta dhe këtë e kërkojnë edhe 3 vendet e tjera që ne jemi në diskutime. Sepse nëse një vend e bën këtë për Shqipërinë nuk duan që edhe vendet e tjera të kërkojnë të njëjtën gjë. Pse e bëjnë vetëm për Shqipërinë? S’më takon muaj të jua shpjegoj por një nga arsyet është se keni Ramën kryeministër”, shtoi ai.

Një kontribut dhe për Kosovën

Kryeministri tha gjithashtu se një pjesë nga dozat e para që ne kemi marrë, do i dhurojë dhe për Kosovën.

“Do të japim një kontribut për Infektivin e Prishtinës.”- tha ai duke kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë që të përgatisë infrastrukturën e duhur për ruajtjen e vaksinës në temperaturën e duhur.

Kush do vaksinohet

Të parët që do vaksinohen do jenë punonjësit e sektorit të shëndetësisë e më pas kategoritë e tjera të rrezikuara.

Vaksinimi do të bëhet në mjediset e stadiumit ‘Air Albania’, që është përshtatur për këtë gjë prej ditësh. Aty janë krijuar 60 qendra të posaçme për pacientët e parë që do të vaksinohen. Doza e dytë e vaksinës duhet të merret përsëri pas 21 ditësh.

Sa njerëz u vaksinuan dje?

Në ditën e parë të vaksinimit (E hënë, 11 janar 2021) u vaksinuan rreth 50 mjekë nga spitalet e COVID dhe kryeministri Edi Rama.

Përpara atyre iu desh të plotësojnë një formular ku iu përgjigjën disa pyetjeve lidhur me vaksinën.

A ka efekte anësore?

Drejtoresha e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini thotë se përsa i përket vaksinës së Pfizer, efektet anësore janë: dhimbje muskulare, temperature, një fryrje tëë gjendrave lifatike dhe një irritim në zonën ku aplikohet vaksina.

Po ashtu ajo bëri me dije dhe grupmoshat që përjashtohen nga injektimi i kësa vaksine.

 “Grupet që nuk do ta marrin janë fëmijët nën 16 vjeç, gratë shtatzënë dhe ato në laktacion që ushqejnë me gji fëmijët.”– tha Tomini.

Lidhur me vaksinën e Pfizer, DW shkruan se që kur është vënë në përdorim kjo vaksinë, disa pak pacientë menjëherë pas vaksinës kanë treguar pas injektimit një reagim të fortë alergjik.

Një pacient në SHBA dhe dy britanikë madje pësuan një të ashtuquajtur shok anafilaktik të lidhur me skuqje të lëkurës dhe probleme me frymëmarrjen.

Për shkak se këta persona nuk kishin pasur sëmundje të tjera, dhe as nuk njiheshin si alergjikë, autoritetet britanike paralajmërojnë alergjikët nga vaksinimi./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *