Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati i pavarur për deputet në Bulqizë akuza Samir Manes: Na luftoi me polici e media, Statusi i Minatorit pikë kyçe për ne


Kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi, ka folur mbrëmjen e sotme mbi kandidimin e tij si i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit.

Babai i katër fëmijëve dhe brezi i tretë i minatorëve në familje, ka qenë i ftuar në GogoCast në Gogo.al ku ka rrëfyer mbi synimet e tij, problematikat me të cilat përballen punëtorët dhe përplasjen me Albchrome të Samir Manes e luftën e tij ndaj interesave të minatorëve.

I pyetur mbi kushtet dhe problematikat me të cilat përballen minatorët e Bulqizës, Debreshi tha se kushtet e tyre janë tejet të këqija, ndërsa pagat shumë të ulëta.

“Miniera quhet ‘gropa e zezë. Minatorët e ish-minatorë Janë gjymtuar dhe nuk kanë asnjë lloj të ardhure, jetojnë me ndihmë ekonomike, janë si mos më keq. Puna në minierë është tepër e rëndë. Ka shfrytëzim barbar e pak investime. Kushtet janë të mjerueshme, pagat janë të ulëta, 500 mijë lekë në muaj, kjo është turp dhe fyerje për punën që bëjmë. Kushtet janë sidomos të vështira te miniera që administron kompania Albchrome ku ka edhe gaz hidrogjen që shpërthen. Më duhet të them se këtu nuk kanë funksionuar institucionet shtetërore, Inspektoriati i Punës e sindikatat që janë të kapura.” – pohon Debreshi gjatë intervistës së tij.

Më tej biseda pëqendrohet te përplasja e minatorëve dhe sindikatës më të re me kompaninë Albchrome.

Debreshi tregon të gjitha vështirësitë që nga themelimi i sindikatës, që në fokus ka mbrojtjen e punëtorëve.

Ai akuzon Samir Manen për luftën që u është bërë minatorëve që në fillim ndërsa tregon edhe operacionin për bllokimin e sindikatës dhe kërkimit të të drejtave nëpërmjet kërcënimeve, heqjeve nga puna e bllokimit të mediave për të mos shfaqur atë që ndodh në të vërtetë me minatorët në Bulqizë.

“Kam punuar 6 vite te Albchrome në kushte shumë të vështira. Më pas një grup minatoësh të rinj u përplasën me drejtorin lokal të kompanisë në Bulqizë. Ne morëm përsipër më pas që të krijojmë një sindikatë të re që u mbështet nga pjesa dërrmuese e minatorëve. Pas shpalljes së sindikatës, Albchrome u hakmor duke më pushuar nga puna. Kompania mori masa edhe ndaj anëtarëve të tjerë të sindikatës. Pasi u shua disi protesta pasi sollën policinë, që i ka nën komandë vetë Samir Mane. Më pas hoqën nga puna disa persona e morën ë pyetje më shumë se 50 minatorë. Albchrome bllokoi mediat që të mos transmetonin grevën tonë. Kur disa media të vogla folën për protestën tonë, TV Klani bëri një emision sikur Samir Mane kishte bërë mrekulli në Bulqizë, por është krejt e kundërta. Ai po investon që të nxjerrë më shumë prodhim por asgjë për minatorët. Ka bërë disa ndryshime të vogla, por kompania po investon vetëm për veten e vet.” – thotë më tej Debreshi.

Ai tregon më tej sesi vendosi të kandidojë, duke pohuar se këtë ia kanë kërkuar minatorët e ish-minatorët në mbarë vendin, ndërsa thekson se lufta për miratimin e Statusit të Minatorit është kyçe dhe prek minatorët, komunitetin dhe gjithë qytetin e Bulqizës.

“Nuk e kam dashur të hidhja kandidaturën për deputet. Sepse njerëzit e përdorin këtë për akuza, do kandidojë, do shitet si tjetri, do bëjë si ky, si ai. Në nëntor nisëm një peticion për Statusin e Minatorit, mblodhëm 11 mijë firma që i paraqitëm te institucionet. Qeveria nuk ka bërë asnjë lëvizje me dosjen e paraqitur prej nesh. Kanë qenë vetë minatorët e ish-minatorët në mbarë vendin ku kemi qenë, që kanë kërkuar që ne të hidhnim kandidaturën për deputet. Deputetët e partive e kanë përdorur minatorin deri në zgjedhje, më pas nuk e kanë kthyer më kokën pas. Statusi i minatorit prek minatorin, komunitetin, gjithë qytetin. Është pika kyçe. Statusi i jep sigurinë minatorit. Nëse do kishte qenë ndryshe situata nuk do kisha kandiduar, por bllokada na ka detyruar që të ecim në këtë drejtim. Problematika është në të gjitha qytetet ku ka miniera.” – shton Debreshi.

Në fund ai shpjegon pse është lënë pas dore Bulqiza dhe sesi është grabitur ajo dhe qytetet e tjera në vend nga politika 30-vjeçare. Debreshi thekson se do i qëndrojë deri në fund kauzës së minatorëve dhe se nuk lëkundet për asnjë çast në rrugën e tij.

Po kështu ai pohon se firmat që i duhen për të përmbushur kriterin ligjor për të kandiduar do ishin  mbledhur me kohë, pasi mbështetja është e madhe por një pjese qytetarësh u kanë skaduar kartat e identitetit prandaj procesi ka zgjatur paksa.

“Sindikatat kanë qenë fillimisht serioze, por më pas u kapën. Të gjithë politikanët e kanë përdorur premtimin për statusin e minatorit për mbledhjen e votave. Qyteti këtu mbahet me minierën, s’ka punësim tjetër. Ata po na grabisin gjithçka, dhe ne nuk flasim dot se kemi hall se na heqin nga puna. Këta po grabisin gjithçka siç ndodh edhe në zona të tjera, në Ballsh me naftëtarët etj. Nuk ka asnjë lloj mundësie që të tradhëtoj kauzën. Kësisoj do kisha shitur prindin tim, gjyshin  dhe veten time. S’mund t’i shesh të gjitha këto edhe sikur të më ofronin para pa fund. Ne i përjetojmë në kurriz të gjitha vështirësitë dhe shitja e kësaj do të thoshte shitja e nderit, djersës, familjes, minatorëve e qytetarëve të mi. Mbështetja është goxha e madhe. Dhe numri do ishte arritur shumë shpejt por një pjesë e mirë e qytetarëve u kanë skaduar kartat dhe kjo na e ka vështirësu pak mbledhjen e firmave. Ndryshe firmat do ishin mbledh sepse kemi pas mbështetje të madhe.” – mbyll rrëfimin e tij në GogoCast, Debreshi.

VINI RE: Intervistën e plotë të Elton Debreshit në GogoCast mund ta ndiqni Këtu


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *