Vendosni fjalën kyçe....

Meta takon Ballancën për ankesat e banorëve që preken nga rruga Vlorë-Orikum


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca me kërkesë të tij, pas peticioneve dhe shqetësimeve të banorëve të Radhimës, Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit.

Presidenti thekson se janë shkelur të drejtat themelore në procesin e hartimit të projektit infrakstrukturor “Rehabilitimi dhe ndërtimi i objekteve në afërsi të rrugës bregdetare Vlorë-Orikum” (Rikualifikimi i Vijës Bregdetare Vlorë – Radhimë- Orikum), si dhe trajtimit të pronave të tyre të ndodhura në këtë aks rrugor.

Avokatja Ballanca informoi Kreun e Shtetit se edhe pranë Avokatit të Popullit janë parashtruar deri më tani mbi 60 ankesa nga banorët lidhur me këtë projekt dhe se ky institucion, ka filluar një hetim administrativ për këtë çështje.

Shumë shpejt do të bëhet vlerësimi final dhe hartimi i një Raporti Përfundimtar në lidhje me këto problematika, që janë në shqyrtim prej Avokatit të Popullit dhe që banorët i kanë ngritur së fundmi edhe tek Presidenti i Republikës”– sqaroi znj.Ballanca.

Kreu i Shtetit nënvizon se, nëse Qeveria dhe pushteti vendor, shmangin respektimin e të drejtave të qytetarëve, është detyra e institucioneve të pavarura dhe e Gjykatës, të kryejnë vlerësimin e çdo pretendimi sipas fushave të tyre të përgjegjësisë.

Qytetarëve u nevojitet transparencë, pasi çdo projekt infrastrukturor i një rëndësie kaq të madhe duhet të jetë i mirëmenduar, i konsultuar sipas kërkesave të ligjit dhe duhet të respektojë të drejtat themelore kushtetuese të banorëve dhe pronarëve. 

Avokati i Popullit është pjesë e atyre institucioneve të veçanta, që me punën e tij, bën të mundur të garantohet funksionimi i shtetit ligjor, në respektim të të drejtave të njeriut. Ndaj pritshmëritë dhe shpresat që kanë qytetarët tek ky institucion, duhen justifikuar me punë objektive dhe të pavarur”– theksoi Presidenti Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *