Vendosni fjalën kyçe....

Zonja dhe zotërinj, përpara jush  Zylo Bregu Verifikuesi


Një informacion i gabuar mbi emërimin nga Kuvendi të Besnik Mustafajt si kandidat të mbështetur nga mazhoranca socialiste për Këshillin Drejtues të RTSH-së mori dhenë dy ditë më parë.

Në grackën e informacionit të gabuar ra dhe Hashtag.al së bashku me disa portale të tjera. (kliko këtu).

Ndonëse shkrimi u modifikua porsa morëm dijeni se informacioni ishte i pavërtetë, Hashtag.al nuk u mjaftua me kaq, por sot kemi bërë dhe një shkrim në formë ndjese publike ndaj zotit Mustafaj.

Sot konstatojmë se një portal i quajtur “Verifikoj.al” ka denoncuar (në dukje) mediat që sipas këtij portali, kanë prodhuar “fake news” ndaj zotit Mustafaj.

Portali në fjalë është një iniciativë e Zylyftar Bregut, gazetar, pedagog, ish-zyrtar shtetëror i AMA-s i hetuar dhe i shpallur në kërkim dikur për ryshfet dhe favorizim me licencat e subjekteve lokale.

Padashur t’i fshihemi përgjegjësisë për rastin në fjalë vlen të bëjmë dy saktësime:

Së pari nuk kemi të bëjmë me një “fake news” sepse që një lajm të jetë “fake news” duhet të ekzistojë intencioni. Pra duhet të ekzistojë qëllimi i medias për të manipuluar me dashje.

Në rastin e këtij lajmi është e pamundur të realizohet ky qëllim, pasi nuk mund të ketë asnjë media në gjendje për të tjetërsuar vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë, sa kohë që vendimet e këtij institucioni janë sovrane dhe botërisht të njohura. Ndaj dhe nuk mund të ekzistojë dot rrethana për të prodhuar “fake news” pasi është lehtësisht e verifikueshme gjëja.

Por ai lajm mund të quhet një “lapsus news” ose “nxitim news”.

Së dyti, portali “Verifikoj.al” i zotit Zylo Bregu nuk ka renditur në shkrim emrat e të gjithë portaleve që kanë bërë lapsusin, por në mënyrë selektive, ka ilustruar me tre foto vetëm 3 portale, ndër ta dhe Hashtag.al. Ky selektim është arbitrar, jo transparent dhe aspak profesional.

Por meqenëse jemi te profesionalizmi, le t’i hedhim një sy portalit Verifikoj.al, se ndoshta ky portal është një nismë serioze dhe shkrimi në fjalë mund të jetë përjashtim.

Rezulton se portal i ri i Zylo Bregut është bosh. Për be’ i vetmi shkrim që ekziston në këtë portal është shkrimi në fjalë. Kjo nuk është një shenjë e mirë, kur vëren se portali i zotit Zylo ka dhe një seksion interesant që quhet “investigim” dhe i cili sigurisht që është bosh.

Ky është ndoshta dhe seksioni më i sinqertë i portalit në fjalë, pasi zoti Zylo në gjithë vitet e karrierës së tij si gazetar, nuk e ka të gdhendur emrin në asnjë investigim, ndërsa pika kulmore e karrierës ndodhi kur Zylo punoi si kryeredaktor i gazetës “Integrimi” të LSI-së, ku zoti Zylo ka kulmuar fort me intervista ekskluzive me Erisa Xhixhon dhe Ardit Çelën.

Fill pasi shkeli trampolinën e “Integrimit” zoti Zylo u katapultua si anëtar i AMA-s.

Ky ishte një post shtetëror që zoti Zylo e përfitoi si bujari nga puna e palodhur dhe kulminante te “Integrimi”, ndonëse ju desh të ikte nga kjo punë natën dhe fshehurazi për të mbërritur në Maqedoni, sepse  prokuroria dhe policia në Tiranë i shkuan në shtëpi për ta ndaluar si zyrtar i dyshuar në një skemë favorizimi dhe ryshfeti ndaj subjekteve radio-televizive lokale.

Por duke parë zellin për verifikime të zotit Zylo, me dashamirësi e ftojmë të mos lodhet së verifikuari, sepse ndoshta dhe nuk di ta bëjë këtë punë.

“Zylo Verifikuesi”, le ta nisë me këmbë të mbarë portalin, e ka shumë të thjeshtë. Le të bëjë një rrëfim, se si ndodhi që kur ai ishte anëtar i Bordit të AMA-s, dy televizionet Top Channel dhe TV Klan përfituan licenca dhe favorizime antiligjore ndërsa Zylua jo vetëm nuk pipëtiu, por shumëkush e dinte sikur ai vazhdonte akoma punën te gazeta “Integrimi”.

Këtë vetërrëfim investigativ të zotit Zylo, zotohemi se do e publikojmë në Hashtag duke i dhënë prioritet maksimal, shoqëruar dhe me një intervistë të Erisa Xhixhos. / Hashtag.al


Rregjistrohu
Më njofto
guest
0 Komente
Reagimet
Shikoni të gjitha komentet