Vendosni fjalën kyçe....

Z.Rama nëna ime është personalitet


Blog-autor: Arthur Kurtallari

Nëna ime është aktore. Momentalisht luan në teatër, pjesë dramatike. Ajo luan aq bukur sa qan me mjeshtëri. Qan shumë lehtë. Sa herë t’ia kërkojë roli. Roli i fundit i saj ishte i një nënë që ka rritur e shkolluar katër fëmijë, por që nuk i ka pranë për shkak të emigracionit.

Më herët ka luajtur rolin e një nëne të lumtur, me katër fëmijë, e bindur se do ti ketë pranë gjithë jetën. E luante bukur rolin. Na plotësonte çdo nevojë pa u ankuar shumë. E ne, fëmijët e saj, ishim të lumtur tek shihnim si ajo shkëlqente e bekuar me jetë e bukuri.

Ka luajtur edhe komedi, kur na bënte të qeshnim në kulmin e vështirësive, e na jepte shpresë se gjithçka do jetë e bukur.

Nëna ime ka qenë dhe sportiste, kur rendte nëpër ara me hap maratonomaku, e me të njëjtin hap shpejtonte në kuzhinë, në pazar. Në kohë rekord, mes vuajtjesh e mungesash, ajo na ka bartur si koala, në një kohë ku as shteti e as dreqi nuk ta jepte dorën.

Nëna ime ka qenë gjithë kohën shkrimtare, poete, gazetare, duke dremitur mbi ëndrra e thurur poema me jetë, me dashuri, me shpresë.

Nëna ime ka qenë shkencëtare. Ajo arrinte të shpikte gjithmonë arsye e ligje si të jetonim, edhe kur nuk kishte asnjë fije shpresë. Isha i vogël kur shpiku ligjin e “njeriut të drejtë”, ligj i cili na shoqëroi gjithë jetën, edhe pse përveç humanizmit nuk na siguroi asgjë.

Nëna ime është modele. Ajo shkëlqen dhe ka një nur të magjishëm, edhe pse nuk është veshur kurrë me këpucë të shtrenjta, të cilat në të shumtën e rasteve blihen me para të vjedhura. Ajo ka sy blu, ballë të lartë, lëkurë të regjur, të butë si afsh pranveror. Ajo është e fisme.

Nëna ime është politikane. Ajo e menaxhon familjen time pa diferencime, ndan kafshatën në 6 pjesë, nuk gënjen, nuk mashtron, nuk fyen. Ajo qeveris familjen time me përpikmëri, si një politikane e lindur!

Shpëtoni nënën time! Bëjani një vaksinë!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *