Vendosni fjalën kyçe....

Shembja e mitit amerikan

Nga Ailda Mëngjesi

20 vjet për ta jetuar dhe 1 vit për ta njohur Amerikën!

Kur preka kontinentin e ëndrrave 20 vjet më parë ishte një diteë e ftohtë akull dimri.

Pas kisha lënë Tiranën gri e të lageësht, mjegulluar nga lotët e nxehtë të prindërve dhe një lloj hutimi me dhe pa shkak që me kishte pushtuar.

I gjithë udhëtimi kaloi si në kllapi mes ca ethesh të forta të pashpjegueshme, të cilat u zhdukën me të prekur tokën e premtuar.

Dritat që projektoheshin nga dritarja e avionit ishin imazhi i fundit që sillja me vete mbi Amerikën, atë që kisha krijuar nga filmat e Hollivudit dhe imagjinata e një njeriu rritur në një vend të vogël e të izoluar si ai i yni.

I pari i shtëpisë ku erdha, qëlloi një njeri shumë i shkolluar, i lexuar dhe mbi të gjitha i mençur. Ditë pas dite filloi të më njihte në bisedat tona me koncepte të reja, të padëgjuara më parë dhe që më dukeshin aq të çuditshme e të pabesueshme, sa ndonjëherë nuk arrija t’i merrja as seriozisht.

Kështu nisa të dëgjoja mbi kombet dhe axhendat, mbi rendin e ri botëror dhe projektuesit e tij, mbi duart e atyre ‘underground’, që lëvizin fijet e buratinëve në skenën politike si dhe leksione pa fund historie, të cilave herë u vija veshin, herë jo.

Jeta pastaj mori kthesa e kaloi në udhëkryqe nga më të papriturat, por një gjë mbeti e sigurt. Fjalët e njeriut të mençur, filluan të bënin përherë e më shumë sense tek unë.

Nuk përbën çudi atëhere që ditë pas dite, muaj pas muaji e vit pas viti, të ishte formuar brenda meje një anë e panjohur imja, konservatorizmi.

Kjo së bashku me besimin në Zot, bënin të përjetoja me siklet udhëtimin nëpër këto dy dekadat e fundit të Amerikës.

Bjerrjen e të gjitha vlerave, duke filluar nga ato shpirtërore, deri tek mënyra e jetës, duke filluar nga arti tek sistemi arsimor, duke filluar nga identiteti gjinor, tek ngrohja globale. Atyre që diskutoheshin dhe atyre që jo. Bija në kundërshti përherë e më shumë me të njohurit e mi liberalë, por të gjitha këto në një mënyrë aq spontane, sa nuk bënin kuptim as brenda meje dhe sigurisht as nuk mund t’u vija emër.

Në 2016-ën për herë të parë u nxita nga një impuls i brendshëm të votoja. Ishte vota e parë që hidhja në jetën time. Dhe pa ditur shumë, dija me siguri arsyen përse e hidhja. E hidhja për NDRYSHIMIN.

Donald John Trump nuk më interesonte shumë. Ekoja e bisedave të tim biri vetëm 10 vjeçar atëhere me të jatin arrinin deri tek unë dhe më ngacmonin fare pak trurin tim indiferent ndaj politikës.

Mireëpo kjo indiferencë u lëkund përnjëherë kur presidenti i sapozgjedhur Donald Trump u bë epiqendra e të gjitha diskutimeve që nga dita e inaugurimit e në vijim. Ndodhi të shkoja në një Konferencë mjekësore në Washington DC fill pas kësaj dhe çdo lektor, pa egzagjerim çdonjëri prej tyre e hapte leksionin e radhës me 1 minutë zi dhe romuze mbi njeriun e sapozgjedhur i parë i vendit.

Ku e njihnin gjithë këta njerëz Donald Trumpin aq mirë, sa të predikonin perfomancën e tij politike? – ishte pyetja e parë që filloi të më mundonte.

Kjo e gjitha ishte aq anormale dhe aq turbulluese për intuitën time, sa filloi të krijonte efektin e kundërt. Sa më shumë dëgjoja ta përgojonin dhe anatemonin një njeri, në logjikën time fare padrejtësisht, aq më shume shtohej një dozë e lehtë admirimi brenda meje. Nuk e ndiqja politikën, por krahas refrenit 3-4 vjeçar anti-Trump, ndjeja se jeta me ishte bërë më e lehtë.

Më pak taksa, benzina më e lirë se kurrë, niveli i jetesës më i lartë nga sa e mbaja mend ndonjëherë, një lloj uniteti që ka një dhe vetëm një emërues të përbashkët, suksesin, filloi të perçohej në ajër.

Ndërkohë jashtë vëmendjes sime, dhe në vështrimin tim periferik vazhdonte farsa 3 vjeçare e impeachment-it, koret e tam-tameve anti- Trump si edhe shumë plane të tjera të cilat u shpalosën in “full sight” në 2020-ën.

Bashkë me pandeminë, një mënyrë e re jetese u forcua tek ne, me gjithë spektrumin e absurditetit të vet, dhe kureshtja individuale, por dhe ajo profesionale më bënë të filloja të ndiqja presidentin e Amerikës, në daljet e përditshme për shtyp. Atëherë fillova të njihja Donald Trumpin, jo nëpërmjet fjalëve, por nëpërmjet punës së tij titanike. Ajo që më bëri ta adhuroja ishte etika e punës. Unë nuk mund të mos dashurohem me njerëzit punëtorë e të suksesshëm, kjo është një dobësi e njohur imja.

Dhe në mes të gjithë kësaj, kur nga njëra anë, njerëzit ishin dënuar me arrest shtëpie, kur predikuesit dilnin përditë me guide-lines për të na marrë frymën dhe instaluar në vend të saj frikën brenda nesh u ndez në Amerikë një rrëmujë e padëgjuar më parë, nga një vrasje e cila krijoi në vendin e bekuar një luftë raciale nga hiçi, një gjueti shtrigash ndaj gjithçkaje tradicionale, thyer nga britmat “Defund Police” Black lives matter” “Say her name”, vrasje, shkatërrime, pasiguri.

Colombusi u hodh me kokë poshtë dhe Linkolni u perçudnua. Çmenduria nuk kurseu as Mount Rushmore. Duhej fshirë historia…

Dhe automatikisht brenda teje krijohej një pështjellim, një trazim, një lloj cikloni ndjesish si ai kur të ka zënë deti dhe lëkundjet vazhdojnë, e në të gjitha këto, i vetmi person i cili mban akoma ekuilibër, mbetet timonieri.

Kur i madh e i vogël i jetës publike amerikane instalonte frikë, Donald Trump induktonte qetësi si i vetmi ekuilibër.

Ishte ai, kundër masave drakoniane të izolimit masiv, ishte ai pro jetës, pro shkollës, pro kishës dhe që kur këtë të fundit e dogjën vandalët në këmbët e Shtëpisë së Bardhë të më dukej si hero, kur me Biblën në dorë i doli përballë tërbimit të djajve për t’i qetësuar, pavarësisht se ata u tërbuan më keq.

Atëherë brenda meje filloi të plotësohej korniza e plotë e asaj që ishte duke ndodhur, si atëherë kur jemi duke vendosur pjesëzat e fundit të një puzzl-i gjigant, dhe më në fund arrin të kuptosh, se gjithçka kishe dëgjuar më parë paska qenë e vërtetë.

Se Politika dhe Padronët e saj nuk mund të pranonin një të jashtëm, dhe për ta eleminuar atë, nuk përtonin të nxisin luftëra, brenda dhe jashtë vendit. Se mekanizmat që drejtojnë botën vërtiten nga paraja dhe jo nga idealet, se për këta njerëzit janë thjesht ca milingona dhe mund të shtypen edhe me këmbë.

Përse e bëjnë këtë?

Divide-and-conquer! Ka ekzituar që nga Roma e lashtë, shumë më herët ndoshta. Dhe është shumë më kollaj të sundosh njerëz pa atdhe, pa fe, pa familje madje dhe pa identitet (gjinor). Për të arritur këtu ishin dashur dekada, dhe kokët e kuçedrës ishin përhapur kudo, që nga qeveria tek sistemi gjyqësor, që nga sistemi arsimor, tek aktivistët e shoqërisë së lirë civile.

Mirëpo po të kesh lexuar, që nga Bibla deri tek Mitologjia, e kupton se kështu ka ndodhur që nga fillimi i kohërave. E me gjasa ka për të ndodhur dhe në dhjetëra mijëra vitet ne vijim. E Mira do vazhdojë të përleshet me të keqen, dhe sikur bota pastaj të bjerë në errësirë me qindra vjet, do zgjohet një ditë, dhe do vazhdojë jetën.

Dhe qetësohesh. Papritur e gjen veten në anën e gabuar të historisë- por më të kthjellët se kurrë.

Mua më ndodhi me Amerikën!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *