Vendosni fjalën kyçe....

Ferri tokësor


(ese e një 15-vjeçari në gjimnazin Petro Nini Luarasi)

Nga Erdet Arizaj

Unë nuk e di nëse egziston ferri. Nuk e di a janë të vërteta mundimet, vuajtjet apo dyshimet, që thuhet se të torturojnë në atë vend.  Po prej një viti të paktën, më duket sikur ferri është zhvendosur nga vendi imagjinar për t’u shfaqur mes nesh.

Madje ndonjëherë më duket sikur unë dhe shokët e mi, apo bashkëmoshatarët e mi, jemi pjesë e tij. Si mund të mendojmë ndryshe kur çdo ditë, prej një viti, na kanë bërë shënjestra se jemi ne që infektojmë me koronavirus gjyshërit e gjyshet tona, nënat dhe baballarët tanë.

Krejt pa të keq, çdo natë në TV, prej një viti, dëgjojmë mjekë e gazetarë, të ditur e injorantë, që thonë se mosha jonë janë rreziku më i madh, duke të krijuar atë ndjesinë e përfaqësuesit të të keqes. Më duket sikur unë me shokët e mi, kudo ku shkojmë, sa herë hyjmë në shtëpi, sa herë përqafojmë njerëzit tanë, kemi me vete një thes me virus brenda që e shpërndajmë kudo. Shtoji kësaj frikën e përditshme që vjen sapo hap celularin, laptopin, apo televizorin ku vërshojnë pa asnjë kontroll lajme të zeza mbi vdekjet, mbi moshën, mbi çdo episod që edhe mund të shmanget, atëhere të duket sikur jeton mbi buzë të një humnere.

Maskat janë mbrojtëse sigurisht, por askush nuk mendon se janë kaq jonormale, dhe të shohësh njerëz me fytyrë gjysëm të mbuluar është edhe e ankthshme. Ndonjëherë duken si mbetje mumjesh.  Nuk e di nëse këto kohë që jetojmë do të lindin një Dante për t’i përshkruar, por jam i sigurtë se për shumë prej nesh, këto kohë, nuk do të jenë si yje në qiell që t’i tregojmë si histori, por do të jenë si vrima të zeza, nga të cilat askush nuk e di nëse mund të dalë më. Njësoj si në ferrin që përshkruajnë librat.

Sepse me dashje, apo pa dashje, neve, që nuk kemi asgjë në dorë, gati po na fajësojnë për infeksionet e për vdekjet. Vallë çfarë bëjnë më shumë ata që përfundojnë në ferr? Nëse do kisha fuqi, do u bërtisja në vesh njëri pas tjetrit, televizion pas televizioni, mjek pas mjeku, gazetar pas gazetari, portal pas portali: Të papërgjegjshëm, kujdes çfarë nxirrni nga goja. Ne kemi veshë, dimë dhe të lexojmë. Mjaft na akuzuat!


Rregjistrohu
Më njofto
guest
0 Komente
Reagimet
Shikoni të gjitha komentet