Vendosni fjalën kyçe....

Insajderi: Bashkëshorti i ministres së jashtme implikohet në manipulim të votave (Video)


Një video-incizim ka zbuluar bashkëshortin e kryediplomates kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, për përfshirjen e tij në një skandal të madh të manipulimit të votave.

Në këtë video ekskluzive të siguruar nga Gazeta Online Insajderi, zbulohet se si afaristi Dardan Stublla, ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar Meliza Haradinajt-Stublla.

I infiltruari në grup i cili e ka incizuar bisedën ka ofruar para rrejshëm shumë më shumë sesa Stublla, për të zbuluar të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë hedhë dyshime të mëdha se si ministrja e Jashtme dhe e Diasporës bëhet deputete pa i pasur votat e mjaftueshme.

Kësisoj, paratë dhe përfshirja e Dardan Stubllës kanë qenë faktori kyç që Meliza Haradinaj-Stublla figuron në mesin e tetë kandidatëve të parë të AAK-së pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Përfshirjen e Dardan Stubllës në manipulimin e rezultateve të kandidatëve të Aleancës për deputetë, e ka zbuluar një video-inicizim i Arbër Krasniqit, një komisioneri në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).

Përgjimi ekskluziv, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, nxjerr në pah dëshminë e komisionerit Krasniqi që thotë se është paguar nga Dardan Stublla. Thotë se paratë i kishte pranuar me një qëllim të vetëm: manipulimin e votave në favor të kryediplomates në largim.

Pasi i prezantohet me identitet të rremë personit të dëmtuar nga manipulimi i votave, Arbër Krasniqi thotë se edhe komisionerët e tjerë të partisë i binden atij. Pranon se ka manipuluar qindra vota në favor të Haradinaj-Stubllës në këmbim të 6,000.00 eurove që i kishte premtuar bashkëshorti i saj.

“Puna është që unë me ta u pata marrë vesh për 600 vota, 6,000 euro. Unë aty jam vet i treti. Unë si numërues aty, edhe nja dy i kena mrena aty. IT janë ata, me kompjuter në sistem”, dëshmon Arbër Krasniqi, i prezantuar si Arigon Beka, 24-vjeç, nga Podujeva.

Krasniqi, megjithatë rrëfen se Stublla s’i doli “njeri i fjalës”.

Para se të konfirmojë se është takuar me bashkëshortin e Haradinaj-Stubllës në një restorant afër selisë së AAK-së në Prishtinë, thotë se Dardan Stublla i ka borxh 2,000.00 euro.

“Këta u patën marr vesh qysh të kallëzova, 600 vota – 6,000 euro. 4,000 mijë i kanë jep, 2,000 janë mbet borxh. Kanë bo fjalë për qito 2,000 në fund”, shpreh shqetësimin komisioneri i AAK-së.

“Tash, për qato dy mijë euro, u nal. Dështuam qaty. Qaty dështuam. Bash qysh po thu ti: ‘Jo i pari, jo pse, kur, tek?’”, rrëfen ai mosmarrëveshjet që thotë se ka me Stubllën.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Insajderi.org


Rregjistrohu
Më njofto
guest
0 Komente
Reagimet
Shikoni të gjitha komentet