Vendosni fjalën kyçe....

6000 të vdekur më shumë!


Nga Renis Cerga

Shifra prej 6000 të vdekurish më shumë në vitin 2020, krahasuar me vitet e mëparshme, ose e thënë ndryshe 28% më shumë se mesatarja, ishte e pritshme. Këtë projeksion fatkeq bëra në studion e ABC News në muajin nëntor, duke u bazuar në rritjen e vdekshmërisë, që rezultoi në shifrat e INSTAT, për tremujorin e tretë të 2020.

Duhet pasur parasysh se kjo rritje i përket vetëm gjysmës së dytë të vitit, pasi e para rezultoi të ishte në normë. Si në shumë vende të tjera, jo detyrimisht kjo shifër tregon realisht viktimat e Covid, që zyrtarisht deklarohen 1200 për 2020. Në Mbretërinë e Bashkuar rritja e vdekshmërisë është shumë më e madhe se viktimat e Covid dhe duhet pasur parasysh se ky vend ka një protokoll shumë të “gjerë” për viktimat. Mjafton të rezultosh pozitiv me Covid dhe edhe po vdiqe pas 2 muajsh, deklarohesh si viktimë e Covid.

Megjithatë, pavarësisht këtij protokolli “të lirshëm”, në UK rezultojnë edhe 50 mijë viktima të tjera më shumë, këta të fundit pa lidhje me covid që shkaktoi 65 mijë viktima. Arsyet janë të shumta, ku më e rëndësishmja është kolapsi i sistemit shëndetësor.

Fatkeqësisht ky kolaps, nuk u shkaktua dhe aq nga dyndja, siç parashikohej, por nga ristrukturimi i gabuar i sistemit, ku shumë spitale u shndërruan në Covid dhe refuzuan të mjekonin të sëmurët e tjerë. Edhe paniku i shkaktuar nga terrori mediatik ndikoi, ku dhe vetë njerëzit me sëmundje të tjera, nuk guxonin të shkelnin në spital.

Faktorë të tjerë, si stresi i stërzgjatur, janë përmendur gjithashtu si shkaktarë të kësaj rritje anormale. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar dhe në Shqipëri. Megjithatë, është e sigurt se viktimat e Covid në Shqipëri, nuk janë 1200 (deri në fund të 2020), por të paktën 3500. Mjafton të shohësh moshën mesatare të vdekjeve nga Covid në Shqipëri, që rezulton diku tek 70-75 vjeç, në ndryshim nga 80-85 që e ka bota dhe kupton se tek ne pleqtë mbi 80 vjeç thuajse nuk i dërgojnë fare në spital, por humbin jetën në shtëpi nga Covid dhe sipas protokollit shqiptar ata nuk deklarohen si viktima të Covid. Është kjo pjesë jo e vogël që mungon në raportin e viktimave dhe që më bën të mendoj (dhe përafërsisht kalkuloj) se viktimat direkt nga Covid janë të paktën 3500.

Një fakt tjetër që duhet venë në dukje është kalkulimi i numrit të të infektuarve, duke u nisur nga viktimat. Sot pranohet, në bazë të studimeve, se vdekshmëria nga Covid është 0.3% (3 herë më e lartë se gripi).

Nëse në Shqipëri ka 3500 viktima të Covid, atëherë numri i të prekurve është rreth 1.15 milionë persona. Kjo shifër përputhet me studimin e dr.Sulçebe, të botuar dhe nga Akademia e Shkencave, që deklaroi se në Tiranë e kanë kaluar 50% e popullsisë dhe në rrethe 25%. Lajmi i mirë është se në këtë rast imuniteti i tufës është afër.

Nga të dhënat jozyrtare që kam, vdekshmëria totale në Tiranë është kthyer në normalitet në muajin janar. Në rrethe do të duhet dhe pak me tepër kohë. Lajmi i keq, jo vetëm për Shqipërinë, është se vaksina vjen atëherë kur ne pothuajse kemi mbaruar punë me Covid.

Pra kush ishte për të ikur, fatkeqësisht iku. Masat e tipit lockdown, maska, etj, tregojnë se nuk vlejtën për asgjë, përveç se për të shkatërruar ekonominë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *