Vendosni fjalën kyçe....

Gruaja e “El Chapo”-s arrestohet për trafik kokaine e heroine


Gruaja e lordit meksikan të burgosur të drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán, është arrestuar në SHBA nën dyshimin për trafik droge.

Siç bëjnë me dije autoritetet amerikane, 31-vjeçarja Emma Coronel Aispuro u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Dulles, jashtë Uashingtonit.

Ajo akuzohet për pjesëmarrje në një komplot për shpërndarjen e kokainës, metamfetaminës, heroinës dhe marijuanës, shkruan BBC.

Bashkëshorti i saj Guzman aktualisht po vuan një dënim të përjetshëm në Nju Jork për trafik droge dhe pastrim parash. 63-vjeçari është ish-kreu i kartelit të Sinaloas, për të cilin zyrtarët thonë se ishte furnizuesi më i madh i drogës në SHBA.

Gjyqi i tij në vitin 2019 nxorri zbulime tronditëse për jetën e tij, nga drogimi dhe përdhunimi i vajzave të moshës 13 vjeç deri te kryerja e vrasjeve me gjak të ftohtë të ish-anëtarëve të kartelit dhe rivalëve.

Zonja Coronel Aispuro do të paraqitet në një gjykatë federale në Uashington përmes video konferencës, tha departamenti i drejtësisë i SHBA-ve.

Përpos akuzave për trafik të drogës, ajo akuzohet gjithashtu për komplotim me të tjerët për të ndihmuar burrin e saj të arratisej nga burgu në Meksikë në vitin 2015.

Zonja Coronel Aispuro është një qytetare me nënshtetësi të dyfishtë SHBA-Meksikë si dhe nënë e dy fëmijëve binjakëve. Ajo ndoqi pothuajse çdo ditë të gjyqit tremujor të burrit të saj në Nju Jork.

Ajo i qëndroi besnike Guzman duke thënë në fund të gjyqit: “Unë nuk e njoh burrin tim si personin që ata po përpiqen ta tregojnë, por përkundrazi e admiroj atë si qenie njerëzore që unë takova dhe ai ai me të cilin u martova.”


Rregjistrohu
Më njofto
guest
0 Komente
Reagimet
Shikoni të gjitha komentet