Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave autorizoi formalisht të shtunën përdorimin e vaksinës Johnson & Johnson, duke hapur rrugën për përdorimin e saj që nga e hëna.
Sipas të dhënave nga një studim që shtrihej në tre kontinente, vaksina Johnson & Johnson, e cila merret vetëm në një dozë, është 85 për qind efektive kundër sëmundjes së COVID-19, të shkaktuar nga koronavirusi. Ajo ofron mbrojtje edhe në vendet ku po përhapet varianti i Afrikës së Jugut.
Vaksina me një dozë është pritur me padurim nga zyrtarët shëndetësorë të cilët dëshirojnë të shpejtojnë vaksinimet në një garë kundër koronavirusit dhe mutacioneve shqetësuese të tij.