Vendosni fjalën kyçe....

Po nëse në fletën e votimit vendosim opsionin ‘asnjë nga partitë’


Nga Irena Beqiraj

Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, siç edhe pritej, po shoqërohet me një ambivalendë të thellë, e cila ka prekur shumicën e votuesve jo partiakë, pavarësisht nga profesioni apo niveli i edukimit.

Këtë ndjesi votuesi shqiptar ka kohë që e provon, dhe kjo shprehet më së miri në përqindjet e pjesëmarrësve në zgjedhje.

Politikanët tanë “të suksesshëm” nuk ngurojnë të proklamojnë që në politikë, i ka mbajtur dhe i mban vetëm vota. Ndërkohë që rënia drastike e pjesëmarrjes në zgjedhje, e cila me gjasa do të thellohet në zgjedhjet e 25 Prillit, tregon që votuesi i zakonshëm, jo partiak dhe jo tifoz, i ka abandonuar me kohë partitë politike edhe liderët e tyre afatgjatë. Ky abandonim u bë masiv në zgjedhjet e fundit partlamentare, ku nuk votuan më shumë se gjysma e votuesve, ose rreth 53.2% e tyre.

Që prej 2001-shit pyetja që shtrohet është: shumica e shqiptarëve nuk votojnë sepse janë të pa-interesuar, të pa-informuar, apo thjesht të lodhur nga kërkimi i padobishëm i së keqes më të vogël në alternativat që paraqiten në fletën e votimit?

Në demokraci për një votues jopartiak, marrja e një vendimi të arsyetuar mbi alternativën më të mirë, kërkon kohë dhe përkushtim. Ai duhet të përvetësojë njohuritë e nevojshme për të vlerësuar politikat publike edhe ekonomike të paraqitura nga palët. Thënë këtë, për një votues jo-partiak, ku fitorja e një partie të caktuar nuk lidhet me interesa të caktuara personale, pjesëmarrja në zgjedhje shoqërohet me kosto të larta oportune, ndërkohë që ndikimi i votës së tij në rezultatin final është i papërfillshëm.

Ekonomisti Anthony Downs në punimin e tij Teoria Ekonomike e Demokracisë, e quan këtë fenomen “injoranca racionale e votuesit” edhe e përshkruan kështu: “Për shumë qytetarë në demokraci, një sjellje racionale do të përjashtonte çdo investim të mundshëm në informacionin politik. Pavarësisht se sa i rëndësishëm është ndryshimi midis partive, kur qytetari e kupton se vota e tij nuk ka pothuajse asnjë shans për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, apo votimi nuk ndryshon asgjë në jetën e tij, sjellja e tij për të mos u informuar, apo për të mbetur injorant është racionale”. Në romanine  tij klasik “Walden Two” psikologu BF Skinner e thotë edhe më shkoqur: “Mundësia që vota e një njeriu të jetë vendimtare në zgjedhje apo në jetën e tij, është më i ulët se mundësia se ai do të vritet rrugës për në votime”.

Për më tepër në demokracitë ku palët akuzojnë në mënyrë të vazhdueshme njëri-tjetrin për vjedhje votash, kur fushatat elektorale janë negativiste, kur polarizimi politik është ekstrem ku shpërqendrimi dhe largimi i publikut nga faktet e vërteta dhe të rëndësishme është i qëllimshëm, kostoja opportune e përvetësimit të informacionit rritet dhe besimi tek vota bie. P.sh, studimet tregojnë se sa më shumë te flitet për korrupsionin, aq më shujmë votuesit refuzojnë kutitë e votimit.

Interesant është studimi i Daniel Stockemer, Bernadette LaMontagne, Lyle Scruggs, “Impakti i korrupsionit në pjesëmarrjen në zgjedhje”.

Shpesh guxoj të mendoj se kjo strategji e ndjekur nga dinozaurët politikë është e qëllimtë. Me sistemin e sotëm elektoral, partive kryesore u intereson pjesëmarrja e ulët në zgjedhje. Në këtë mënyrë, përcaktuesit e fituesit janë pakica e partiakëve dhe tifozët e tyre. Liderët e kanë të lehtë të përjetësojnë vegjetimin e tyre në politikë, pa u lodhur për të prodhuar ide, pa pasur nevojë për të bërë programe realiste, pasi retorika dhe demagogjia do të mjaftonte për të kënaqur tifozët.

Partiakët e thekur apo tifozët e tyre, lehtësisht mund të argumentojnë që partitë politike nuk kanë mjet për të shtyrë drejt kutive të votimit njerëzit që racionalisht kanë vendosur të jenë “të painformuar politikisht”. Në fakt ky argument rri mbi një këmbë, për sa kohë nuk kemi një matje reale të përqindjes së votuesve të informuar që dëshirojnë të votojnë, por refuzojnë ta bëjnë, pasi e kanë kuptuar që koncepti “e keqja më e vogël” nuk ekziston.

Refuzimi i votuesve pa zgjedhje, ka rëndësi politike, krahasuar me refuzimin e pjesëmarrjes në votime të të pa-interesuarve apo të pa-informuarve.

53.2% e votuesve shqiptarëve nuk votuan në vitin 2017. Të gjithë ishin të painteresuar, të painformuar, gjë që ekonomistët e quajnë “injoranca racionale” apo ka shqiptarë të informuar që kanë dëshirë për të votuar por që e kanë kuptuar, se koncepti “e keqja më e vogël nuk ekziston” e për këtë arsye kanë braktisur kutitë e votimit?

Nëse ka pak mekanizma në demokraci për të çuar drejt kutive individët që kanë zgjedhur racionalisht të jenë të pa interesuar edhe të painformuar politikisht, duke zgjedhur kështu të braktisin zgjedhjet, demokracia ka mekanizma për t’iu dhënë mundësi shqiptarëve të informuar, që duan të votojnë por që nuk janë dakord me cilësinë aktuale të ofertës politike.

Matja e këtij segmenti, të elektoratit gri ka rëndësi politike, pasi do të tregonte hendekun në tregun politik duke na dhënë një ide më të qartë të thellësisë së mospërputhjes së kërkesës dhe ofertës politike, duke shtyrë përmirësimin e kësaj të fundit drejt pritshmërive të shumicës. Për këtë arsye ka ardhur koha të konsiderojmë në fletën e votimit opsionin: “Asnjë nga partitë” (disa vende në botë e kanë këtë opsion të quajtur ndryshe NOTA).

Në këto kushte ka ardhur koha të konsiderojmë përfshirjen në fletën e votimit të alternativës “Asnjë nga partitë” (disa vende në botë e kanë këtë opsion të quajtur ndryshe NOTA). Me anë të këtij instrumenti, do të kishim një matje të vlefshme të hendekut në tregun politik dhe një ide më të qartë të thellësisë së mospërputhjes së kërkesës dhe ofertës politike. Matja e këtij refuzimi mund të ishte një shtysë për reformimin aq të nevojshëm të partive duke i shtyrë ato të rinovojnë më shpesh trupat drejtuese, të sigurojnë më shumë vlerë, më shumë ide dhe përfaqësim cilësor. Kjo matje patjetër do të largonte nga sjellja euforike në ushtrimin e pushtetit, fituesin e dalë nga votimi i pakicave. Matja e këtij refuzimi në procesin e votimit, do të tregonte qartësisht nëse fituesi, është vërtet vullneti i shumicës siç kërkohet në demokraci, apo demokracinë e kemi katandisur në një besim patetik tek mençuria kolektive e pakicës së tifozëve dhe partiakëve.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Gazeta SI


Rregjistrohu
Më njofto
guest
0 Komente
Reagimet
Shikoni të gjitha komentet