Vendosni fjalën kyçe....

Në disa raste edhe falas, ky është 26-vjeçari që u çonte njerëzve bombola oksigjeni në shtëpi


26-vjeçari që u arrestua ditën e djeshme nga Policia e Kavajës, për furnizimin e të sëmurëve me Covid-10 me bombola oksigjeni quhet Mensur Shtylla.

I riu ishte me detyrë oksigjenist pranë Spitalit Kavajë.

Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, pasi kishte marrë rreth 30 bombola oksigjeni pa autorizimin e këtij institucioni mjekësor dhe më pas ua kishte dërguar personave të ndryshëm nëpër banesa, të cilët ishin të prekur nga Covid-19.

Këtë gjë i riu e kishte bërë kundrejt shumave të ndryshme të parave, e në disa raste edhe falas.

Kërkesa për oksigjen është rritur shumë që prej fillimit të pandemisë Covid-19 në vend. Një pjesë e të prekurve që trajtohen në shtëpi kanë nevojë për oksigjen e një pjesë e tyre e kanë zgjidhur në mënyrë private trajtimin e Covid-19. E shtylla duket se u është gjendur atyre afër.

Kallëzimi në Polici është bërë nga vetë spitali, i cili ka zbuluar këtë shkelje dhe e ka pezulluar të riun që prej datës 11 janar.

Ai u zbulua kur drejtuesit e spitalit kërkuan bombola për disa pacientë që kishin nevojë për oksigjen. Përballë kësaj kërkese, Shtylla ka treguar se në magazinë nuk kishte mbetur më asnjë bombol pasi ua kishte shpërndarë qytetarëve të prekur me Covid, që kishin pasur nevojë.

Drejtuesit e spitalit e kanë pezulluar të riun nga puna dhe kanë denoncuar rastin në polici.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *