Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllet për të disatën herë, pse faqja e “Brryli Broadway” s’po bie rehat



Është mbyllur dje për të disatën herë faqja e njohur e memeve “Brryli Broadway”. E “faji” i faqes duket janë jo vetëm memet që ka bërë kohët e fundit me trenat e avionët imagjinarë të qeverisë së Shqipërisë “moderne”, por memet që prej tre vitesh, të cilat kompania “Acromax” i konsideron si pronë intelektuale të disa televizioneve. Madje edhe të atyre me të cilat faqja e memeve në Facebook, ka një marrëveshje për t’i përdorur.

Pavarësisht bllokimit të faqes në Facebook, çunat e “Brrylli Broadway” të larë me “vaj e me uthull” tashmë për këtë çështje, ishin të pregatitur për çdo rast duke mbajtur një faqe rezervë, ku denoncuan dhe rastin.

Asgjë nuk mbaron këtu!

Brryli Video është kthyer në Brryli Broadway (e treta) e cila është streha e re në Facebook.

Edhe nëse na mbyllni përsëri, pa merak do hapim tjetër.”- njoftojnë çunat e Brrylit në faqen e re.

Kush e bllokoi “Brrylin”?

Duket se shkak për këtë janë bërë raportimet e shumta që ka bërë “Acromax”. Këtë kanë treguar administratorët e faqes, përmes postimit të parë në faqen rezervë. I dyshimtë mbetet fakti se përse ky sulm ndaj faqes, pikërisht vetëm pak kohë para zgjedhjeve.

“Me sa duket puna e kryer nga Acromax duke ngritur pretendimin se shumë foto të bëra meme për 3 vitet e fundit nga Brryli Broadway janë pronë intelektuale e TV si TCH, Klan, ABC, News24, Digitalb etj Facebook i ka mbrojtur duke rrezikuar thuaj se përfundimisht mbylljen e faqes BRRYLI BROADWAY me 95 mijë ndjekës. Kërcënime të vazhdueshme prej më shumë se 1 viti duket se kulmojnë pikërisht tani para zgjedhjeve. Raportet nuk kanë kursyer as materialet e televizionit ABC, për të cilat ne kemi një marrëveshje për ti përdorur. Sulmet e fundit janë direkte dhe të organizuara pasi shumë nga postimet e raportuara janë shumë të vjetra dhe bëhen njëkohësisht në Facebook dhe Instagram.

Përkohësisht do fitojnë, veçanërisht disa politikanë që kanë bërë çdo gjë të mundur për ti mbyllur gojën kësaj faqeje.”– njoftojnë administratorët e faqes, në një faqe të dytë.

Për ata që nuk e dinë, “Acromax Media” është një kompani me bazë në Hamburg të Gjermanisë, e cila heq video që kritikojnë qeverinë shqiptare nga interneti, në veçanti në Facebook. Kompania ka nënshkruar kontrata me pothuajse të gjitha stacionet kryesore televizive të Shqipërisë, të cilat i kanë dhënë të drejta të gjera për përdorimin në internet të transmetimeve televizive shqiptare dhe ajo ndërmerr veprime kundër shkeljeve të të drejtave të autorit me iniciativën e saj.  Drejtori i Përgjithshëm i “Acromax Media” është Aldor Nini.

Por cili është “mëkat”i i “Brryli Broadway”? Duhet të ketë një “mëkat” meqë kjo faqe nuk po gjen qetësi, duke u bllokuar për të disatën herë.

“Brryli Broadway” është një nga faqet më të ndjekura në “Facebook”, e njohur për memet pikante dhe këndin kritik ndaj zhvillimeve në vend.

Përveç kryeministrit Edi Rama, një nga politikanët që është kthyer më së shumti në meme nga kjo faqe është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Madje edhe pas rikthimit përmes faqes rezervë, djemtë e “brrylit” kanë patur një meme pikante për këta të dy lidhur me mbylljen që iu bë.

Kohët e fundit, përmes memeve të saj faqja ka telendisur Rilindjen për shkak të premtimeve për “Shqipërinë moderne” me aviona e trena, apo projekteve 3D të servirura vazhdimisht nga qeveria për publikun.

Nga trenat e shpejtësisë të lartë që do lidhin Korçën me Tiranën, stacionet gjigande të Vlorës dhe hyrjet luksoze të Tiranës janë disa nga memet me të cilat Brryli po telendis deklaratat vizionare të Elisa Spiropalit se “në mandatin e tretë Shqipëria do të bëhet një vend modern me aeroporte të reja, me hekurudhë”. Madje nuk mungojnë as projektet futuristike, Shqipëria në mandatin e tretë me trena fluturues./Hashtag.al

Disa nga memet:


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *