Vendosni fjalën kyçe....

Ku çalon arrestimi i gjyqtares Hoxha


Blog-Autor: Etleva Delia

6 mijë euro për të liruar nga burgu një të dënuar për vrasje më duken shumë pak, të paktën krahasuar me shifrat që jemi mësuar të dëgjojmë.

Që këtu duket sikur ka diçka që nuk shkon. Duket sikur më shumë sesa paratë, gjyqtarja mund të jetë bindur nga shantazhi. Por kush e ka shantazhuar?

Një gjyqtare që përflitet për lirime të padrejta që nga 2017-a, që e di shumë mirë se po hetohet, përgjohet, etj. etj., vazhdon e jep vendime në favor të të dënuarve, e vetëdijshme që kjo mund t’i kushtojë prangat, duket sikur nuk ka shumë kuptim.

Nuk mund t’i dimë rrethanat pse ajo ka pranuar, për aq kohë sa vetë ajo ka preferuar të mos flasë dhe na lë të marrim të mirëqenë faktin se paska qenë e korruptuar.

Megjithatë duke parë disa vendime, një prej të cilëve është ky për Hekuran Billën, që u vra më 11 qershor të vitit të kaluar, na lind e drejta të aludojmë.

Pse vetëm gjyqtarja qenka përgjegjëse për të gjitha këto lirime? Në fund të fundit ajo thjesht e ka shpallur një vendim, për të cilin ishin krijuar kushtet, që nga drejtori i IEVP-së, Shërbimi i Provës, e madje nuk është kundërshtuar as nga prokurori, që në këtë rast dhe disa të tjera është i njëjti, Bujar Memia, që sot ILD-ja kërkon shkarkimin e tij.

Vendimi i marrë nga Enkeleida Hoxha, ashtu si në rastet e mëparshme, ato më të perfolurat, siç është rasti i Ilir Pajës, Genc Tafilit dhe i Indrit Dokles, ishin të gjitha të ndihmuara nga raportet e drejtuesve të këtyre institucioneve dhe përfaqësuesi i akuzës.

Po këta do mbajnë ndonjëherë përgjegjësi, apo u arrestua një gjyqtare dhe tani duhet të duartrokasim sepse u godit korrupsioni në drejtësi?


Rregjistrohu
Më njofto
guest
0 Komente
Reagimet
Shikoni të gjitha komentet