Vendosni fjalën kyçe....

Në muajin Mars, Izraeli mund të nisë dhe vaksinimin e fëmijëve


Izraeli mund të përfshijë edhe fëmijët mbi moshën 12 vjeç në grupet që do të marrin vaksinën kundër COVID-19.

Këtë lajm e dha të martën një zyrtar i lartë i shëndetësisë, duke zbuluar se vendimi do merret brenda dy muajve të ardhshëm nëse një studim tregon se kjo është e sigurt.

Izraeli i cili ka nisur vaksinimin me një ritëm rekord botëror, thotë se synon që deri nga mesi i muajit mars, të kenë marrë njërën ose të dy dozat e vaksinës 5 milionë nga 9 milionë qytetarët e tij.

Izraelitëve të moshuar dhe të rriturve me probleme mjekësore ose me punë në sektorë kritikë me rrezik të lartë u është dhënë përparësi.

Por zyrtarët izraelitë duan të zgjerojnë këtë kategori dhe parashikojnë dërgesa më të rregullta të vaksinave.

Nachman Ash, koordinatori kombëtar për pandeminë, parashikoi që kërkimi farmakologjik do të përcaktojë që pragu minimal i moshës për vaksinat mund të ulet në mënyrë të sigurt nga 16 në 12. Po ashtu dhe miratimi i FDA-së për një përdorim të tillë sigurohet, deri në Mars.

“Fakti që fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk po vaksinohen aktualisht është sigurisht shqetësues, për sa i përket aftësisë për të arritur imunitetin e tufës.”– tha ai për radion 103 FM, citon Reuters. “Unë mendoj se, në një ose dy muaj do të ketë një grup tjetër – nga mosha 12 vjeç e lart – që ne mund të vaksinojmë.”

Rreth 7.75% e popullsisë së Izraelit janë mes moshave 12 dhe 16, sipas të dhënave të Byrosë Qendrore të Statistikave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *