Vendosni fjalën kyçe....

Teknika Holokausti ndaj Teatrit Kombëtar


*Alias-Autor: Andy Warhol

Në një konferencë për Holokaustin Dr. Wendy Lower dhe Dr. Christopher Browning shpjegojnë me detaje sesi u zhvillua nga zanafilla si terror shtetëror. Në këtë konferencë ata më shumë fokusohen sesi u arrit që qytetari i zakonshëm në Gjermani dhe jo vetëm të shndërrohet në një vrasës ndaj hebrenjve dhe jo vetëm gjatë luftës së dytë botërore.

Arsye kryesore që ata theksojnë në veçanti është procesi i degradimit të hebrenjve në Gjermaninë naziste. Që nga deklarimi në Parlamentin nazist të ndalimit të martesave me hebrenjtë, tek ndalimi i shkollave, më pas në ndalimin e tregtisë dhe aksesit në sherbimet publike.

Pastaj në konfiskimin e pronës dhe damkosjen në pasaporta dhe ndalimin e shërbimeve publike. Paralelisht gazetat dhe radiot deri tek karnavalet damkosnin nëpërmjet mesazheve dhe simbolikave, hebrenjtë. Pas Natës së Kristaltë u bë legale gjuetia e lirë ndaj hebrenjve.

Për arsye që shtetasit gjermanë të mos kishin dijeni për fillimin e ekzekutimit të hebrenjve ata u spostuan në Poloni, Auschvitz-Birkenau. Po ashtu hebrenjtë polake u transferuan në geto duke u lënë të vdesin urie, të pa veshur, të pisët deri në ekstrem dhe në fund dhe ata u spostuan në Auschvitz duke u ekzekutuar.

Ajo çfarë këta profesorë analizojnë është që nëpërmjet këtij procesi dhe propagandës u bë normale në sytë e qytetarëve gjermanë që ekzekutimi i hebrenjve është një proces pune për të normalizuar krimet që bënin, për një kauzë më të mirë.

Madje shumë femra që nuk e kishin në përshkrimin e tyre të jepnin urdhra apo të bënin ekzekutime vajtën përtej sadizmit me krimet e kryera, sidomos në Evropën Lindore. Duke parë dhe mjerimin e tyre duke u trajtuar si qenie të çhumanizuara, meshkujt dhe femrat e Gjermanisë Naziste, që kishin akses në ushtrinë gjermane nuk e kishin problem të ekzekutonin hebrenjtë dhe jo vetëm ata, në masë. Madje dhe mjekët dhe infermierët betimin e tyre e bënin ndaj Hitlerit dhe Rajhut të 3-të, jo ndaj Hipokratit.

Si përfundim u arrit që një numër shumë i lartë i popullsisë së një vendi me kulturë siç ishte Gjermania, të bëhej një popullsi kriminale ndaj civilëve të paarmatosur dhe pa dallim moshe.

Teknika e Holokaustit ndaj Teatrit Kombëtar.

Teatri Kombëtar është një subjekt civil, publik që i përket popullit dhe administrohet nga shteti.

Ekzaktësisht e njëjta teknikë që përdori Nazizmi ndaj hebrenjve u aplikua ndaj Teatrit Kombëtar. Në gjithë këto vite Teatri Kombëtar u la me qëllim të degradohej. Së pari nuk u bënë investime. U bojkotua nga shteti dhe në veçanti nga Rama që e quan veten artist.

(Në dijeninë time Rama s’ka vajtuar asnjëherë në shfaqjet e Teatrit Kombëtar dhe Operas kur ka qenë në opozitë). Mungesa e investimeve e bëri Teatrin Kombëtar të mjeruar, ashtu si hebrenjtë në Varshavë. Në Teatër mund të hynin lirisht qen e mace.

Aktorët e papaguar dhe të varfër, (kujtoj këtu thënien e Bujar Asqeriut ‘ne dhe shitësit e gështenjave na i japin veresie se na thonë që ju aktorët s’keni lek’, me skenografi të varfra, me kostume të dorës së dytë. Publiku që shikonte teatrin vishej më bukur se aktorët në skenë) një sallë ku ka mushkonja, e palyer, e pa pastruar, pa ngrohje dhe që i iknin dritat).

Drejtor teatri u vendos një person që degradonte aktorët dhe në veçanti regjisorët. U hoqën fare shfaqet e rretheve, duke u shndërruar në një teatër lokal.

Mbas këtij mjerimi ashtu si Goebels u aktivizua propaganda duke nxjerrë lloj lloj justifikimesh për prishjen e teatrit. Që nga shpikja e sëmundjeve deri tek cilësia e tullave një armatë e tërë u aktivizua për të shkatërruar Teatrin Kombëtar.

Me pas filloi teknika e Himlerit, ku inxhinierë me ‘integritet profesional’ filluan matjet dhe analizat pse nuk bën punë Teatri Kombëtar, sa i rrezikshëm është etj. Drejtueset e institucioneve mbanin konferenca e ligjërime nëpër media kundër kësaj ndërtese që për ironi të tyre i rezistoi edhe tërmeteve të fuqishme në Tiranë.

Të gjithë këta njerëz si më sipër, ashtu si infermierët që iu betuan Hitlerit, iu betuan Ramës dhe Veliajt duke hequr dorë nga humanizmi dhe duke iu afruar intolerancës. Shkëputja e njeriut nga personalja për hir të politikës e çon njeriun drejt diktaturës dhe këtë bënë gjithë këta njerëz me veten dhe familjet e tyre dhe më gjerë.

U krijua kjo masë kaq e  madhe njerëzish që të betuar ndaj një diktatori si Rama i shpallën luftë kulturës së vendit të tyre. Kjo është ekzaktësisht e njëjta formë që aplikuan nazistët me popullsinë e tyre.

Pro teatrit ngelën vetëm ata që mbanin protestën e përditshme, Aleanca e Teatrit. Teatri dhe ata ishin Getoja e Varshavss, të cilët nuk përkraheshin nga qytetarët dhe nga kolegët e tyre (aktoret e Korçës protestonin kundër Ufas për Skënderbeun por jo për teatrin). Qytetarët nuk donin më një sallë me pluhur dhe nuk e kuptonin që ajo ishte një lojë e qëllimtë. Duke qenë se 85% e popullsisë në Shqipëri s’ka parë ndonjëherë teatër është lehtësisht i kuptueshëm miratimi në heshtje i tyre.

Pra Getoka u realizua nga Rama dhe Veliaj. Duke përfshirë dhe Covid-19 si një favor për izolimin. Tashmë holokausti mund të kryhej si në vitin 1942.

Ashtu si në filmin ‘Lista e Schndlerit’ ku ushtarët nazistë të drejtuar nga krimineli Amon Goeth iu sulën Getos së Varshavës duke vrarë kë t’i dilte përpara, ashtu dhe Rama-Veliaj iu sulën me mijëra forca policore të armatosura dhe buldozerë Teatrit Kombëtar duke rrahur çdokënd që ishte aty dhe duke shkatërruar godinën plotësisht me ç’kishte brenda. 

I vetmi ndryshim ishte që nuk u vra njeri.

Befas publiku u zgjua dhe e kuptoi çfarë tmerri kishte ndodhur por shumë vonë. I mpirë nga Propaganda Goebels Fuga ai nuk arriti të kuptojë që duhet të kundërshtojë të fuqishmin dhe jo të sulmojë njeriun e dobët.

Sot është data 27 Janar, Dita Ndërkombëtare e Persekutimit të Holokaustit. Ngjarje të tilla duhet t’i bëjnë njerëzit të kuptojnë jo vetëm së çfarë ndodhi, por pse ndodhi dhe sesi mund të shmangej. Për të mbrojtur së pari vendin nga kriminelët.

*Shkruar enkas për Hashtag.al

*Punimi grafik nga mjeshtri Medi Belortaja

VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cenojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *